E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mos përdorni bombola të vjetra, rrezik shpërthimi

20/07/2010 Apeli nga shefi i PMNZZH-së Ilir Kopliku: Kontrolle për sigurinë, vetëm bombola të kolauduara

SHKODER- Forcat e zjarrfikësve PMNZZH të Shkodrës kanë shtuar ndjeshëm kontrollet në pikat e tregtimit të gazit, nisur jo vetëm nga temperaturat e larta të kësaj vere, por edhe nga rritja e përdoruesve dhe konsumit të gazit. Drejtuesit e PMNZH-së Shkodër theksojnë se problemet e hasura në tregtimin e gazit janë të shumta dhe të përvitshme ndaj organizohen kontrolle të shpeshta sidomos gjatë stinës së verës, kur dhe rreziku i aksidenteve nga bombolat e gazit është dhe më i madh se gjatë stinëve të tjera. Gjatë kontrolleve të ditëve të fundit janë hasur probleme që lidhen me tregtimin pa autorizimet përkatëse të bombolave të gazit, në dyqane ku tregtohen artikuj të tjerë, çka bie ndesh me ligjin si dhe mungesa e kolaudimit të një pjese të mirë të bombolave që shiten e mbushen në pikat e gazit.

Bombolat e gazit

Nisur nga ky konstatim drejtuesit e PMNZZH-së Shkodër i bëjnë thirrje qytetarëve që të mos blejnë bombola gazi në vende jo të përshtatshme të tregtimit të tyre, si dhe të bashkëpunojnë me firmat e tregtimit të gazit për dorëzimin e bombolave të vjetra e marrjen e atyre të reja. Vetëm në këtë mënyrë mund të shmanget rreziku i mundshëm, shprehen drejtuesit e forcave zjarrfikëse Shkodër”. Në shumicën e pikave të kontrolluara u vërejt se i kanë hequr aparatet që mbushin dhe janë në proces të ndërrimit të inventarit të bombolave të vjetra me ato të reja. Për këtë problem duhet të ndihmojë dhe komuniteti, i cili nuk duhet të jetë konservator duke ruajtur bombolat e vjetra me pretekstin se janë të mira. Duhet t’i dorëzojnë dhe të marrin të rejat”, ka theksuar shefi I PMNZZH-së Shkodër, Ilir Kopliku. Ndërkohë tregtuesit e bombolave të gazit shprehen se që nga fillimi vitit është vënë re një rritje e konsumatorëve të gazit të lëngshëm, që përdoret jo vetëm dimrit për ngrohje, por edhe gjatë gjithë verës për gatim. Kjo ka ardhur si rezultat i rritjes së çmimit të energjisë elektrike, të papërballueshme qoftë edhe për gatim nga shumica e banorëve.

Shefi i zjarrfikësve Shkodër, Kopliku i bën thirrje konsumatorit që tashmë duhet të krijojë besimin dhe bindjen se është më e sigurt blerja e bombolave të kolauduara, që shpërndahen nga firmat përkatëse të licencuara, dhe me vulën e kompanisë që i nxjerr në treg. Ndërkohë, Kopliku vë në dukje se tregtarë që do të kapen duke mbushur bombola gazi pa pasur lejen përkatëse, do të penalizohen deri në heqjen e licencës, si dhe lejen e tregtimit edhe të artikujve të tjerë, ndërsa do të kryhet dhe sekuestrimi i bombolave të dyshimta që tregtojnë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›