Meta: Rëndësi ka vetëm zbatimi i ligjit
Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, zhvilloi dje një bashkëbisedim me banorët e fshatit Kryevidh të Kavajës. Meta theksoi domosdoshmërinë e investimeve nga ana e qeverisë në dy sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë në vend, që është sektori i bujqësisë, dhe ai i turizmit. Ai tha se nuk mund të arrihen standarde evropiane dhe nuk mundet që Shqipëria të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian me këtë nivel të mjeruar në të cilën ndodhet bujqësia aktualisht. Sipas Metës, zhvillimi rural, siguria ushqimore, niveli i mbrojtjes së konsumatorëve, subvencionimi i fermerëve, janë problematika shumë të mëdha me të cilat përballet sot vendi. "Pavarësisht kontributit të sektorit bujqësor në Prodhimin e Përgjithshëm Kombëtar me mbi 22%, që e bën sektorin e dytë që kontribuon më shumë, sot ky sektor është një nga sektorët më të diskriminuar ku shpenzimet për bujqësinë nuk zënë më shumë se 2% të buxhetit të shtetit, ose 0.5% nga kontributi i saj në GDP, ndërkohë që kontributi është 10 herë më i madh", tha Meta.