E Shtunë, 31 Tetor 2026

Piramida, rrëzohet kërkesa për pezullim,Kushtetuesja tërhiqet për vendimin final

SHKRUAN: Fejzi Braushi 11-06-2011 11:32

Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar dje kërkesën e Bashkisë së Tiranës, për pezullimin e zbatimit të vendimit të Kuvendit për ngritjen e kompleksit të ri parlamentar, ndërsa ka dëgjuar pretendimet e palëve për shqyrtimin e çështjes në themel, për ta shpallur një vendimmarrje të tillë antikushtetuese dhe në cenim të plotë të kompetencave të pushtetit vendor. Gjykata u njoh në fillim me kërkesën e Bashkisë së Tiranës, që para se t’i hynin çështjes në përmbajtje, të pezullohej zbatimi i vendimit 66 të Kuvendit, me anë të të cilit nisën procedurat për zhvillimin e konkursit për ndërtimin e godinës së re të Kuvendit, duke argumentuar se zbatimi i tij ka sjellë efekte financiare. Ndërkohë, që lidhur me këtë kërkesë, dy institucionet e interesuara Kuvendi i Shqipërisë dhe Këshilli i Ministrave u shprehen kundër, duke argumentuar se dëmi financiar nuk është i vërtetë dhe se vet kreu i Bashkisë së Tiranës, jo vetëm që ka marrë pjesë në mbledhjet e Komisionit Shtetëror, por ka qenë dakord me konkursin. Pas tërheqjes për vendimmarrje, trupa gjykuese vendosi rrëzimin e kërkesës për pezullim si të pambështetur në prova dhe fakte. Më pas seanca ka vijuar me parashtrimin nga palët të objeksioneve, lidhur me çështjen objekt ankimi. Në emër të palës paditëse, juristja Natasha Kondi ka evidentuar se vendimi i Kuvendit për ngritjen e kompleksit të ri parlamentar cenon një sërë ligjesh, si ai për pushtetin vendor, ligjin për urbanistikën, Parimin e Kartës së Autonomisë Vendore dhe vet jurispudencën e vendosur nga vet Gjykata Kushtetuese, në shqyrtimin e çështjeve të ngjashme, siç ishte ajo e “Zogut të Zi”. Ajo ka sjellë një sërë argumentesh që, sipas saj, e bëjnë vendimmarrjen e Kuvendit të paligjshme, duke pretenduar se plani rregullues i Tiranës nuk parashikon që Piramida të prishet dhe aty të ngrihet një objekt tjetër. Sipas saj, Piramida bën pjesë në ansamblin e objekteve të Bulevardit ‘Dëshmorët e Kombit’ dhe për rrjedhojë nuk mund të prishet. Ajo ka pretenduar ndër të tjera edhe se leja për ndërtimin e kompleksit të ri parlamentar duhet të jepet nga KRRT-ja e Bashkisë Tiranë, gjë që nuk është bërë. Por ajo që vuri në dyshim serioz suksesin e kësaj padie, kishte të bënte me legjitimitetin e Bashkisë së Tiranës, për t’iu drejtuar gjykatës. Sipas ish-kryetarit të kësaj gjykate, Vladimir Kristo, kryetari i Bashkisë së Tiranës nuk mund të shmangë në këtë çështje KRRT-në, e cila sipas tij është organi që mund të pretendojë se i preken kompetencat. Ndërkohë që pala e paditur, Kuvendi i Shqipërisë, në mbrojtjen e vet ka argumentuar se akuza e ngritura nga Bashkia e Tiranës është e pavend sepse kryetari i saj ka marrë pjesë në mbledhjen e komisionit shtetëror të ngritur për këtë çështje, duke u shprehur dakord për konkursin. Sipas Lulëzim Lelçajt, Bashkia e Tiranës nuk mund të godasë një çështje që nuk ekziston, pasi të gjitha pretendimet e ngritura në këtë padi, sipas tij kanë si bazë një projektligj që disa deputetë kanë paraqitur për këtë çështje, por që nuk është bërë ende ligj. Në fund, gjykata mbylli shqyrtimin në seancë plenare dhe u tërhoq për të marrë vendim.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›