E Shtunë, 31 Tetor 2026

Inflacioni: INSTAT kënaq qeverinë dhe BSH-në

Rritja e çmimeve në muajin dhjetor, sipas INSTAT, është më e ulët se në muajt paraardhës
Për vitin e ri inflacioni 3.1%, realizohet shënjestra e BSH-së për mbajtjen nën kontroll të çmimeve
"Nga simulimet që kemi bërë, rezultoi që nëse peshën e "ushqimeve" do e pakësonim nga 42.6 në 33%, pra nëse supozojmë se 1/3 e shpenzimeve shkon për ushqim, supozim i cili nga sa thuhet më lart duket i arsyeshëm, atëherë inflacioni për gushtin e shtatorin do ishte përkatësisht 3.4 e 3.7%",- bën të ditur Ministria e Financave.
Në muajin dhjetor, jo vetëm që nuk ka pasur rritje të nivelit të përgjithshëm të çmimeve, por sipas rezultatit që ka nxjerrë INSTAT, muaji dhjetor është shembulli që duhet të ruhet për inflacionin. Një rezultat i tillë del nëse i referohemi shifrës së inflacionit të nxjerrë nga INSTAT për muajin dhjetor dhe objektivit të Bankës së Shqipërisë. Inflacioni i nxjerrë nga ana e INSTAT për dhjetorin ishte 3.1% ndërsa objektivi shënjestër i BSH-së është 3%. Shënjestër më të mirë nuk mund që të ketë, megjithëse është tepër e vështirë që të besohet një rezultat i tillë, kur çmimet në tregje janë rritur çdo ditë gjatë muajit të festave. Tashmë tregtarët, sipas llogarive, duhet që të ndjekin shembullin e muajit dhjetor, se me këtë nivel çmimesh të gjithë janë të kënaqur: konsumatorët, shitësit, Banka e Shqipërisë, por edhe Qeveria.
Niveli i çmimeve
Raporti i Institutit të Statistikave ka nxjerrë për muajin dhjetor të vitit 2007 një ndryshim të përgjithshëm të nivelit të çmimeve me 3.1 për qind. Një vit më parë, sipas INSTAT, ky ndryshim ishte 2.5 për qind. Sipas raportit të INSTAT, indeksi i grupit "Ushqime dhe pije joalkoolike" shënoi një rritje prej 2.9 për qind. Brenda këtij grupi, rritja më e madhe prej 11.1 për qind vërehet në nëngrupin "Zarzavate përfshirë patatet". "Këtu mund të përmendim rritjet e çmimeve të kastravecave dhe patëllxhaneve me mbi 50 për qind, specave, me 47.9 për qind, spinaqit, me 31.5 për qind, ullinjve, me 8.6 për qind, fasules, me 3.5 për qind, etj. Çmimet e disa zarzavateve të tjera shënuan ulje gjatë këtij muaji, ku mund të përmendim uljet e çmimeve të karotave, me 6.4 për qind, lule-lakrës me 6.0 për qind, domateve me 2.5 për qind, lakrave me 1.7 për qind etj. Indeksi i nëngrupit "Fruta" shënoi një rritje prej 10.8 për qind, ku mund të përmendim rritjet e çmimit të mollëve, me 3.1 për qind, dardhave me 3.4 për qind, limonëve me 1.8 për qind, kivit me 1.7 për qind, mandarinave me 1.2 për qind, etj.",- bëhet e ditur në raportin e INSTAT.
Inflacioni, ndryshimi i matjes
INSTAT ka ndryshuar metodikën e llogaritjes së inflacionit, që tashmë ka një shportë të re mallrash dhe një indeks po të ndryshuar krahasueshmërie. Në shportën e re të mallrave që po përdoret që nga muaji dhjetor për të llogaritur inflacionin, ka një ulje të ndjeshme të peshës specifike të mallrave ushqimore dhe gjithashtu të grupit "Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji". Edhe për grupin e mallrave "Hotele, kafene e restorante" ka një përgjysmim të peshës që ato zinin në shportë. Këto janë edhe mallrat që kanë sjellë edhe inflacionin në 6-mujorin e dytë të vitit 2007. Një ide e ndryshimit të peshave të mallrave që do të llogariten në shportën e re, kjo në favor të mallrave të quajtura si luks, është edhe zgjidhja për të dalë realisht në letër nga normat e larta të inflacionit.
Më pak para për ushqim
Shqiptarët e vitit 2008, sipas INSTAT shpenzojnë më pak për ushqim dhe më shumë për veshje, argëtim, komunikim, shërbim shëndetësor, etj. Ulje e shpenzimeve për grupin "Ushqime, pije dhe duhan" është me 3.6%. Nga 42.6% që është shporta e shpenzimeve për mallrat ushqimore, që prej 2001 shkon në 39.0% në këtë muaj. Ndryshimi i shportës së mallrave të konsumit në indeksin e çmimeve është deklaruar se do ndryshohej që gjatë diskutimit të buxhetit, ku Ministria e Financave ka bërë të ditur se nëse do të kishim këtë shportë të re, edhe në muajt e mëparshëm, nuk do kishim inflacion jashtë targeteve.
Qiraja, karburantet dhe energjia
Në këtë kategori, rënia e peshës së shportës është me 8%. Kështu, sipas INSTAT shporta e re që do të llogaritet do të ketë vetëm 16.4% të shpenzimeve për qira, ujë, karburante dhe energji elektrike. Ulje të peshës specifike në llogaritjen e inflacionit, do të ketë edhe për kategorinë kafene dhe shpenzime hotelerie.
 
FMN i kërkoi Kuvendit kontroll mbi INSTAT
Instituti i Statistikave është një institucion që është në varësi të drejtpërdrejtë të qeverisë dhe për këtë arsye Fondi Monetar Ndërkombëtar kërkoi vetëm pak javë më parë, që Komisioni Parlamentar i Ekonomisë të marrë pjesë në monitorimin e INSTAT. Kërkesa e FMN-së ishte vetëm pak ditë më parë se të hynte në fuqi metodika e re e matjes së inflacionit, që për çudinë e shumë specialistëve të kësaj fushe u fut pikërisht në muajin dhjetor 2007, kur ishte edhe presioni më i madh për rritjen e çmimeve. Banka e Shqipërisë rriti dy herë radhazi normën bazë të interesit për të ruajtur nivelin e inflacionit, që për disa muaj radhazi në 6-mujorin e dytë të vitit kaloi nivelin prej 4%, që ishte edhe kufiri i sipërm i vendosur nga Autoriteti Qendror Monetar. Norma e inflacionit është një nga treguesit kryesorë që tregon shëndetin e një ekonomie, ndërsa është një element i rëndësishëm në të gjithë raportet që nxjerrin për Shqipërinë institucionet e ndryshme Financiare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›