Rama akuzon presidentin dhe kryeprokurorin: Por nuk do ti shkarkojmë
Tiranë- Gjatë mbledhjes së parë të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Edi Rama akuzoi Presidentin e Republikës, që në cilësinë e kryetarit të KLD-së i ka hapur rrugë emërimit në poste të larta të gjykatësve që kanë qenë drejtues të proceseve të kontestuara publikisht dhe me përmbajtje politike.
Rama tha se ne nuk e morëm votën e shqiptarëve për të bërë atë që bëri Berisha, duke pushtuar e marrë nën kontroll institucionet kushtetuese dhe të pavarura.
Ne do të punojmë me një president të cilin nuk e kemi votuar, por fakti që ai është i një krahu tjetër nuk na pengon,- tha Rama.
Pasi dha këtë garanci, Rama nuk kurseu kritikat për emërtimet e fundit të disa gjykatësve në Apelin e Tiranës, të cilët kanë patur në dorë çështje politike të kontestuara si ato zgjedhore apo gjyqi i Gërdecit etj.
Më kritik Rama ishte ndaj Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla. Duke iu referuar takimit që kishte me kryeprokuroprin, Rama tha se ne do të punojmë me këtë prokuror dhe presim intesifikimin e luftës kundër korrupsionit, krimit dhe padrejtësisë që bie mbi njerëzit e thjeshtë. Ai lëshoi akuza të forta ndaj korrupsionit dhe prokurorëve të korruptuar, duke saktësuar madje se ky kryeprokuror nuk ka bërë asgjë deri tani që duhet të kujtohet dhe respektohet si kryeprokuror.
Ne nuk do të tolerojmë më kulturë mosndëshkimi dhe lufta kundër korrupsionit do të jetë në krye të axhendës tonë,- deklaroi Rama, ndersa siguroi se nuk do të ketë inisitiva për ta shkarkuar Prokurorin e Përgjithshëm.