Harta e re, numri i deputetëve në çdo qark
Fati i fituesit në zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të përcaktohet, së shumti, nga rezultatet e Shqipërisë së Mesme
TIRANË- Miratimi i kodit të ri zgjedhor i ka hapur rrugë tashmë realizimit të infrastrukturës së duhur për zgjedhjet e ardhshme, duke filluar që nga ngritja e strukturave që do të merren me administrimin e procesit, pajisja e qytetarëve me mjete të sigurta identifikimi, por edhe përcaktimi i hartës së re elektorale në të gjithë vendin. E ndërsa realizimi i dy çështjeve të para kërkon ende vullnet politik, pasi kanë të bëjnë me procese përzgjedhjeje dhe votimi në Kuvend, siç është rasti i formatimit të KQZ-së, por edhe mundësinë dhe kapacitetet administruese të qeverisë për të pajisur qytetarët me karta identiteti, çështja e tretë, ajo e përcaktimit të hartës së re elektorale, mbetet thjeshtë një procedurë formale për t’u zbatuar, pasi tashmë dihet se do të kemi 12 zona zgjedhore që do t’u korrespondojnë 12 qarqeve. Nga ana tjetër, një hap krejt formal do të jetë edhe shpërndarja e mandateve në çdo zonë apo qark, ku natyrisht për përcaktimin e tyre do të zbatohet një formulë matematikore e sanksionuar edhe në kodin e ri zgjedhor. Sipas kësaj formule, numri total i popullsisë, referuar të dhënave zyrtare të Ministrisë së Brendshme të dala gjatë hedhjes së të dhënave të regjistrave civilë në regjistrin elektronik të popullsisë, rezulton të jetë 4 milionë e 264 mijë dhe do të pjesëtohet me numrin 140 të deputetëve që do të zgjidhen në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Nga zbatimi i kësaj formule rezulton se do të kemi 1 deputet për çdo 30 mijë e 400 banorë. Duke iu referuar përsëri të dhënave të numrit të popullsisë për çdo qark, të publikuara po nga Ministria e Brendshme, kemi mundësi që të përcaktojmë edhe numrin e deputetëve për çdo zonë zgjedhore ose qark. Në këtë rast, do të pjestojmë numrin e popullsisë së dhënë për çdo qark me shifrën 30.4 mijë banorë, që është numri mesatar që duhet të përfaqësojë një mandat deputeti. Bazuar në formulën e përcaktuar në kod, fillimisht do të ndahen numrat e plotë të mandateve që do t’i përkojnë çdo zone zgjedhore dhe më pas do të plotësohen me mandate shtesë të gjitha ato qarqe që kanë presjen dhjetore më të madhe, derisa të plotësohet numri 140 i mandateve. Nga kjo del se Tirana do të jetë qarku që do të ketë dhe numrin më të madh të deputetëve, plot 32 të tillë, këtu përfshihen edhe bashkitë dhe komunat e Kavajës dhe Rrogozhinës. Pas saj, qarku që do të ketë numrin më të madh të deputetëve do të jetë ai i Fierit, ku, së bashku edhe me komunat dhe bashkinë e Lushnjës do të ketë 16 mandate deputetësh. Dhe menjëherë pas tij vjen Elbasani, me 14 mandate, Durrësi me 13, Korça me 12, Vlora me 12 dhe Shkodra me 11 mandate. Ndërsa qarqet e tjera, për shkak se kanë një numër më të vogël popullsie, do të kenë dhe një numër më të pakët përfaqësuesish në Kuvend. Kështu, qarku i Beratit, ku përfshihen komunat dhe bashkitë edhe të Kuçovës dhe Skraparit, do të ketë 8 deputetë, Lezha 7, Dibra 6, Gjirokastra 5 dhe Kukësi do të ketë vetëm 4 mandate në Kuvendin e ardhshëm. Megjithatë, krijimi i zonave zgjedhore dhe shpërndarja e mandateve nëpër to sipas formulës së përcaktuar në kod, pritet të bëhet në mënyrë zyrtare nëpërmjet një ligji të veçantë.
Tirana përfshin pothuajse një të katërtën e popullsisë dhe kjo reflektohet edhe në numrin e deputetëve. Me një popullsi prej 987.900 banorësh, kryeqyteti do të shpërndajë 32 mandate për deputet. Kjo do të bëjë që lufta zgjedhore në Tiranë të jetë vendimtare por edhe tepër e ashpër
Fieri është kthyer në metropolin e dytë në Shqipëri. Ai ka pothuajse gjysmën e popullsisë së kryeqytetit 485.200 banorë dhe kjo përkthehet në një numër prej 16 mandatesh për deputet. Kryesisht qyteti pritet që të jetë i majtë dhe lufta do përqendrohet në fshatra
Elbasan është rrethi i tretë në vend me një popullsi prej 419.100 banorësh. Kjo popullsi përkthehet në 13.78 ose më saktë 14 deputetë. Edhe ky qytet bën pjesë në zonën e Shqipërisë së Mesme, e cila pritet që të vendosë fatin e zgjedhjeve të ardhshme
Rrethi bregdetar i Durrësit është i katërti në listën e zonave elektorale. Me një popullsi të përgjithshme prej 397.300 banorësh që do të thotë se do të nxjerrë edhe 13 deputetë. Harta elektorale e Durrësit është tepër komplekse dhe ai mbetet sërish një qytet i rëndësishëm
Vlora renditet e pesta në listën e rrethe shqiptare për nga numri i popullsisë. Ajo do të nxjerrë 12 deputetë, të cilët do të kenë “përgjegjësi” për 370.400 njerëz. Zonat zgjedhore në Vlorë pritet që të kenë një ndarje pothuajse të barabartë mes të dyja forcave
Juglindja shqiptare do të përfaqësohet në parlament vetëm me rrethin e Korçës. Me një popullsi prej 355.800 banorësh Korça do të dërgojë në parlamentin shqiptar 12 deputetë, po aq sa Vlora. Në këtë zonë do të përfshihet një numër i madh qytezash të vogla
Veriu i vendit pritet që të ketë numrin më të madh të deputetëve nga Shkodra. 335.300 banorë do të nxjerrin 11 deputetë. Edhe pse me një sipërfaqe gjeografike shumë të madhe, rrethi i Shkodrës prodhon një të tretën e deputetëve të kryeqytetit
Rrethi i Beratit pritet që të ketë luftë, por jo mes dy forcave kryesore zgjedhore. Me 234.300 banorë, rrethi i Beratit dërgon në kuvend vetëm tetë deputetë. Numri i vogël i popullsisë ka kushtëzuar edhe numrin e deputetëve që do të dalin nga ky rreth
Lezha hyn në listën e qarqeve të vogla por që mund të kenë ndikim të madh në fatin e zgjedhjeve të ardhshme të vitit 2009. Me një popullsi prej 212.500 njerëzish, Lezha do të vendosë fatin e shtatë deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë
Qarku i Dibrës ka një sipërfaqe relativisht të madhe në krahasim ne kryeqytetin por ai do të prodhojë vetëm gjashtë deputetë. Kjo për faktin se popullsia e këtij qarku është vetëm 166500 banorë
Rrethi më i madh i Jugut të Shqipërisë ka pothuajse edhe numrin më të vogël të deputetëve. Me një popullsi prej 163.900 banorësh, Gjirokastra do të dërgojë në kuvend vetëm pesë deputetë. Mes tyre pritet që ta dalin edhe përfaqësuesit e PBDNJ-së
Qarku më “i vogël” në Shqipëri është Kukësi. Me një popullsi prej 115.000 banorësh, Kukësi do të dërgojë në kuvend vetëm katër deputetë. Kjo është edhe zona më e vogël zgjedhore
Totali: 4265000 votues, 140 deputetë
KZAZ, formula dhe nxjerrja e rezultatit
Komisionet e Zonave të Administrimit të Zgjedhjeve (KZAZ), të cilat do të jenë afërsisht 70, do të përbëhen nga 7 anëtarë, të zgjedhur sipas një formule ku, PS-ja dhe PD-ja do të kenë nga dy anëtarë. Anëtari i pestë do të propozohet nga partia e dytë e spektrit të djathtë dhe anëtari i gjashtë nga partia e dytë e spektrit të majtë. Ndërsa anëtari i shtatë do të zgjidhet në gjysmat e KZAZ-ve me propozim të partisë më të madhe të mazhorancës dhe në gjysmat e tjera me propozim të partisë më të madhe të opozitës. KZAZ-ja ka si kompetencë nxjerrjen e tabelës përmbledhëse të rezultatit të zgjedhjeve, kjo, jo më vonë se ora 17.00 e ditës së nesërme të votimit.
KQV-të, si ngrihen
Ashtu si edhe KZQZ-të, e njëjta formulë kompozimi do të ndiqet edhe për Komisionet e Qendrave të Votimit. Pra KQV-ja do të jetë e përbërë nga 7 anëtarë të zgjedhur sipas një formule ku, PS-ja dhe PD-ja do të kenë nga dy anëtarë. Anëtari i pestë do të propozohet nga partia e dytë e spektrit të djathtë dhe anëtari i gjashtë nga partia e dytë e spektrit të majtë. Ndërsa anëtari i shtatë do të zgjidhet në gjysmat e KQV-ve me propozim të partisë më të madhe të mazhorancës dhe në gjysmat e tjera me propozim të partisë më të madhe të opozitës.
Grupet e numërimit, përbërja
Grupet e numërimit do të përbëhen nga katër anëtarë, ku një do ta ketë PD-ja, një PS-ja dhe nga një anëtar do të ketë njëra nga partitë vogla të secilit spektër, të përcaktuar me short. Më konkretisht, partitë politike që kanë të drejtë të propozojnë anëtarin e tretë dhe të katërt të GNV-ve, përveç partive që propozojnë kryetarin dhe nënkryetarin e KZQZ-së, përcaktohen pas hedhjes së shortit në KQZ, nëpërmjet listës së partive politike të shumicës parlamentare dhe të listës së partive të opozitës parlamentare, të regjistruara në zgjedhje dhe që kanë fituar jo më pak se dy deputetë në zgjedhjet pararendëse. Numri i grupeve të numërimit do të jetë në varësi të numrit të zgjedhësve në një qendër votimi.