E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fier, dhjetëra hektarë toke, nën pushtetin e kolonive me karkaleca

Dhjetëra hektarë tokë janë pushtuar dhe po mbahen tashmë nën pushtetin e kolonive me karkaleca në rrethin Fier. Ka disa ditë që më shumë se 80 ha tokë e mbjellë është dëmtuar sërish nga karkaleci, insekti që përvit bëhet burim shkatërrimi për këto sipërfaqe. Edhe pse disa herë problemi është bërë evident, infeksioni ka mbijetuar  në këto toka dhe sapo troket stina e nxehtë insektet rigjallërohen. Më tepër të dëmtuar janë tokat e Semanit, sektor-Semanit dhe Dermenasit. Fermerët e këtyre zonave kanë deklaruar se u janë dëmtuar rëndë tokat e mbjella me foragjere dhe perime. Ata ankohen gjithashtu se nuk e përballojnë dot këtë situatë pasi karkaleci ka rënë  në masë dhe nuk gjendet rrugë për ta shpartalluar. Fermerët tregojnë se ushtri të tëra me karkaleca kanë sulmuar në mënyrë të veçantë fasulen dhe misrin. Është i treti vit rresht që po na ikin me miliona lekë dëm dhe kjo vjen për faj të shtetit. As nuk e kanë vrarë mendjen fare për ne, megjithëse kjo situatë nuk është e panjohur për ta. Na premtoi ministri i Bujqësisë se do të na spërkaste të gjitha tokat me qëllim dezinfektimin dhe largimin e këtij insekti. Çdo vit e më shumë po njohim falimentimin vetëm se nuk kemi askënd që të kujdeset. E dogjëm tokën përpara se ta mbillnim me qëllim që ti digjeshin mikrobet, por është e pamundur. Ai duhet të dezinfektohet nga lartësitë me ndonjë pesticid cilësore ka treguar Muslym Zarka një fermer i fshatit Seman. Fermerët shprehen të shqetësuar se tashmë është faza e parë e korrjes së të mbjellave dhe në këtë rast uzurpimi i karkalecit shkakton dëmtim të madh ekonomik. Po të jetë e njëjta situatë edhe për 10 ditë, fermerët thonë se karkaleci do të pushtojë të gjitha të mbjellat pa përjashtim. Nga ana e komunës Topojë thuhet se karkaleci ka pushtuar disa sipërfaqe dhe kjo njësi vendore është munduar të marrë masa Është viti i tretë që luftojmë këtë insekt. Vitin e parë karkaleci ka dëmtuar shumë dhe ne kemi punuar me grupe pune për shfarosjen e tij. Deri tani na rezulton që në shkallë komune dëmtimi me barkalecë të ketë prekur rreth 150 fermerë ka treguar Viktor Tirana, agronomi i komunës. Për këtë situatë është njoftuar edhe drejtoria e bujqësisë dhe kreu I kësaj të fundit Fatos Troka është shprehur se shqetësimi nuk është shumë i madh, pasi zona është trajtuar me kimikate vitet e mëparshme dhe kjo jep garanci. Nga konstatimet e inspektorëve tanë dhe atyre të komunës kemi rreth 80 ha të infektuara nga karkaleci dhe ne kemi marrë të gjitha masat për të luftuar sa më parë këtë insekt të dëmshëm të kulturave bujqësore. Për të gjithë fermerët e prekur, ne do ta japim falas preparat spërkatës ka vijuar Troka në fjalën e tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›