E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: “Votoni partinë që punon për ju, jo për familjen e saj”

Autori i Lajmit: red.
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, u ka kërkuar korçarëve që më 28 qershor të votojnë për veten e tyre duke zgjedhur alternativën socialiste, e cila do të punojë për ta dhe jo për xhepat e familjarëve të saj, siç bëri Sali Berisha. I shoqëruar dhe nga kryetari i Bashkisë së Korçës, Niko Peleshi, Rama ka vizituar tregun industrial të Pazarit të Korçës. Ai ka biseduar me tregtarë dhe qytetarë të Korçës, të cilët i kanë shprehur shqetësimet e tyre lidhur me mungesën e të ardhurave nga tregtia për shkak të varfërisë në vend. Sipas korçarëve, të rinjtë e të rejat në Korçë janë të papunë ndërkohë që qytetarët vijnë në treg pyesin dhe më pas largohen pa blerë gjë për shkak të mungesës së të ardhurave. Duke iu përgjigjur interesit të këtyre qytetarëve, Rama u shpreh: “Më 28 qershor shkoni në votime, duhet të votoni për veten tuaj, për familjen, për Korçën, për Shqipërinë. Të mos ndodhë më që e gjithë Shqipëria të punojë për familjen e kryeministrit dhe tërë Korça e vendi ynë të rrijë e të ngrohet në diell se s ka punë”. Sipas tij, nëse qytetarët do të votojnë më 28 qershor, në krye të vendit do të jetë një qeveri që do të punojë për të gjithë shqiptarët, do të jetë qeveri e popullit e do të zgjidhë hallet e shqetësimet e tij. Ai duke mbështetur kryetarin e Bashkisë që përfaqëson PS është shprehur se Bashkia, e vetme, pa mbështetjen e qeverisë mund të bëjë shumë pak. “Por pas 28 Qershorit PS dhe Bashkia e qytetit do të punojnë bashkë dhe do të ndryshojnë tërësisht Korçën”, - tha ai. Ndërsa dy ditë më parë nga zona e Mallakastrës në qarkun e Fierit tha se askush nuk duhet të guxojë të prekë votën. “Thuajuni të gjithëve se askush nuk ka fuqi ta prekë votën tonë më 28 qershor. Nuk ka pushtet rrugaçësh dhe rrugaçë në pushtet që mund të prekin votën e ndryshimit. Nuk do të ketë vrimë për t u fshehur për atë që guxon të bëjë një lojë sado të vogël me votën e socialistëve”, - u shpreh Rama.
Ky lajm është publikuar: 18/06/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›