Berisha: Beteja me Ramën, në 2013
Kryeministri Sali Berisha tha dje se fushata për zgjedhjet e 8 majit do të jetë për qytetarët dhe jo politike, siç është shprehur opozita.Kreu i qeverisë u ndal në qytetin e Durrësit, ku së bashku me ministrin e Kulturës, Ferdinand Xhaferri, njëherësh kandidat i PD-së për këtë bashki, inauguruan përfundimin e punimeve të rrugës Glauki, një investim me vlerë 120 milionë lekë. Duke folur para të pranishmëve në këtë aktivitet, Berisha tha: E nisim fushatën e qytetarit, me qytetarin dhe për qytetarin dhe aleancën e kemi quajtur Aleanca për qytetarin, sepse ne nuk mund të kemi interesa të tjera përveç interesave tuaja dhe të fëmijëve tuaj; sepse ne nuk mund të kemi vlera të tjera, veçse atyre që ndajmë me ju; sepse ne nuk mund të kemi kulturë tjetër veçse besimit te njëri-tjetri, besimit te vlerat e përbashkëta, te familja, te komuniteti, te qyteti, te komuna, te Shqipëria. Sipas tij, opozita po premton se do të vazhdojë të ndjekë alternativën e bllokimit dhe të mohimit të gjithçkaje. Duke komentuar faktin se opozita e quan 8 majin një betejë politike, kryeministri u shpreh se ata betohen se do ta bëjnë politike këtë betejë. U themi atyre se ne këtë betejë e kemi për vlerat, e kemi për interesat e qytetarëve shqiptare, e kemi për vlerat e tyre, e kemi për fëmijët e tyre, por sa për politikë, dua ti them shokut Rama: prit 2013-n, se do të dëshmojmë dhe njëherë se cili je, tha Berisha. Do të rikthejmë edhe njëherë 2009-n, do të rikujtoj 2005-n. Mos u ngut. Këtë fushatë e kam për ju, ndaj dhe kam vendosur që shpifjeve të tyre tu përgjigjemi me rrugë për ju; sharjeve të tyre tu përgjigjemi me shkolla për fëmijët tuaj; akuzave të tyre tu përgjigjemi me investime publike në mënyrë që ta lehtësojmë gjithnjë e më shumë jetën tuaj.
Zgjedhjet 2009
Gjatë takimit në Durrës, kreu i Qeverisë u ndal sërish në zgjedhjet e përgjithshme të dy viteve më parë. sipas tij, zyrtarët më të lartë ndërkombëtarë e cilësuan numërimin e votave si më të saktin që është bërë në botë. Me lejoni tju rrëfej një gjë personale. E kam ndier veten të lënduar, të fyer më shumë se askund kur në mbledhje dhe takime të rëndësishme miqtë e mi më rrëfenin se kreu i Partisë Socialiste u kishte thënë atyre se Berisha mi ka korruptuar komisionerët. Le tu dërgojmë një përshëndetje vëllazërore e të përzemërt të gjithë komisionerëve, të të gjitha forcave politike, u shpreh Berisha. Ai u ka kërkuar komisionerëve që edhe gjatë 8 majit të zhvillojnë një proces të besueshëm zgjedhor, duke u shprehur i sigurt se ata do të faktojnë se as shiten, as blihen. Në prani të vëzhguesve nga e mbarë bota, komisionerë demokratë, socialistë dhe të të gjitha forcave politike do të dëshmojnë moralin e tyre, do të faktojnë se ata nuk blihen, nuk shiten, nuk korruptohen, por as mund të viktimizohen nga dyshimi, sepse të shprehësh dyshim ndaj komisionerëve të tu do të thotë se ke dyshim te vetja jote. Ndaj dhe le të punojmë së bashku për 8 majin, një ditë fitoreje të thellë. Le ta shndërrojmë këtë fushatë në fushatën e debatit të madh për interesat tona.
LEONIDHA MUSAJ