E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama anashkalon goditjen që i dha Veliaj nga qelia, reagon Kryeministria: Veliaj është kryetar

Gjykata Administrative rrëzon padinë e Erion Veliajt ndaj prokurorit Ols Dado

Kryeministria ka reaguar lidhur me vendimin e Erion Veliajt për të shkarkuar Anuela Ristanin nga detyra e kryetares së komanduar të Bashkisë së Tiranës.

Zëdhënësja e Agjencisë për Media dhe Informim në Kryeministri, Manjola Hasa, në një reagim për gazetaren e Top Channel, Kristi Gongo, ka deklaruar se Erion Veliaj vijon të jetë kryetar i Bashkisë së Tiranës, bazuar në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Sipas Kryeministrisë, mandati i Veliajt duhet respektuar, ndërsa situata e krijuar në Bashkinë e Tiranës është pasojë e faktit që kryetari i zgjedhur ndodhet në qeli, duke sjellë, sipas saj, një situatë të pazakontë institucionale.

Në reagim theksohet se ushtrimi i mandatit të Veliajt nuk është vetëm e drejtë e tij si person i zgjedhur, por edhe e drejtë e zgjedhësve të kryeqytetit.

Sponsorizuar

Reagimi i plotë:

“Për këtë çështje ka folur Gjykata Kushtetuese dhe vendimi i saj është i qartë: Erion Veliaj është kryetar i Bashkisë së Tiranës dhe ushtrimi i mandatit nga ana e vet, nuk është një e drejtë thjesht e tij si i zgjedhur, po është një e drejtë e zgjedhësve të kryeqytetit, e cila cënohet përditë me pasoja jo të papërfillshme në mbarëvajtjen e punëve dhe shërbimeve të Bashkisë Tiranë.
Ky është opinioni i kryeministrit dhe kjo është një çështje e respektimit të Kushtetutës e të vullnetit të zgjedhësve, tek e cila kryeministri nuk sheh hapësirë për interpretime nga askush.
Sa për “situatën e krijuar” në Bashkinë e Tiranës, ajo është pjesë e konfuzionit që ka krijuar në ecurinë e kryeqytetit të Shqipërisë kyçja e të zgjedhurit në qeli, e cila ka imponuar një qeverisje të Tiranës me vartës në distancë –  një absurd “ligjor” që në Europën demokratike as nuk mund të imagjinohet, e jo më të ndodhë.”m.k

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›