E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Votë “pro” vetëm për sugjerimet e NATO-s

20/07/2010 LSI tërheq vëmendjen e mazhorancës qeverisëse për ligjin për SHISH-in

“Detyrimet ndaj aleancës, çdo ndryshim në bashkëpunim dhe konsulencë me të”

Lëvizja Socialiste për Integrim deklaroi qëndrimin e saj mbi ndryshimet në ligjin për Shërbimin Informativ Shqiptar, duke lëshuar në të njëjtën kohë dhe një apel për shumicën qeverisëse, pjesë e së cilës është dhe vetë kjo parti. Kështu, pas debateve të shumta mbi draftin e propozuar nga qeveria “Berisha” sa i takon një ligji të tillë, tashmë pritet që ky projektligj të kalojë për miratim brenda këtij sesioni parlamentar. Por nga ana e saj LSI-ja, pjesë e koalicionit qeveritar, tërhoqi dje vëmendjen e drejtuesve të kësaj mazhorancë për të treguar kujdes në ndërmarrjen e një veprimi të tillë. Në deklaratën e saj LSI-ja dha në mënyrë të prerë qëndrimin e saj se, nëse projektligji për ndryshimet në SHISH do të kalojë pa përfshirjen në të të propozimeve të bëra nga ekspertët e huaj, kryesisht të NATO-s, atëherë vota e deputetëve të grupit parlamentar të kësaj partie do të jetë kundër miratimit të ligjit. Sekretari i përgjithshëm i LSI-së Luan Rama gjatë një deklarate për shtyp, duke iu referuar pikërisht votimit për ligjin e SHISH-it, bëri me dije se LSI-ja do të votojë pro vetëm për ndryshimet e propozuara nga NATO-ja. “Në rendin e ditës janë përfshirë të gjitha projektligjet e mbetura pezull gjatë këtij 6-mujori, përfshirë edhe ligjin për SHISH-in. Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe ka përmbushur me sukses detyrimet në çdo drejtim, siç deklaroi në vizitën e tij në Shqipëri më 28 prill Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Rasmusen”, - vlerësoi Rama gjatë fjalës së tij lidhur me një çështje të tillë, duke bërë në të njëjtën kohë dhe një parantezë rreth arsyeve se pse kjo forcë parlamentare do të pozicionohet në një qëndrim të tillë përkundrejt ndryshimeve në ligjin për SHISH-in. Ndërkohë në gjykimin e LSI-së qeveria dhe klasa politike duhet të respektojnë prioritetet madhore që ka aleanca euroatlantike. “Bashkëpunimi në fushën e shërbimeve inteligjente dhe në luftën kundër terrorizmit është prioritet madhor i NATO-s dhe i Shqipërisë, ndaj çdo ndryshim besoj se do të bëhet në bashkëpunim dhe konsulencë të ngushtë me NATO-n, sepse, në fund të fundit, të gjitha këto janë detyrime që rrjedhin nga angazhime madhore që ka marrë Shqipëria”, - vuri në dukje sekretari i përgjithshëm i LSI-së Luan Rama. Por duke synuar përmbylljen e një shtjellimi të tillë të pozicionit të vendit tonë përballë Aleancës së Atlantikut të Veriut, Rama deklaroi prerë se “LSI-ja do të përkrahë vetëm ndryshimet e konsultuara me Aleancën”.

Detyra

SHISH-i në përmbushje të detyrave të tij, me pëlqim të kryeministrit, bashkëpunon me shërbime të vendeve të tjera dhe mbledh informacion rreth veprimtarisë së tyre kur kjo është e nevojshme. Procedurat për raportimin dhe marrjen e pëlqimit përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

Kompetenca

Drejtori i paraqet kryeministrit raport vjetor për punën e Shërbimit Informativ të Shtetit, si dhe i raporton kur i kërkohet nga kryeministri në çdo kohë dhe për çdo çështje që lidhet me veprimtarinë e SHISH-it. Me kërkesë të kryeministrit, drejtori i Shërbimit Informativ të Shtetit raporton edhe në Këshillin e Ministrave.

Zgjedhja

Drejtori dhe zëvendësdrejtori qëndrojnë në detyrë për një mandat 5-vjeçar, me të drejtë riemërimi vetëm një herë. Drejtori i Shërbimit Informativ të Shtetit për efekt të trajtimit financiar ka status të njëjtë me atë të ministrit, ndërsa zëvendësdrejtori ka status të njëjtë me atë të zëvendësministrit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›