Rama: Zgjedhja e Martin Schulz, garant për standarte demokratike

Numri një i Partisë Socialiste, Edi Rama ka uruar Martin Schulz për marrjen e postit të Parlamentit Europian. Në mesazhin e tij shpreh bindjen se ai do të sigurojë që reputacioni i Parlamentit Evropian si gardiani i standardeve demokratike dhe drejtësisë ekonomike, do të rritet në mënyrë domethënëse.
“Mësova me kënaqësi të madhe lajmin e mirë nga Strasburgu për zgjedhjen Tuaj si President i Parlamentit Evropian. Së bashku me komplimentat e përzemërta për mbështjetjen me shumicë absolute që Ju morët gjatë kësaj zgjedhjeje, ju lutem pranoni përgëzimet më të sinqerta dhe urimet më të mira.
Jam i sigurt se gjatë Presidencës suaj, Parlamenti Evropian do të rrisë rolin e tij si zëri i popullit të Evropës. Në këtë drejtim, dua të ndaj të njëjtën bindje me Presidentin e Partisë së Socialistëve Evropianë (PSE), Sergei Stanishev, se Martin Schulz do të sigurojë që reputacioni i Parlamentit Evropian si gardiani i standardeve demokratike dhe drejtësisë ekonomike do të rritet në mënyrë domethënëse.
Kam bindjen e palëkundur që gjatë mandatit tuaj si President i Parlamentit Evropian, vendi im, Shqipëria, dhe vendet e Ballkanit Perendimor, do të shënojnë progres më të madh në procesin e Integrimit Evropian. Gjithashtu, dua t`Ju falenderoj për mbështetjen e vazhdueshme që Grupi i Aleancës Progresive të Socialistëve dhe Demokratëve në Parlamentin Evropian i ka dhënë Partisë Socialiste të Shqipërisë dhe t`Ju risiguroj që partia ime do të vazhdojë të luajë rolin e saj të lidershipit për promovimin e vlerave europiane në Shqipëri duke punuar fort që ta bëjmë vendin tonë gati për statusin e vendit kandidat brenda vitit 2012”.
Më herët dhe Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta ka uruar Martin Schulz për marrjen e postit të Parlamenti Europian, ndërsa e ka cilësuar zgjedhjen e tij si të merituar.