E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama, apel Berishës: Mos prek mandatin e 9 në Fier dhe të 5 në Berat

Partia Socialiste ripërsërit çdo ditë qëndrimin e saj të prerë se nuk do ti njohë zgjedhjet e 28 qershor, duke i bërë apel Berishës që mos e prekë mandatin e saj të 9 në qarkun e Fierit. Socialistët janë të vendosur tu qëndrojnë deri në fund kërkesave të tyre, ndonëse vetë Berisha dhe Ristani kanë deklaruar se do të numërohen kutitë e Fierit ashtu siç u numëruan të Fushëkuqes.Veç procesit zgjedhor, akuzat e PS tani janë kthyer edhen drejtim të marrëveshjes Meta-Berisha, marrëveshje e cila ka ardhur duke u konsoliduar për të formuar qeverinë e re të dalë nga zgjedhjet e qershorit. Pas humbjes së zgjedhjeve, socialistët e akuzojnë koalicionin qeverisës, si një koalicion të ngutur që nuk përfaqëson interesat e vendit. Ka qenë vetë kreu i selisë rozë, Edi Rama, i cili ka deklaruar edhe një herë se Partia Socialiste nuk do të heqë dorë nga mandati i Fierit, duke i bërë apel Berishës që të largohet nga ky mandat, përndryshe do të përballet jo vetëm me jo vetëm me mocionin e zgjedhjeve por dhe me reagimin e merituar të popullit të Fierit. Pa u hapur ende retë e zeza të 28 qershorit mbi Fierin, Beratin, Shkodrën, Tiranën e gjetkë, Sali Berisha dhe Ilir Meta nxituan të bëjnë publike marrëdhënien e tyre për ta vënë popullin opozitar përballë faktit të kryer dhe për ta shkurajuar Partinë Socialiste në rrugën e kërkimit të mandatit të 9 në Fier, të mandatit të 5 në Berat, e me radhë deri në zbardhjen e plotë të këtij procesi pa standarde, nga ku po del një qeveri e cila quhet e integrimit evropian të Shqipërisë, por në fakt është e integrimit ekonomik të dy oborreve familjare e klanore, në dëm të lirisë e demokracisë së vendit tonë dhe në kurriz të qytetarëve shqiptarë, u shpreh Rama. Më tej, ai ka sulmuar koalicionin e ri qeverisës duke u shprehur se Sali Berishën dhe Ilir Metën i bashkon politika e vjetër, e gënjeshtrës dhe mllefit, e interesave politike dhe ekonomike tërësisht personale e klanore. Ata janë sot shëmbëlltyra vetëdemaskuese e një teatri që u luajt për të marrë votat e shqiptarëve, si kundërshtarë të betuar dhe për të krijuar pastaj me këto vota një aleancë të betuar kundër vullnetit dhe interesave të zgjedhësve shqiptarë, kundër ndryshimit të vërtet dhe kundër të vërtetës së 28 qershorit dhe kundër Partisë Socialiste. Sali Berisha dhe Ilir Meta, janë sot dy fytyrat e së njëjtës gënjeshtër, e të njëjtit mllef, e të njëjtave interesa politike e ekonomike, tërësisht personale e klanore, që me shpifje të ulëta, diversione të neveritshme, përpjekje të dëshpëruara, po mundohen të vrasin me një gur dy zogj, të legjitimojnë zgjedhjet e grabitura dhe të demoralizojnë e nënshtrojnë Partinë Socialiste. As njërën, as tjetrën nuk do ta arrijnë dhe sa më shumë të ngjajnë me njëri-tjetrin në shpifjet e tyre të paskrupullta, sa më shumë të plotësojnë njëri-tjetrin në lojën e tyre të turpshme, sa më shumë të orvaten në planin e tyre të dështuar për të përbaltur Partinë Socialiste dhe mua personalisht, aq më e qatë bëhet për të gjithë shqiptarët, se ky çift i ri i politikës së vjetër ka lindur për të mbajtur peng të ardhmen e tyre, për të dhunuar vullnetin e tyre, për të plaçkitur atdheun e tyre, vijoi më tej Rama. Sipas Ramës Partia Socialiste është më e fortë se asnjëherë, duke shtuar se sulmet primitive të Berishës vetëm ia forcojnë bindjen në drejtësinë e një beteje që si pas Ramës nuk ka ndërmend ta lë përgjysmë e as do ta fitojnë duke marrë peng qeverinë e Shqipërisë. Unë rinënvizoj sot me forcë në adresë të çiftit të ri të politikës së vjetër atë që Partia Socialiste ka theksuar vijimësisht gjatë këtyre ditëve: Mos prekni mandatin e 9 të socialistëve në Fier, sepse do të përballeni, jo vetëm me mosnjohjen e zgjedhjeve, por edhe me reagimin e merituar të popullit të Fierit e të gjithë Shqipërisë. Ne nuk e lëshojmë mandatin e 9 të Fierit me asnjë çmim dhe nuk tërhiqemi nga zbardhja deri në fund e krimit elektoral të 28 qershorit për asnjë arsye, theksoi Rama. Së fundmi kreu i selisë rozë deklaroi se Partia Socialiste e Shqipërisë, është forca e parë politike në vend, që sot sipas Ramës ka një detyrë të pashmangshme, mbrojtjen me çdo kusht të lirisë e të demokracisë në vend, mbrojtjen me çdo çmim të interesave të vendit e të popullit të dhunuar në vullnetin e tij sovran, mbrojtjen me çdo mjet të së drejtës e të dinjitetit të çdo zgjedhësi që ka votuar në 28 qershor, për tu ndarë nga e shkuara.
 *********************************************************
Mëhilli: Rama të mos trillojë, por të pranojë humbjen
Menjëherë pas akuzave të Ramës në drejtim të qeverisë për manipulimin e procesit zgjedhorë, ka reaguar Partia Demokratike nëpërmjet zëdhënëses së saj, Erla Mëhilli, e cila i ka bërë apel Ramë ti lërë trillimet dhe të pranojë humbjen e 28 qershorit. Edi Rama vetë dhe me zëdhënësit e tij në vend që të pranojnë humbjen kalon nga trillimi në trillim nga kërcënimi në kërcënim. Partia  Demokratike i kërkon Rama të heq dorë nga presionet dhe kërcënimet ndaj institucioneve vendimmarrëse për procesin zgjedhor, të pranojë humbjen dhe verdiktin e qytetarëve shqiptarë, deklaroi zëdhënësja e Partisë Demokratike, Erla Mëhilli. Më tej, Mëhilli shtoi se koha është e shqiptarëve e atyre që votuan për projektin e Shqipërisë Evropiane, më të madhin projekt në historinë e këtij vendi dhe e atyre që për arsye të ndryshme nuk votuan kartën e zotit Rama. Nga zgjedhjet nuk ka të humbur ndërsa përpjekja për të shkelmuar vullnetin e qytetarëve shqiptarë është thjesht përpjekje maskarenjsh, përfundoi Mëhilli.

Last Updated on Saturday, 11 July 2009 17:20

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›