E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reformat, Rama letër partive parlamentare

Kreu i PS-së u nisi një letër partive parlamentare, ku kërkon mirëkuptim dhe angazhim pa kushte, për një politike favorizuese për në NATO
TIRANË- Partia Socialiste ka hedhur një tjetër hap konkret në kërkim të një konsensusi mbarëpolitik për realizimin e reformës zgjedhore dhe atë në drejtësi, si kusht për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Pas deklaratës së një dite më parë, dje selia rozë ka kërkuar mbështetjen e partive të tjera parlamentare, të majta dhe të djathta, për hartimin dhe më pas miratimin e këtyre dy reformave, që Shqipërisë i janë vënë si kusht për marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO, gjatë Samitit të Bukureshtit, që do të mbahet në muajin Prill. Për këtë arsye, kryetari i PS-së, Edi Rama u ka nisur dje një letër të gjithë homologëve të tij të partive parlamentare, ku u kërkon atyre mirëkuptim dhe angazhim pa kushte, për të bërë të mundur krijimin e një klime politike që do të favorizonte këtë anëtarësim.
Letra
Duke e konsideruar këtë çështje si të një rëndësie historike për vendin, shefi i selisë rozë i kërkon krerëve të partive të tjera parlamentare, që të bashkëpunojnë dhe të miratojnë Projektrezolutën me angazhimet konkrete të politikës për tre muajt në vazhdim. "Më lejoni të ndaj me Ju tekstin e parimeve e të angazhimeve të plota të Partisë Socialiste të Shqipërisë, në lidhje me anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, si dhe në të njëjtën kohë të kërkoj mbështetjen Tuaj dhe të partisë që Ju drejtoni, për miratimin e Projekt-Rezolutës së mbështetur mbi këto angazhime e parime, të cilën grupi parlamentar i Partisë Socialiste do t'ia parashtrojë për miratim Kuvendit të Shqipërisë si shprehje të vullnetit të mirë të të gjitha partive tona parlamentare, për të përmbushur detyrimet e përbashkëta në prag të Samitit të Bukureshtit",- shprehet Rama në letrën e tij.
Bashkëpunimi
Për ta kthyer këtë nisëm në një realitet që do të ndihmonte Shqipërinë që të bëhej anëtare e NATO-s, socialistët shprehen të gatshëm që të pranojnë edhe sugjerimet e partive të tjera politike ndaj projektrezolutës së paraqitur. Në letrën e tij, kryesocialisti Edi Rama shprehet se, PS mbetet e hapur për të diskutuar çdo propozim që do të vinte nga partitë e tjera parlamentare, në rast se ato do t'i shërbenin qëllimit të përsosjes dhe miratimit të këtyre dy reformave në një kohë sa më të shkurtër. "Duke shpresuar në kontributin tuaj për përsosjen e tekstit bashkëlidhur dhe duke shprehur bindjen se ndajmë së bashku shqetësimin për domosdoshmërinë e një përpjekjeje të përbashkët e intensive në këtë vigjilje kaq të rëndësishme për Shqipërinë e shqiptarët, siç është kjo që na ndan nga Samiti i Bukureshtit, me lejoni t'Ju falënderoj paraprakisht për mirëkuptimin",- vijon Rama letrën e tij. Pavarësisht këtij angazhimi, i cili duket se ka sensibilizuar të gjithë klasën politike shqiptare, ende mungojnë propozimet konkrete për reformat, dhe sidomos për atë në sistemin e drejtësisë.
 
Projektrezoluta, realizimi i reformave, qëllimi kryesor
TIRANË- Grupi parlamentar i Partisë Socialiste paraqet për miratim në Kuvend, Projektrezolutën për përmbushjen përmes veprimit parlamentar të të gjitha detyrimeve që i lindin politikës shqiptare për anëtarësimin e vendit në strukturat Euroatlantike. Kur kanë mbetur më pak se tre muaj nga mbajtja e Samitit të NATO-s në Bukuresht, deputetët socialistë kërkojnë angazhim edhe të gjithë kolegëve të tyre, për miratimin sa më parë të reformës në sistemin e drejtësisë dhe atë zgjedhore. Në 9 pika që përmban Projektrezoluta në fjalë, theksohet se ftesa për anëtarësim në NATO kërkon angazhimin e pandërprerë të të gjitha forcave politike parlamentare dhe se ajo mund të vijë vetëm në bazë të rezultateve konkrete në fushën e lirive e të drejtave demokratike, ku Shqipëria duhet të realizojë standardet e familjes Euro-Atlantike. Gjithashtu, në të shprehet bindja për nevojën e kapërcimit të periudhës së konfliktualitetit të vazhdueshëm politik dhe të afirmimit të vullnetit të mirë, për të krijuar një klimë besimi e bashkëpunimi mes forcave politike parlamentare për të gjitha reformat e nismat ligjore, që në bazë të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë kërkojnë angazhim bipartizan. "Jemi të ndërgjegjshëm për vështirësinë e kësaj sfide të përbashkët, në kushtet kur vendi ka ende shumë për të bërë në rrugën e ndërtimit të një demokracie funksionale e të një sistemi politik të bazuar në ekonominë e tregut dhe kur nga ana e familjes Euro-Atlantike na kërkohet thellimi i reformave, duke nisur nga reforma zgjedhore dhe ajo e drejtësisë, si dy hapa kuptimplotë drejt realizimit të standardeve",- theksohet në një nga pikat e kësaj projektrezolute. Përveç angazhimit për realizimin e këtyre dy reformave, draft-rezoluta e paraqitur thekson dhe mbështetjen e politikës për Forcat e Armatosura Shqiptare. "Vlerësojmë arritjet e deritanishme dhe u shprehim solidaritet e mbështetje të plotë Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, si dhe inkurajojmë të gjithë ushtarakët që të angazhohen pa rezerva, për të përmbushur në çdo detaj detyrimet e procesit integrues në NATO", - shprehen socialistët në Projektrezolutën e tyre.
Projektrezoluta
Jemi të vendosur në rrugën e natyrshme të Shqipërisë për t'iu bashkuar familjes Euro-Atlantike.
Jemi të vetëdijshëm se ftesa e shumëpritur për anëtarësim në NATO kërkon angazhimin e
pandërprerë të të gjitha forcave politike.
Jemi të ndërgjegjshëm për vështirësinë e kësaj sfide të përbashkët, në kushtet kur na kërkohet thellimi i reformave, duke nisur nga reforma zgjedhore dhe ajo e drejtësisë.
Jemi të bindur për domosdoshmërinë e kapërcimit të një periudhe historike konfliktualiteti të vazhdueshëm politik dhe të afirmimit të vullnetit të mirë. për të krijuar një klimë besimi e bashkëpunimi mes forcave politike.
Angazhohemi me të gjitha kapacitetet tona për të ndihmuar në realizimin e reformës në
Drejtësi. si dhe të reformës zgjedhore.
Vlerësojmë arritjet e deritanishme dhe u shprehim solidaritet e mbështetje të plotë Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.
Shprehemi të gatshëm të mbështesim çdo nismë që përshpejton hapat integrues në NATO.
Inkurajojmë të gjithë ushtarakët, që të angazhohen pa rezerva, për të përmbushur në çdo detaj detyrimet e procesit integrues në NATO.

Rezoluta e PS, mblidhet Komisioni i Jashtëm
 
TIRANË- Mazhoranca duket se ka vendosur të japë mirëkuptimin e saj, për Projektrezolutën që grupi parlamentar i Partisë Socialiste do të paraqesë për reformat dhe integrimin e Shqipërisë në NATO. Një ditë pasi paraqitja e kësaj Projektrezolute u bë e ditur nga kryetari i PS-së, Edi Rama, të djathtët e kanë mirëpritur atë. Edhe Konferenca e Kryetarëve, e cila është mbledhur dje pikërisht për të vendosur për procedimin me reformat, ka diskutuar mbi këtë projektrezolutë. Pas diskutimit, krerët e grupeve parlamentare kanë rënë dakord që, menjëherë sapo projektrezoluta të depozitohet në Kuvendin e Shqipërisë nga grupi i PS-së, do të mblidhet Komisioni parlamentar i Jashtëm për ta diskutuar dhe kaluar më pas për t’u miratuar në Parlament. Vetë kreu i PS-së e argumentoi paraqitjen e kësaj rezolute në Kuvend, me detyrimin që kanë socialistët ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve, angazhimin maksimal për të mos lejuar që vendi ynë të humbasë një shans historik, anëtarësimin në NATO. Pikërisht për këtë qëllim grupi parlamentar i PS-së do t’i parashtrojë Kuvendit të Shqipërisë projektrezolutën, duke u bërë thirrje të gjitha forcave politike parlamentare që ta miratojnë atë, si një akt vetëdijeje e angazhimi, për të përmbushur përmes veprimit parlamentar të gjitha detyrimet e përbashkëta për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO.
LSI: "Ok" Rezolutës së PS-së
TIRANË- Lëvizja Socialiste për Integrim shpreh vlerësimet paraprake për iniciativat e fundit për të shprehur sa më shpejt vullnetin politik me qëllim konkretizimin e asaj axhende reformash, në mënyrë që vendi të kryejë një progres bindës deri në fillim të muajit Mars drejt integrimit Euroatlantik. Kreu i LSI-së, Ilir Meta e konsideron këtë si një domosdoshmëri për të fituar besimin e partnerëve ndërkombëtarë dhe për të merituar ftesën për anëtarësim në NATO, në Samitin e Bukureshtit. Me këtë rast Meta kërkon që edhe Kryetarja e Parlamentit të konkretizojë angazhimin e saj dhe, mundësisht, të mbledhë sa më parë Parlamentin, pasi realizimi i reformave me konsensus të gjerë do të mund të përmirësojë dukshëm imazhin e vendit tonë tek partnerët ndërkombëtarë, për të hedhur hapa të sigurt drejt anëtarësimit në NATO dhe afrimit të mëtejshëm drejt BE-së. "Besoj se jemi në kufijtë kritikë të kohës, gjë që na imponon edhe një angazhim emergjent, që do të thotë jo vetëm një shprehje të vullnetit politik nga ana e Parlamentit, përmes miratimit të një rezolute, por në veçanti miratimin nga Parlamenti, mundësisht që nesër, të një plani veprimi për konkretizimin e këtyre dy reformave të rëndësishme për vendin dhe për politikën tonë",- u shpreh ai. Meta, në emër të LSI-së, është shprehur i gatshëm që të mbështesë Projektrezolutën e paraqitur nga PS për këtë çështje. Ndërkohë që Partia Aleanca Demokratike, e kryesuar nga Neritan Ceka, ka bërë të qartë se reformat e mëdha nuk mund të jenë monopol i dy partive të mëdha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›