Rama: Verbëria antiurbane e Berishës krijoi Shqipërinë e batërdisur nga ndërtimet pa leje
Kreu i PS-së ka reaguar në Tuiter për deklaratat e kryeministrit në hapje të konkursit për projektin më të mirë për zgjatimin e bulevardit Zogu i Parë.
Përmes një mesazhi të shpërndarë në Tuiter, Rama shprehet se verbëria antiurbane e kryeministrit krijoi Shqipërinë e batërdisur nga ndërtimet pa leje.
Zgjedhja është e qartë: Një Rilindje Shqiptare ose rrënim i mëtejshëm, thotë Rama, ndërsa shton se Aq sa ka shans që një ministër të fitojë në Voice of Albania, po aq shanse ka që ta dëgjosh KM të thotë ndonjë gjë me kuptim për urbanistikën.
Zgjerimi i bulevardit, Berisha: Një fillim premtues për Tiranën metropol europian
Bashkia e Tiranës ka çelur sot konkursin për zgjedhjen e studios që do të realizojë projektin e zgjerimit të bulevardit Zogu i Parë. Në garë janë shtatë studio ndërkombëtare.
Në hapje të konkursit, gjatë të cilit do të prezantohen maketet e shtatë studiove pjesëmarrëse, ishte i pranishëm edhe kryeministri Berisha, i cili e cilësoi projektin si një fillim premtues për ta shdërruar Tiranën në një metropol europian, një sipërmarrje kjo që ka munguar gjatë 3 mandateve të Ramës në krye të Bashkisë së Tiranës.
Paraardhësi yt ishte një piktor i dështuar, – iu drejtua ai Bashës. – Por ai nuk kuptonte se njerëzit nuk kanë nevojë vetëm të shohin, por edhe të ecin. Kjo është urbanistika. Le ta konsiderojmë një fillim të madh premtues për Tiranën metropol europian. Vjen në lëndim tek unë sa herë që lexoj shkrime të turistëve që thonë se në këtë qytet nuk ka shumë gjëra për të parë. Ne duhet të bëjmë gjithçka që të huajt të gjenë sa më shumë gjëra për tu vlerësuar në këtë qytet, tha Berisha. / G.N.