E Diel, 1 Nëntor 2026

Rikompozimi i KQZ, emrat e rinj në dorë të Ramës e Berishës

 

Brenda datës 10 shkurt Parlamenti do duhet të ketë miratuar përbërjen e Komisionit të ri Qendror të Zgjedhjeve. Ndërkohë që kanë nisur tratativat për emrat që dy partitë kryesore do të propozojnë, ende ato nuk janë hedhur për diskutim në kryesitë apo sekretariatet e partive respektive. Burime pranë Partisë Socialiste pohojnë se asnjë emër konkret nuk është hedhur për diskutim, ndërsa nuk ngurojnë të shprehen se “duket që kandidaturat mbeten ekskluzivitet i kryetarit Rama”. Sipas Kodit të ri Zgjedhor, kandidatët që do të propozohen për në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve nuk duhet të jenë anëtarë të forumeve qendrore të partive politike. Pritet që kandidaturat që partitë do të sjellin në Kuvend të jenë emra pak të përfshirë në ambientet partiake, por ata duhet të jetë medoemos juristë të njohur. Sipas Kodit Zgjedhor, partitë duhet të çojnë në Kuvend katër emra, ndër të cilët dy duhet të jenë gra, për të zgjedhur dy prej tyre. Burime pranë PS-së pohojnë se anëtarja aktuale e KQZ-së, Dëshira Subashi, mund të jetë një nga propozimet e Ramës, pasi gjatë ushtrimit të detyrës së saj në këtë institucion, është provuar për korrektësi dhe dinjitet ndaj ligjit. Por edhe nga krahu i PD-së do të jetë Berisha ai që do të propozojë kandidaturat, ku priten emra surprizë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›