Rama: Unë kryeministër? Vendosin zgjedhësit
Kryesocialisti, Edi Rama flet për bashkëpunimin me aleatët dhe qëndrimin për reformat
TIRANË- Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama ka lënë çdo gjë të hapur sa i takon zgjedhjes së tij si kryeministër, në rast fitoreje të PS-së në zgjedhjet e 2009-ës.
I ftuar dje në emisionin "5 pyetje nga Babaramo", kryesocialisti, i pyetur nëse do të linte ose jo postin e kryetarit të Bashkisë për atë të Kryeministrit, u përgjigj se, "në raport me qytetarët e Tiranës kam një marrëveshje të nënshkruar më 18 shkurt, për të realizuar një sërë angazhimesh për transformimin e kryeqytetit dhe realizimin e atij misioni që ndërmora në fillim të mandatit të parë. Se në çfarë pozicioni do ta kryej unë këtë, është gjë tjetër dhe që s'mund të diskutohet sot". Megjithatë, përpara se të vendos për një gjë të tillë, Rama ka siguruar se më parë do të konsultohet me zgjedhësit dhe anëtarët e partisë. "Dua të garantoj se në çdo pozicion që do të jem, unë do realizoj angazhimet e mia dhe çdo gjë do ta bëj me një konsultim të gjerë me zgjedhësit",- u shpreh kryesocialisti. Ndërkohë që sa i përket bashkëpunimit elektoral të partive opozitare, kreu i selisë rozë ka konfirmuar vullnetin për të krijuar një koalicion, që do të dalë jashtë kufijve të pesë partive të sotme opozitare. Megjithatë edhe në këtë drejtim ai ka bërë të qartë se çdo gjë, sa i përket këtij bashkëpunimi, do të varet edhe nga sistemi zgjedhor që do të përzgjidhet për t'u aplikuar në zgjedhjet e ardhshme. "Se si do hyhet në fushatë, kjo ka të bëjë me sistemin dhe formulën që do të gjejmë për zgjedhje. Një sistem proporcional mund të kërkojë që të jemi në një koalicion, ndërsa një sistem tjetër mund të kërkojë secilën parti të garojë më vete. Megjithatë, në rast se do të duhet bashkëpunim, ajo që do të realizojmë në vitin 2009 do të jetë një aleancë përtej kufijve të opozitës së sotme",- tha Rama. Duke folur pikërisht për reformën zgjedhore, kryesocialisti ka bërë të qartë se ajo që duhet të arrihet në këtë drejtim, është eliminimi i të gjithë atyre elementëve që gjatë zgjedhjeve të mëparshme kanë sjellë deformim të vullnetit të votuesve dhe kanë mundësuar manipulimin. Sipas tij, i duhet thënë "jo" zgjedhjeve pa karta identiteti të sigurta, pa lista që burojnë nga Regjistri Themeltar i Shtetasve, jo votimit me dy fletë dhe jo zgjedhjeve me lista të nënrenditura, pra të hapura. Përsa i përket pragut elektoral, kreu socialist është shprehur i gatshëm që të diskutojë çdo propozim që synon një prag nga 2.5 për qind e lart. Duke konfirmuar edhe një herë vullnetin e shprehur edhe në Projektrezolutën që PS ka paraqitur në Kuvend, Rama ka theksuar gatishmërinë për të realizuar edhe reformën në drejtësi, por pa dhënë detaje se ku duhet të konstatojë ajo.
Nënkryetari i grupit të PS-së shprehet se Berisha po favorizon në mënyrë të paligjshme një kompani
Kartat, Braçe: Procedurat për tenderin, jotransparente
TIRANË- Socialistët denoncojnë si jotransparente procedurat e ndjekura nga qeveria për përgatitjen e tenderit për prodhimin e kartave të identitetit dhe pasaportave biometrike. Nënkryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Erion Braçe ka akuzuar dje drejtpërsëdrejti kryeministrin, Sali Berisha, se po favorizon në mënyrë të paligjshme një kompani, e cila ka përcaktuar dhe specifikat e tenderit për prodhimin e këtyre dokumenteve. Sipas tij, këto specifikime teknike po largojnë një pjesë të madhe të konkurrentëve nga gara, pra, janë hartuar të tilla, për të nxjerrë fitues një kompani, tek e cila qeveria e kryeministrit Berisha është kliente. "Qeveria, përmes kësaj procedure, po mundohet që të shmangë konkurrencën nga tenderi për përzgjedhjen e kompanisë që do të marrë me koncesion prodhimin dhe shpërndarjen e kartave të identitetit dhe pasaportave biometrike. Në të gjithë këtë proces mungon transparenca",- u shpreh Braçe, duke theksuar faktin se, qeveria ka nisur procedurat për termat e referencës së tenderit që në vitin 2006 dhe sot, që jemi në janar të vitit 2008, tenderi nuk është zhvilluar ende. Madje, sipas Braçes, as në datën 16 janar ai nuk do të zhvillohet dhe shkak për këtë do të bëhet mungesa e transparencës dhe implikimi i qeverisë në raporte të drejtpërdrejta vetëm me një kompani pjesëmarrëse në tender, ku mjaft kompani të tjera kanë kërkuar nga qeveria ndryshimin e specifikimeve teknike të tenderit. "Do të jetë turp dhe krim që qeveria ta përdori këtë proces për të dështuar edhe njëherë tjetër një palë zgjedhje, zgjedhjet e vitit 2009",- tha Braçe.