Rama: Zgjedhjet janë të pagarantuara, do jenë si demonstratë
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, tha dje se zgjedhjet e 8 majit nuk janë të garantuara dhe për këtë ka përgjegjësi kryeministri Sali Berisha. Duke folur në komunikimin e përjavshëm me mediat, kreu i opozitës tha se gjatë kësaj kohe që ka mbetur deri në ditën e zgjedhjeve mund të plotësohen disa nga problemet e evidentuara.I pyetur nëse do të kandidojë sërish për një mandat të katërt në Bashkinë e Tiranës, Rama tha se vetëm ditën e hënë do të japë një përgjigje për këtë çështje. Ne procesin zgjedhor e konsiderojmë të pagarantuar dhe vazhdojmë të mbrojmë fort bindjen që gjithçka e nevojshme për të pasur një proces zgjedhor që të mos i ngjajë farsës së herës së shkuar, por që të jetë një hap i konsiderueshëm përpara dhe që zgjedhjet të jetë të standardeve plotësisht europiane, mbase nuk mund të plotësohet në këtë kohë të mbetur, por ka disa aspekte që janë plotësisht të realizueshme dhe për këto aspekte plotësisht të realizueshme unë kam ndarë këto shqetësime, u shpreh Rama. Problemi i parë i evidentuar nga kreu i opozitës në komunikimin me mediat është lista e zgjedhësve.
Listat
Sipas tij, një ekip ekspertësh afër opozitës po e ndjek nga afër këtë çështje dhe shumë shpejt do të ketë një raport. Vazhdon mungesa e transparencës me procesin e përgatitjes së listave, vazhdojnë problemet në lista. Ekipi i ekspertëve tanë, që është ngarkuar me këtë çështje, informon që ndoshta nesër do të jemi gati të bëjmë publike gjetjet e hetimit mbi listat që janë shqetësuese. Megjithatë, do ti vëmë në dispozicion të publikut dhe të drejtorisë në fjalë për ti përmirësuar, u shpreh kreu i PS-së. Shqetësimi i dytë i ngritur nga Rama është mësymja, siç e quajti ai, ndaj punonjësve të administratës, të cilëve u kërkohet informacion mbi kartën e identitetit dhe vendbanimin.
Administrata
Lideri i opozitës u shpreh se ka një përpjekje përditë evidente për ti përfshirë në një mënyrë të organizuar dhe të jashtëligjshme punonjësit e administratës për fushatën elektorale të qeverisë. Ndërkohë që ka filluar një mësymje mbi administratën, që nga ministritë deri te trupat mësimore në qytete të ndryshme të vendit, ku u kërkohen nëpunësve të administratës informacione shumë të çuditshme mbi kartën e identitetit, mbi vendbanimin, mbi të tjera aspekte që krijojnë shumë shqetësim në këtë fazë ku ndodhemi. Dua të theksoj me shumë qartësi dhe fort faktin se ka një përpjekje përditë e më evidente për të përfshirë në një mënyrë të organizuar dhe të jashtëligjshme rrogëtarët e shtetit për nevojat e fushatës së pushtetit, vlerësoi kreu i PS-së.
KQZ
Rama përsëriti edhe njëherë akuzën për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve lidhur me fotokopjimin e listave të zgjedhësve. Sipas liderit të opozitës, ky është një veprim i dënueshëm dhe që kërcënon zgjedhjet lokale. Por ne kemi informacion të mjaftueshme dhe të besueshëm se kjo nuk është e gjitha. KQZ-ja është përfshirë në një operacion të paligjshëm, kriminal, duke fotokopjuar për nevojat e pushtetit dhe të fushatës së pushtetit materiale zgjedhore që iu mohuan thuajse dy vjet me radhë publikut dhe deputetëve të opozitës që kërkuan transparencën mbi to. Ky është një veprim tërësisht i dënueshëm dhe përtej së dënueshmes ky është një veprim që kërcënon hapur zgjedhjet që kemi në prag. Rinxjerr në pah fizionominë e kësaj KQZ-je të diskretituar deri në palcë.
Arrestimet
Duke u ndalur te arrestimet e ditëve të fundit për kontrabandën e naftës, kreu i PS-së tha se e gjithë ajo veprimtari i shërbente kryeministrit Berisha. Sipas tij, kjo konfirmohet me faktin se këto kompani nuk kanë pasur asnjë pengesë, nga vjedhja e naftës deri te nxjerrja e fitimeve. I gjithë ky cikël kusarie është me pasoja shkatërruese për vetë ekonominë e vendit, për vetë buxhetin e shtetit, pavarësisht dokrrave që publikon lidhur me çështjen e ashtuquajtura Ministria e Financave. Çka mbetet sot dramatike edhe njëherë tjetër për një tjetër skandal me përmasa dramatike, për një vend në mes të Europës, është fakti se prapa hekurave është banda që ekzekutonte procesin e kontrabandës dhe në tryezën e qeverisë janë orkestruesit dhe përfituesit e këtij procesi, e pas tyre janë oborrtarët, familjarë e shërbëtorë të atyre që e orkestruan procesin. Pra të qeveritarëve të këtij vendi me në krye Saliun, u shpreh më tej Rama.
Si do tu përgjigjeshit deklaratave të ambasadorëve që kanë shprehur se nuk ka më kohë për ndryshimin e kushteve dhe kreu i KQZ-së tha se nuk do të ndryshohet anëtari i katërt, që i përkiste PS-së? Do ti çoni emrat e komisionerëve në KZAZ?
Nuk besoj që janë të barasvlershëm dhe shpreh keqardhjen për ambasadorët që u përfshinë në një pyetje bashkë me atë kryetarin e KQZ-së, i cili herët ose vonë do të duhet të dalë përpara Drejtësisë për një sërë shkeljesh të rënda të ligjit dhe për faktin se ka urdhëruar dhe lejuar fotokopjimin e materialeve zgjedhore në llagëmet e KQZ-së për tia vënë në dispozicion fushatës së PD-së.
Përsa u përket deklaratave të ambasadorëve, ato janë deklarata që nënvizojnë mungesën e kohës për një reformë në Kodin Zgjedhor, por që nuk kanë të bëjnë me ato garanci të domosdoshme e plotësisht të realizueshme për të cilat ne flasim.
Ju tërhiqeni nga kushti juaj për riformatimin e KQZ-së?
Ne, KQZ-në dhe çdo institucion tjetër e lëmë tërësisht të qetë të punojë, por nuk do ta lëmë kurrë të qetë të manipulojë.
Janë shtuar ditët e fundit zëra nga elektorati socialist për një dëshirë për rikandidimin tuaj. A do ta plotësoni këtë dëshirë? Duke i konsideruar zgjedhjet e 8 majit si betejë politike, mos po harroni synimin administrativ që kanë ato për prezantimin e planit të zhvillimit të qytetit?
Zgjedhjet e 8 majit, përsa na takon, do të jenë një demonstratë e madhe e mbarë popullit opozitar, e çdo qytetari që kërkon ti çojë mesazhin e tij me votë Saliut. Ndërkohë, ky popull opozitar do të jetë i gatshëm të përballet, ashtu siç thonë hebrenjtë, sy për sy e dhëmbë për dhëmbë me çdo lloj trupe dhe me çdo lloj forme të organizuar për të cenuar vullnetin e popullit të shprehur me votë.
Lidhur me pyetjen e parë, besoj që ditën e hënë do të kemi përgjigjen e qartë, të plotë dhe të shtjelluar lidhur me çështjen.
Nëse fitoni, dihet që do të kërkoni largimin e Berishës dhe zgjedhjet e parakohshme. Po nëse humbisni do të jepni dorëheqjen tuaj?
Mendoj që nëse, nuk janë pjesë e të folurit politik. Ndërkohë që besoj se largimi e Saliut u bë shumë kohë që e kemi kërkuar dhe nuk do të ketë asnjë arsye në botë që të rreshtim së kërkuari, pavarësisht çdo vështirësie, çdo pengese, çdo mjegulle që do të ndeshim rrugës.
Është shprehur nga maxhoranca dje keqardhje për kërkesën për mocion për debat. Nisur nga kjo, është tërhequr PS-ja nga kërkesa e saj për mocion për zonjën Topalli?
Keqardhja e Jozefinës më shton vetëm keqardhje për Jozefinën.
Cilat janë kushtet që garantojnë këtë proces zgjedhor, sipas jush? A do të vazhdojnë protestat e PS-së duke qenë se ndodhemi vetëm pak ditë larg nga fushata zgjedhore?
Janë ta pandara nga njëra-tjetra, në kuptimin që ne jemi përballë. Ne do të vazhdojmë të përballemi me këtë regjim kusarësh, ashtu siç e kemi thënë, me çdo formë e mjet demokratik.