E Diel, 1 Nëntor 2026

Mitingu i PS-së, policia krijon tension dy ditë para zgjedhjeve

Policia bllokoi me forcë për rreth 14 orë bulevardin “Dëshmoret e Kombit”, ku do të mbahej mitingu i PS-së. Hap pas hapi incidenti mes uniformave blu dhe deputetëve e simpatizantëve të selisë rozë

Tiranë – Policia përdori dje forcën, një shfaqje kjo e paprecedentë e viteve të fundit, duke bllokuar qendrën e Tiranës për mitingun e opozitës. Duket sikur Berisha ka dashur të vërë në provë gatishmërinë e policisë së tij, të cilën do ta ketë në ndihmë edhe gjatë procesit zgjedhor. Përdorja e forcës për pak sa nuk i ka kushtuar jetën një të moshuari. Ishte pikërisht momenti kur përkrahës të opozitës dhe forca të rendit u shtynë me njëri-tjetrin kur një person i moshuar humbi ndjenjat dhe u dërgua menjëherë në spital. Një tjetër çast që kulmoi incidentin ishte ai kur oficeri i Policisë, Krenar Ahmeti, në tentativë për të penguar nisjen e kamionit drejt Kryeministrisë, hyri poshtë tij dhe u lidh me pranga duke treguar kështu besnikërinë ndaj shefave të tij dhe duke dashur të përmirësojë imazhin e tij profesional pas ndëshkimit që mori duke u larguar nga detyra e kreut të Qarkullimit Rrugor dhe emërimit në një detyrë më të ulët, në atë të shefit të uniformave në Komisariatin e Elbasanit, si dhe duke justifikuar ardhjen e tij në Tiranë, në të njëjtën detyrë, në Komisariatin Nr. 2. Vetëm dy dytë para zgjedhjeve, drejtuesit e uniformave blu të Tiranës dhanë urdhër për rrethimin dhe bllokimin e bulevardit vetëm e vetëm për të penguar punimet për ndërtimin e skenës së mitingut të opozitës së kryesuar nga Partia Socialiste. Forcat e shumta policore, të ndërhyrjes së shpejtë, ato speciale, ku nuk ka munguar edhe asistenca e Gardës së Republikës, bllokuan me automjete dy anët e bulevardit. Forca policore ndaj opozitës, munguar që prej viteve ‘96-‘98, u demonstrua në sytë e qindra qytetarëve dhe vëzhguesve të huaj. Opozitarët ishin të shqetësuar dhe u shprehën se “kjo shenjë e ndërhyrjes ekstreme në një vend që quhet demokratik dhe anëtar i NATO-s, është shenjë dëshpëruese e humbjes së pozitës aktuale”.
Situata
Socialistët i kishin kërkuar Policisë me anë të një shkrese zyrtare që në datën 17 qershor dhe kjo e fundit e ka detyrim ligjor kthimin e përgjigjes vetëm 24 orë me pas nëse ka rezerva. Gjatë ditës së enjte policët u shfaqën nervozë në përballjen me opozitën. Tensioni vazhdoi edhe gjatë natës e deri në orët e para të mëngjesit të së premtes. Opozitarët dhe policia debatuan gjatë gjithë kohës për gjithçka. Në orët e para të mëngjesit të djeshëm policia tentoi të bllokonte me blloqe betoni bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, i cili më herët ishte bërë i pakalueshëm nga mjetet për shkak të disa kamionëve, civilë e jopolicorë, të vendosur nga forcat e rendit. Tentativat për të ngritur atë mur betoni dështuan për shkak të protestës së simpatizantëve të PS-së. Vëzhguesit dhe ambasadorët e huaj kanë ndjekur nga afër konfliktin, që de fakto është më i rëndi gjatë kësaj fushate elektorale.
Çarja e rrethimit
Fundi i përplasjes së simpatizantëve të PS-së me policinë, pas përpjekjeve të vazhdueshme të saj, që nga e enjtja pasdite e deri të premten në mëngjes për pengimin e montimit të skenës së mitingut të opozitës, u mbyll dje në mesditë. Vetëm atëherë simpatizantët dhe drejtuesit e opozitës zhvendosën makinat që kishin bllokuar hyrjen në bulevard dhe hapën rrugën. Në këtë moment mbërriti në bulevard kamioni me pajisjet e fonisë. Këmbëngulja e turmës, aktivistëve dhe drejtuesve socialistë dhe atyre të opozitës bëri që bulevardi të lirohej nga makinat që e kishin bllokuar dhe kamioni të vazhdonte rrugën drejt Kryeministrisë.
Menjëherë pas mbërritjes së tij nisi edhe ndërtimi i skenës dhe podiumi i mitingut nga ku kryetari socialist Edi Rama do t’u drejtohej shqiptarëve në mitingun përmbyllës të fushatës zgjedhore. Policisë tashmë nuk i mbeti gjë tjetër veçse të lëvizte nga skajet e bulevardit ku ishte vendosur dhe të bënte rrethimin e trotuarit të Kryeministrisë duke vëzhguar punimet. Lirimi i sheshit ka kthyer qetësinë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Një oficer tentoi “therorizimin”

Kur kordoni i policisë u thye dhe mbështetësit e PS-së arritën të kalonin automjetin ku mbahen pajisjet për tribunën, një nga drejtuesit e Policisë së rendit, Krenar Ahmeti, i njohur më parë si drejtues i Qarkullimit Rrugor në Tiranë, u lidh me pranga nën kamion duke tentuar të bllokonte kalimin e tij. Ahmeti ka qëndruar kështu për disa çaste me gjithë apelin e disa prej kolegëve të tij në vendngjarje. Oficeri është bindur vetëm pas një telefonate, që duket se ka qenë urdhri i një prej shefave të tij. Kjo situatë, në fakt, nuk ishte e para e këtij lloji edhe gjatë natës së të enjtes i njëjti oficer pengoi me trup makinën që mbante pajisjet për skenën e mitingut të Partisë Socialiste.

Berisha ndjek nga dritarja përplasjen dhe drejton me telefon policinë

Përplasja e policisë me opozitarët u ndoq direkt nga kryeministri Berisha, i cili gjendej në zyrën e tij në Kryeministri. Mediat treguan me pamje çastet kur kryeministri doli herë pas here në dritare për të parë që në bulevard socialistët kishin nisur ndërtimin e podiumit për mitingun përmbyllës të fushatës elektorale. Gjatë gjithë kohës kryeministri vëzhgonte dhe komunikonte në telefon. Nuk dihet se me kë komunikonte, por opozitarët shpreheshin se ai komunikonte me drejtuesit e forcave policore që ishin dërguar në bulevard për të penguar opozitarët. Në sy të kryeministrit simpatizantët e PS-së në momente tensioni përplaseshin me policinë. Në të njëjtën kohë një tjetër incident ndodhi në afërsi të urës së bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, kur organizatorët e mitingut të selisë rozë tentuan të mos lejonin vendosjen e karrotrecëve të sjellë nga policia për të mos lejuar hyrjen e pajisjeve për ndërtimin e skenës së mitingut.

Policia e Shtetit: “Simpatizantët e PS-së tejkaluan çdo rregull, do të ndjekim rrugën ligjore”

Ka reaguar menjëherë dje Ministria e Brendshme dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë në lidhje me incidentin e ndodhur para Kryeministrisë. “Sot, më datë 26.06.2009, një grup simpatizantësh të këtij subjekti politik dhe subjekteve të tjera tentuan me forca të kalojnë pikën e bllokimin të policisë, por me gjithë veprimet antiligjore të kryera, ata nuk mundën të kalojnë këtë pikë bllokimi. Gjendur në këto kushte dhe për të parandaluar konfrontimin në mënyrë të vazhdueshme dhe me qëllim çtensionimin e situatës, punonjësit e policisë janë zhvendosur që të lejojnë kalimin e simpatizantëve dhe të mjetit që transportonte materiale për ngritjen e tribunës për mitingun e kërkuar. Theksojmë se policia, në këtë shërbim, ka aktivizuar 126 punonjës policie dhe 20 automjete. Nisur nga publikimet e bëra ditën e sotme në media mbi plagosjen e një qytetari në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” theksojmë se strukturat e saj kryen verifikimet e nevojshme, nga ku rezultoi se nuk është dëmtuar asnjë qytetar nga automjetet e policisë. Për të gjitha veprimet e paligjshme të evidencuara në datat 25 dhe 26.06.2009, nga ana e policisë do të depozitohen materialet e nevojshme procedurale pranë Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë”, - njoftonte dje komunikata për shtyp e Ministrisë së Brendshme. Në këtë deklaratë forcat blu garantuan se Drejtoria e Policisë së qarkut të Tiranës do t’i garantonte të gjithë qytetarët e simpatizantët e subjekteve politike se ka marrë dhe po zbaton një plan emergjence për sigurimin e zhvillimit normal të tubimeve të të dyja subjekteve politike dhe konkretisht të Partisë Demokratike në sheshin “Skënderbej” dhe Partisë Socialiste në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

27 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›