E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: T'i jepet fund zgjedhjeve të deformuara në Shqipëri

PRISHTINE- Në një intervistë për Radio Evropa e Lirë kreu i Partisë Socialiste Edi Rama deklaron përfundimi i reformës zgjedhore është një nga kushtet që shqipëria të jetë pjesë e BE. Sipas tij, në Shqipëri duhet të mbyllet njëherë e përgjithmonë kapitulli i zgjedhjeve të deformuara, problem ky sipas tij i konstatuar edhe nga KE.

“Reforma elektorale është prioriteti i prioriteteve ndër 12 prioritetet/ rekomandimet që Bashkimi Evropian ka vendosur për Shqipërinë, sepse pa zgjedhje të lira dhe të ndershme, është e kotë që të pretendojmë të bashkohemi me familjen evropiane me të drejta të plota.Ky fakt, kjo e vërtetë është një e vërtetë, të cilën vetë Komisioni Evropian e mbron, duke konstatuar në vijimësi probleme të rënda me zgjedhjet dhe duke kërkuar që përmes një reforme të plotë elektorale, Shqipëria të përmbyllë kapitullin e zgjedhjeve të deformuara, e të kontestuara dhe të hapë një kapitull të ri”, tha Rama.

Përfundimi në kohë i reformës zgjedhore sipas Ramës është i një rëndësie të vecantë. Ai theksoi se ky proces nuk po ecën keq.

"Ne duam një përmirësim të sistemit zgjedhor në funksion të rritjes së transparencës dhe të përfaqësimit të të gjithë votuesve përmes të gjitha subjekteve elektorale. Ndërsa, pala tjetër është krejtësisht e mbyllur në këtë pikë.  Sa i përket aspektit tjetër të reformës që ka të bëjë me rregullat e lojës, që ka të bëjë me të gjitha ato deformime dhe probleme të konstatuara nga misioni i OSBE/ODIHR-it, dhe me rekomandimet e këtij misioni, ka një ecuri, të cilën unë nuk do të doja ta gjykoja negativisht apo ta paragjykoja në këtë fazë.Ecet, dhe shpresoj që të mos jetë e nevojshme në asnjë mënyrë një shtyrje tjetër e afatit, pasi ka një rëndësi themelore që reforma të mbyllet në kohë”, shtoi ai.
(ma.ar/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›