E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Zgjedhjet në rrezik, Berisha pranon propozimet

 

Aristir Lumezi

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, shprehu dje shqetësimin se po kërcënohen seriozisht standardet e zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit 2009. Në një konferencë për shtyp, Rama fajësoi qeverinë Berisha, e cila, sipas tij duhet të pajisë me karta identiteti të gjithë ata qytetarë që nuk kanë pasaporta, për t’i dhënë të drejtën e pjesëmarrjes në zgjedhje. “Ne propozojmë një korrigjim të menjëhershëm të metodës së zgjedhur e të mënyrës së ndjekur deri tani, duke i dhënë prioritet absolut qytetarëve e qytetareve votues që nuk kanë pasaportë. Edhe në Kodin e ri Zgjedhor thuhet se shtetasit që nuk disponojnë pasaportë duhet të pajisen të parët me këtë dokument. Ne propozojmë që Këshilli i Ministrave të nxjerrë pa humbur kohë një vendim të ri, ku të urdhërojë, në bazë të listës zyrtare të shtetasve pa pasaportë, shpërndarjen e emrave të tyre sipas çdo njësie vendore deri më datën 31 janar 2009”, tha Rama. Sipas Ramës, janë rreth 740 mijë qytetarë që nuk disponojnë pasaportë, të cilët duhet të pajisen të parët me karta identiteti. Kreu socialist kërkoi edhe një monitorim parlamentar të procesit të përgatitjes së infrastrukturës zgjedhore. “Ne e quajmë absolutisht të domosdoshme ngritjen e një komisioni parlamentar ad hoc që të monitorojë procesin e përgatitjes së infrastrukturës zgjedhore dhe të ushtrojë kontrollin e posaçëm të Parlamentit mbi strukturat qendrore e vendore të përfshira në këtë proces gjatë gjithë periudhës së mbetur deri në zgjedhje”, tha Rama. Kryetari socialist duke folur dhe për gjendjen e regjistrit kombëtar, tha se ai nuk është pastruar nga publikimet, duke i kërkuar qeverisë ta korrigjojë atë. “Sot e gjithë ditën nuk është pastruar ende Regjistri Kombëtar i Gjendjes Civile, i cili sipas versionit zyrtar të qeverisë përmban ende mbi 100 mijë dublikime, ndërkohë që ky proces, sipas vetë angazhimeve publike të qeverisë, duhet të kishte përfunduar në korrikun e vitit 2008, pastaj në shtatorin e vitit 2008 dhe pastaj në dhjetorin e vitit 2008.
Berisha
Pak orë pasi kreu i PS-së, Edi Rama, propozoi masa të reja për pajisjen me kartat e identitetit, Kryeministri Berisha priti pozitivisht këtë deklaratë të kundërshtarit të tij politik. Duke folur në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së, kreu i qeverisë u shpreh se Ministria e Brendshme do të nisë bisedimet me opozitën për nxjerrjen e këtij vendimi. Sipas tij, qeveria ka si synim inicimin e një procesi gjithëpërfshirës. “Duke ardhur këtu më informuan se kryetari i opozitës ka kërkuar vendim qeverie për pasaportat ekzistuese. Unë do të autorizoj Ministrinë e Brendshme që menjëherë të vendosë kontaktet me ta. Çdo lloj propozimi që opozita e gjykon dhe që i shërben transparencës dhe kompletimit më të mirë të procesit, ne jemi të hapur. Ne duam që çdo forcë
politike të gjejë veten e vet në këtë proces. Nuk kemi asgjë përjashtuese në këtë proces”, u shpreh Berisha. Në të njëjtën kohë ai i kërkoi opozitës që të nisin bisedimet për të propozuar anëtarët e rinj të KQZ-së. “Çështja më kryesore e kësaj periudhe dhe të gjithë këtyre muajve janë zgjedhjet. Ju bëj thirrje edhe ju të uleni me opozitën për të ndërtuar një komision me kredibilitetin më të lartë, sikundër ftoj opozitën të ushtrojë të gjithë kontrollin që dëshiron mbi përgatitjet për procesin zgjedhor. Ne do ta konsideronim kontrollin e saj kontribut të madh. Nuk kemi asnjë qëllim, vetëm një proces dinjitoz zgjedhor”, theksoi më tej Berisha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›