E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndërtimet pa leje në bregliqenin e Pogradecit do të prishen

20/07/2010 Aksioni për shembjen e objekteve pritet të fillojë së shpejti

KORÇE- Të gjitha ndërtimet e paligjshme që ndodhen përgjatë bregliqenit të Pogradecit do të prishen. Pritet që aksioni për prishjen e tyre të fillojë së shpejti, madje menjëherë pas përfundimit të procedurave që parashikon ligji. Shembja e ndërtimeve pa leje do të realizohet nga Inspektorati Kombëtar i Ndërtimit, dega Korçë. Ndërtimet e paligjshme të identifikuara deri më tani rezultojnë të jenë të shtrira, në qytetin e Pogradecit, në komunën Udënisht, në komunën Buçimas dhe në doganën e Tushemishtit, pasi zonat turistike mbeten një nga prioritet e Inspektoratit Kombëtar të Ndërtimit. Megjithatë, prishja e ndërtimeve pa leje do të vijojë edhe në komuna të tjera të rrethit Korçë, në akset rrugore, pranë rezervave ujore, apo në të gjitha ato zona ku evidentohen ndërtime pa leje. Inspektorati kombëtar i Ndërtimit ka marrë përsipër të prishë të gjitha ato ndërtime të paligjshme në komuna apo bashki, ku inspektoratet e këtyre njësive nuk zbatojnë kompetencat që u jep ligji, pra që tolerojnë ndërtimet e paligjshme.

Gjithsesi, nisja së shpejti e prishjes së të gjitha ndërtimeve pa leje përgjatë bregliqenit të Pogradecit, u bë e ditur nga burime pranë Inspektoratit kombëtar të Ndërtimit, dega Korçë, të cilat shpjeguan se në Bashkinë e Pogradecit, në komunën Udënisht dhe në komunën Buçimas janë evidentuar ndërtime të paligjshme, ndërsa nga ana e inspektorateve të ndërtimit në këtë bashki apo komuna nuk kanë marrë asnjë masë për prishjen e tyre. Kjo do të thotë që ndaj inspektorëve të inspektorateve përkatëse do të merren masa apo sanksione siç janë të parashikuara në ligj, por në të njëjtën kohë do të prishen edhe të gjitha ndërtimet e paligjshme. Burimet në fjalë shpjeguan gjithashtu se tashmë Inspektorati kombëtar i Ndërtimit ka filluar procedurat dhe në përfundim të tyre do të ndërhyjë për prishjen e të gjitha ndërtimeve pa leje. Prishja e ndërtimeve të paligjshme do të përfshijë edhe doganën e Tushemishtit, pasi aty po realizohet një investim për ngritjen e një dogane të re, çka do të thotë se ky investim kërkon edhe prishjen e ndërtimeve të paligjshme, të cilat mund të kenë ekzistuar deri tani, siç është fjalë vjen një ndërtesë që ka shërbyer si freeshop. Burimet pranë Inspektoratit kombëtar të Ndërtimit Korçë, siguruan se nuk do të ketë asnjë tolerim ndaj ndërtesave që do të rezultojnë të paligjshme.

V. Hasani

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›