E Diel, 1 Nëntor 2026

Veliaj mbyll fushatën elektorale të G99-ës në qarkun e Beratit



Partia G99 ka mbyllur fushatën e saj elektorale në qarkun e Beratit me takime të zhvilluara në qytetin e Kuçovës dhe në qytetin e Urës Vajgurore. “Çdo udhëtim i rëndësishëm nis në shtëpi dhe duhet të mbarojë po aty”, - u shpreh kreu i G99-s, Erion Veliaj. Pikërisht për këtë arsye ai zgjodhi vendlindjen e vet, qarkun e Beratit, për të mbyllur rrugëtimin “Rock dhe politikë” me dy mitingje masive në Urën Vajgurore dhe Kuçovë. “Ju falënderoj për mikpritjen dhe bekimin tuaj që nga fillimi i këtij rrugëtimi të mrekullueshëm nëpër të gjithë Shqipërinë e deri në fund, kur jemi përsëri bashkë”, - iu drejtua Veliaj qytetarëve të mbledhur në sheshin qendror të Kuçovës. “Gjatë këtij rrugëtimi kemi kuptuar që të gjithë qytetarët shqiptarë e dëshirojnë ndryshimin, por nëse ka një grupim, një forcë të veçantë, e cila ka pasionin dhe ‘muskulin’ e duhur për ta tronditur këtë gjendje, për ta sjellë këtë ndryshim, ata janë të rinjtë”, - vijoi kreu i G99-s. Veliaj theksoi se vetëm pak orë e ndajnë Shqipërinë nga ndryshimi dhe fitorja e madhe e të rinjve shqiptarë. “Edhe pak orë kanë ngelur nga fitoja e madhe e të rinjve shqiptarë, e të gjithë qytetarëve shqiptarë, ndaj duhet të mobilizojmë forcat e fundit
përpara se të festojmë, të shpërndajmë lajmin e mirë dhe t’i bindim njerëzit se ndryshimi po vjen”,- tha Veliaj. Kreu i G99-s mori pjesë edhe në mitingun përmbyllës të fushatës elektorale të Partisë Socialiste dhe koalicionit “Bashkimi për ndryshim”, të zhvilluar dje në mbrëmje. Veliaj tha se në datën 28 qershor do të largohet njeriu që mban peng të ardhmen e vendit, kryeministri Sali Berisha. "Sot u përpoqën ta pengonin këtë tubim me një karrotrec, por ne nuk kemi frikë. Shumë shpejt ne do të heqim dhe karrotrecin që ka penguar gjithë të ardhmen tonë dhe që ndodhet në këtë ndërtesë", - tha Veliaj.

27 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›