E Shtunë, 31 Tetor 2026

Do largohen, protestojnë para bashkisë 150 tregtarë

20/01/2009  Do ngrihet një qendër e madhe tregtare. “Bashkia të na gjejë një vend të përshtatshëm”

LUSHNJE- Qindra tregtarë lushnjarë kanë protestuar qysh prej 3 ditësh para bashkisë së qytetit për shkak të vendit të tregtimit. Tregtarët e tregut industrial të këtij qytetit, rreth 120 persona kanë protestuar për shkak të largimit nga vendi i tyre i punës ku kanë tregtuar për vite me radhë. Në këtë pjesë të qytetit Këshilli Bashkiak ka miratuar kërkesën e pronarëve të truallit për të ndërtuar një qendër shumë funksionale industriale. Por tregtarët shprehen se janë larguar padrejtësisht dhe ndjehen të braktisur nga Bashkia e Lushnjës edhe pse paguajnë të gjitha detyrimet ndaj saj.

Protesta

“Për 4 vjet këtu nuk është bërë asgjë nga Bashkia”,- thotë tregtari Andrea Koroveshi, dhe kryetari i bashkisë na ka thënë se do na gjejë një vend të përshtatshëm pastaj do të ikim nga ky vend. Por neve nuk na është gjetur asnjë vend. Firmës ndërtuese i takon se ka të drejtë për ta marrë, por kreu i Bashkisë Albert Sanxhaku duhet të na gjejë një vend të përshtatshëm tregtimi”. Tregtarët e tjerë pohojnë se nuk kanë as paga, as përkrahje, asgjë tjetër për të siguruar mbijetesën e tyre dhe të familjes. Ata ndjehen të braktisur nga shtetit pasi kanë edhe probleme të familjare. Kryebashkiaku i Lushnjës Albert Sanxhaku pohon se gjithçka është bërë konform ligjit urbanistik. Është miratuar edhe vendi i qendrës industriale me vendim të Këshillit Bashkiak të Bashkisë së Lushnjës dhe tregtarët do të sistemohen në një tjetër treg pronë e Bashkisë Lushnjë. “Tregu aktualisht ka qenë treg informal nga pikëpamja e regjistrimit”,- ka thënë Sanxhaku, ne jemi përpjekur të regjistrojmë të gjithë tregtarët rreth 164 nga regjistrat tanë. Ka kaluar sheshi pranë KRRT-së dhe është miratuar një ndërtesë polifunksionale tregtare ku do të kryhen edhe shërbimet publike. Do jetë mundësia që brenda 6 muajve të gjithë tregtarët të sistemohen dhe të gjejnë këtu ambiente private. Gjithsesi ne vazhdojmë punimet dhe besoj se problemi do të zgjidhet me miratimin e tregtarëve, palëve të treta dhe Bashkisë”. Përfaqësuesi i firmës private “Toshkëzi 06” Bledi Toshkëzi pohon se po ndërton mbi një projekt të miratuar nga Bashkia e Lushnjës. “Protesta e tregtarëve nuk është e drejtë, thotë Toshkëzi, sepse tregtarët janë lajmëruar qysh para 3 muajsh për largimin e tyre. Ata na kanë kërkuar një favor që t’i lemë pa i hequr nga dhjetori sepse kanë pasur punë dhe ti largonim në janar. Tashmë i kemi lënë deri në datën 10 janar”. Tregtarët kanë pohuar se do të protestojnë para Bashkisë deri në gjetjen e një tregu që varet sipas tyre prej Bashkisë dhe jo prej pronarëve privatë. Ata janë shprehur se janë larguar padrejtësisht dhe ndjehen të braktisur nga Bashkia e Lushnjës edhe pse paguajnë të gjitha detyrimet ndaj saj.

Një vit më parë...

Rreth një vit më parë tregtarët lushnjarë protestuan para bashkisë për të njëjtën çështje, duke kërkuar moslargimin nga vendi ku punuan për disa vite. Ata madje patën dhe një takim me kreun e LSI-së, Ilir Metën, për “të bindur” kryebashkiakun Sanxhaku të hiqte dorë nga kjo ide. Ndërkohë gjatë fundvitit të shkuar firma, e cila do të realizojë projektin për ngritjen e një qendre tregtare u la si afat të fundit datën 10 janar për t’u shpërngulur në një vend tjetër për tregtim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›