E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Rama: Vitin tjetër hapim parkun teknologjik në Vlorë

TIRANË, 25 mars /ATSH/ Kryeministri Edi Rama dhe ministrja ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj ishin të pranishëm sot në aktivitetin për prezantimin e 89 fituesve të startup dhe Startup Grant 2024.

Kryeministri Rama tha në fjalën e tij se janë plot 89 subjekte që do të marrin mbështetje nga qeveria, ndërsa u ndal edhe tek aktiviteti i parkut teknologjik Durana që tashmë është funksional në Shqipëri.

“Mos harroni që në Shqipëri, tani kemi aktiv parkun teknologjik Durana që është një park i cili është ekzaktësisht për ju, brenda dhe jashtë për produkte të teknologjisë dhe ka një sistem incentivash të favorshëm. Besoj vitin e ardhshëm, do kemi edhe godinën në qendër të Vlorës me  hapësira të jashtëzakonshme për Hi Tech. Kjo do funksionojë si një park, kush do të ketë hapësirë, zyra dhe kush do të zhvillojë aty produktet teknologjike do të ketë një sistem fiskal dhe incentiva komplet ndryshe nga jashtë perimetrit të godinës”, pohoi Rama.

Kryeministri ndau edhe bisedën e parë të zhvilluar me themeluesen shqiptare të ChatGpt Mira Murati, ku theksoi se shpejtësia e zhvillimit teknologjik është marramendëse.

“Nuk e harroj bisedën e parë me Mira Muratin dhe më tha diçka që ishte e frikshme: nëse për të kaluar nga iPhone 12 te 13 është dashur një vit, për të kaluar nga një gjë tek një gjë tjetër tani që hyri inteligjenca artificiale do duhet një ditë. Çfarë është e re në mëngjes, do të bëhet e vjetër në darkë, deri këtu do të shkojë shpejtësia e transformimit”, vijoi Rama.

Rama bëri edhe një batutë me të pranishmit në aktivitet kur tha se transformimet teknologjike ndodhin shpejt, ndërsa individi transformohet më ngadalë. “Kur merresh me pikturë, një pikturë mund të të marrë dhe gjashtë muaj dhe ti je gjashtë muaj më i vjetër dhe ke bërë një pikturë. Ndërkohë që ju mund të bëni kaq shumë gjëra në gjashtë muaj dhe ju thjesht jeni gjashtë muaj më me eksperiencë, jo më të vjetër”, pohoi Kryeministri.

/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›