E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reforma në drejtësi, Kuvendi fillon punën

Konferenca e Kryetarëve i hap rrugë fillimit të punës për reformën në drejtësi. Nesër mblidhet Komisioni i Ligjeve
TIRANË- Partitë politike duket se kanë gjetur gjuhën e përbashkët për reformën në drejtësi dhe nisjen menjëherë nga puna për kryerjen e saj. Një ditë pasi kreu i PS-së, Edi Rama u shpreh i gatshëm për të dhënë konsensusin për reformat, sidomos për ato që kushtëzojnë anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, dhe kjo gatishmëri u mirëprit nga kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, partitë kanë gjetur mirëkuptimin mes tyre për nisjen e shqyrtimit të projektligjeve që kanë të bëjnë me reformën në drejtësi. E mbledhur në ambientet e Kryesisë së Kuvendit, Konferenca e Kryetarëve ka vendosur dje nisjen e menjëhershme të diskutimit në Komisionin parlamentar të Ligjeve të disa nismave ligjore që kanë të bëjnë me reformën në drejtësi, çka do të thotë se, Komisioni i posaçëm për Reformën në Drejtësi nuk do të ngrihet, ashtu siç ishte lënë paraprakisht në tryezën me Presidentin e Republikës. Konkretisht, ditën e nesërme, në orën 10.00 të paradites, Komisioni i Ligjeve do të diskutojë projektligjin "Për organizimin e pushtetit gjyqësor", i cili ka disa muaj që është depozituar në Kuvend, si dhe disa projektligje të tjera që kanë të bëjnë me shtesa dhe ndryshime në Kodin Penal. Gjithashtu, Konferenca e Kryetarëve vendosi që Komisioni i Politikës së Jashtme të mblidhet menjëherë sapo grupi parlamentar i PS-së të depozitojë Projekt-Rezolutën lidhur me anëtarësimin e Shqipërisë në NATO.
PS
Pas përfundimit të Konferencës, kryetarja e grupit parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj ka deklaruar se, reformat për integrimin e vendit nuk mund dhe nuk duhet të jenë spontane. Ndërsa ka informuar mbi vendimet e Konferencës, Valentina Leskaj ka kërkuar që shumica parlamentare të paraqesë nga ana e saj një paketë për reformat, e cila duhet të jetë objekt i diskutimit dhe konsensusit mes palëve, duke qenë se vetë grupi i ekspertëve në PS-së është duke punuar për të paraqitur opsionet përkatëse për reformat, sidomos për atë në drejtësi. "Reforma në drejtësi është shumë komplekse, ndaj i kemi kërkuar mazhorancës që të paraqesë një program dhe disa modalitete përsa i përket reformës në drejtësi",- u shpreh Leskaj, duke theksuar se angazhimi i PS-së për të marrë pjesë në Komisionin e Ligjeve është pjesë e qëndrimeve që ajo ka shprehur për reformën në drejtësi, e cila së bashku me atë zgjedhore, kushtëzojnë marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO.
PD
Nga ana e tij, kreu i grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi tha se mazhoranca ka një projekt të plotë për reformën në drejtësi, por duke mos dhënë detaje mbi përmbajtjen e kësaj pakete. Gjithsesi, sipas Patozit, "mazhoranca do të operojë në bashkëpunim të ngushtë me të gjithë aktorët politikë, që reforma në drejtësi të implementohet sa më shpejt dhe se vendimet e marra dje nga Konferenca e Kryetarëve, përbëjnë një hap pozitiv në konkretizimin e angazhimeve të përbashkëta".
Vendimet e Konferencës
Të enjten, në orën 10, të mblidhet Komisioni i Ligjeve dhe të nisë puna me ligjet që kanë të bëjnë me reformën në drejtësi. Puna e Komisionit do të fillojë me shqyrtimin e projektligjeve për disa shtesa dhe ndryshime në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë dhe projektligjin "Për organizimin e pushtetit gjyqësor".
Të mblidhet Komisioni i Politikës së Jashtme menjëherë sapo grupi parlamentar i PS-së të depozitojë Projekt-Rezolutën lidhur me anëtarësimin e Shqipërisë në NATO.
Të mblidhet Komisioni i Veprimtarive Prodhuese, për të shqyrtuar Projektligjin "Për Ushqimin" si dhe Komisioni i Medias, për Projektligjin "Për disa shtesa e ndryshime në Ligjin Nr.7895, datë 27.01.1995, "Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë", të ndryshuar". 
Dy krerët e grupeve parlamentare, PD e PS, zhvilluan takim para Konferencës
Realizimi i reformave, PD e PS takim jozyrtar
TIRANË- Reformat që duhet të kryejnë autoritetet shqiptare këto muaj të parë të vitit 2008, të cilat do të ndikojnë drejtpërsëdrejti në marrjen e ftesës së Shqipërisë për anëtarësimin në NATO, kanë bërë që dy partitë e mëdha të ulin tonet dhe qëndrimet e tyre dhe të zhvillojnë një takim informal në Kryesinë e Kuvendit. Para mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve, përfaqësuesit e Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste janë takuar mes tyre dhe kanë diskutuar paraprakisht mbi atë se çfarë do të vendosej në Konferencë, reformat për të cilat duhet të nisnin puna nga komisionet parlamentare, si dhe projektligjet konkrete që duhet të shqyrtoheshin në to. Kryetarja e grupit parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj, nënkryetari i Komisionit parlamentar të Ligjeve, Fatmir Xhafa, kreu i grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi dhe kryetari i Komisionit të Ligjeve, Fatos Beja, kanë zhvilluar dje takimin jozyrtar para zhvillimit të Konferencës, ku kanë qartësuar paraprakisht mënyrën se si do të procedohet me zhvillimin e reformës në drejtësi, si dhe me Rezolutën që do të paraqesë grupi parlamentar i Partisë Socialiste për integrimin e Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut, vetëm pak muaj nga Samiti i Bukureshtit, ku vendi ynë shpreson të marrë ftesën e anëtarësimit. Pas këtij takimi, palët janë zhvendosur për në Konferencën e Kryetarëve, ku është komunikuar për kryetarët e grupeve të tjera parlamentare, mënyra se si do të procedohet për kryerjen e reformës në drejtësi dhe modalitetet e saj. Takime të tilla jozyrtare mes përfaqësuesve të dy partive të mëdha politike në vend, nuk mund të konsiderohen si të jashtëzakonshme apo surprizë, pasi në situata të ndryshme politike, ku patjetër kërkohet gjetja e mirëkuptimit për zgjidhjen e tyre, të mëdhenjtë detyrohen të negociojnë mes tyre dhe të arrijnë në një pikë të përbashkët. Kështu ka ndodhur në të shkuarën, ku mjaft marrëveshje politike, siç kanë qenë ato për reformën zgjedhore, përfshirë këtu edhe ndryshimet që janë bërë në përbërjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, janë arritur pas negociatave informale që janë zhvilluar mes socialistëve dhe demokratët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›