Rama: “Vetëm pak orë na ndajnë nga ndryshimi, PS, fitore të padiskutueshme”
Shaban Sulçe
Partia Socialiste ka zhvilluar mitingun përmbyllës të fushatës elektorale me një takim madhështor të zhvilluar përpara selisë së Kryeministrisë. Mijëra të pranishëm morën pjesë në këtë takim, ku përballë skenës, të cilën gjatë paradites së djeshme tentuan ta hiqnin forcat e policisë, ishte kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama së bashku me ekipin e kandidatëve të PS-së për deputetë në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Gjatë fjalës së tij, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, theksoi se që nga momenti i këtij takimi, Shqipërinë e ndanin vetëm 36 orë nga ndryshimi i madh dhe nga fillimi i një kapitulli të ri historik për të ardhmen e saj. Rama tha se vota për Partinë Socialiste më 28 qershor është një votë për një sistem më të mirë arsimor, për një sistem më të mirë shëndetësor, është votë për liberalizimin e vizave, është votë për punësimin dhe mirëqenien e shqiptarëve. Kryesocialisti Edi Rama theksoi se tashmë po vjen koha që kryeplaku i politikës së vjetër, Sali Berisha, të largohet nga politika, ndërkohë që ai tha se Partia Socialiste do të arrijë një fitore të padiskutueshme në zgjedhjet e 28 qershorit.
Ndryshimi
36 orë nga zhvillimi i zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit, kryetari i Partisë Socialiste ftoi të gjithë shqiptarët që t’u drejtohen kutive të votimit dhe me votën e tyre të bëjnë historinë. Rama tha se shqiptarët nuk do të votojnë për të ndërruar një qeveri me një tjetër, por për të ndërruar faqen e historisë. “36 orë nga sot, ne do të kemi shansin të ecim drejt kutisë së fshehtë, për të bërë histori. 36 orë nga sot, ne do të kemi jo mundësinë e radhës për të votuar në zgjedhjet e radhës, por mundësinë për ta bërë votën tonë fuqi të një ndryshimi historik. 36 orë nga sot, ne do të kemi në dorë jo një votë për të ndërruar një qeveri me një tjetër, por të drejtën për të ndërruar faqen e historisë me votën tone”, - tha Rama. Kreu i PS-së theksoi se beteja e 28 qershorit nuk është një betejë midis shqiptarëve të majtë dhe atyre të djathtë, por është beteja e Shqipërisë me varfërinë. “Kjo është beteja e Shqipërisë me papunësinë, që ka paralizuar qindra e mijëra njerëz të thjeshtë, të majtë dhe të djathtë”, - vijoi Rama.
Fitorja
Rama shprehu bindjen dhe optimizmin se Partia Socialiste do të fitojë më 28 qershor në radhë të parë që të mos humbasë Shqipëria dhe të mos humbasin qytetarët. “Ne do ta fitojmë këtë betejë që të mos humbasin më ata që kanë humbur gjithmonë edhe kur kanë fituar, qytetarët, dhe të mos fitojnë më ata që kanë fituar gjithmonë edhe kur kanë humbur, pushtetarët. Ne duhet të arrijmë larg, duke provuar në këto orë se jemi gati të nisemi të gjithë së bashku, më të shumtë dhe të vendosur se asnjëherë tjetër, drejt kutisë së votimit, për të nxjerrë politikën nga kutia e televizorit, ku një grusht politikanësh kanë 18 vjet që na japin të njëjtën shfaqje të lodhshme e të mërzitshme dhe për ta kthyer atë në një mjet ndryshimi kudo në hapësirën e atdheut tonë. Këto janë orët për ta marrë politikën në dorë dhe për ta bërë atë fuqi të një ndryshimi historik, duke provuar të gjithë bashkë këtu, në vendin tonë, si një popull i vetëm, atë që motrat e vëllezërit tuaj emigrantë, ndër ta edhe im vëlla, e kanë provuar në Greqi, Itali, Amerikë e kudo. Sepse ne shqiptarët nuk jemi as më pak të zgjuar, as më pak të vullnetshëm, as më pak të gatshëm, për të bërë sakrifica se çfarë janë fqinjët tanë apo të tjerët në botën e lirë ku duam të integrohemi. Së shpejti, Shqipëria, së cilës Zoti i ka falur gjithçka për të qenë e begatë, nuk ka pse të mos jetë bashkë me të tjerët në Bashkimin Europian. Mes nesh dhe së ardhmes qëndron kryeplaku i politikës së vjetër, Sali Berisha, dhe një soj i vjetër oborrtarësh të pushtetit të familjes së tij, që i dhanë kësaj fushate agresivitetin primitiv të atyre që pushtetin e humbur në zemrat e njerëzve. Duan ta mbajnë duke u futur njerëzve frikën në zemër. Këto janë orët për të mbyllur në librin e historisë Sali Berishën dhe për t’i dhënë fund historisë së marrë fund të politikës së tij të vjetër. Sfida jonë është historike dhe këto janë orët për ta sfiduar historinë. Vota jonë është fuqia jonë dhe këto janë orët për ta qindra-mijërafishuar atë, duke e bashkuar me Partinë Socialiste të Shqipërisë”, - tha kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama.
Milo mbyll fushatën elektorale të PDS-së në qytetin e Vlorës
Partia Demokracia Sociale e ka mbyllur fushatën e saj elektorale me një takim të zhvilluar në qytetin e Vlorës. Kryetari i PDS-së, Paskal Milo, tha se më 28 qershor të gjithë shqiptarët duhet t’i thonë një “jo” të fortë qeverisë së Sali Berishës. Milo shprehu besimin në fitoren e padiskutueshme të koalicionit “Bashkimi për ndryshim” dhe arritjen e një rezultati të suksesshëm të PDS-së. Ai u bëri thirrje shqiptarëve që në datën 28 qershor të votojnë për numrin 30 dhe për PDS-në, pasi në këtë mënyrë ata do të votojnë për një qeverisje të mirë, në funksion të interesave të të gjithë shqiptarëve. “Ne duhet që më 28 qershor të mos lejojmë më që një diktaturë e re e cila maskohet mbrapa frazeologjisë demagogjike demokratike të mund të mbijetoj më në Shqipëri. Nëse duam që Shqipërisë t’i japim perspektiva, nëse duam realisht që Shqipërisë t’i hapim dyert e Europës, nëse duam që njerëzve të thjeshtë dhe të varfër t’u hapet një perspektivë jetike, humane njerëzore dhe gjithçka tjetër që meritojnë njerëzit të kenë, ne duhet t’i themi një “JO” të fortë qeverisë së Berishës më 28 qershor. Ne do të fitojmë sepse ne e meritojmë mbështetjen tuaj. Ne do të fitojmë se ne e kemi treguar se alternativa jonë është shumë e mirë, sepse kjo qeverisje nuk e meriton më të mbështetet nga shqiptarët dhe ne do të fitojmë se shqiptarët në shumicë do të votojnë për ne më 28 qershor dhe pjesë e fitores do të jetë dhe Demokracia Sociale. Demokracia Sociale është dhe do të mbetet besnike e alternativës progresiste që ajo ka përqafuar që në themelimin e saj dhe Demokracia Sociale do të jetë së bashku me partnerët e vet politikë në fitoren e 28 qershorit dhe në qeverisjen e ardhshme të Shqipërisë, prandaj edhe një herë tjetër, votoni Demokracinë Sociale. Votoni numrin 30, mos harroni është një numër mbresëlënës që do të votoni me shumicë, sepse votoni për veten tuaj dhe të ardhmen tuaj”, - tha Milo.
27 Qershor 2009