Rama, apel Topit: Ju dërguam letër për zgjedhjet. Duam përgjigje
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, kritikoi dje Presidentin Bamir Topi, duke konstatuar se ai ende nuk i ka kthyer një përgjigje letrës së dërguar nga opozita për atë çka cilësohet "krimi elektoral i 28 qershorit". Sipas tij, Presidenti Topi ende nuk i ka dhënë përgjigje dhe nuk ka reaguar ndaj një letre drejtuar në adresë të tij ku janë ngritur shqetësimet për kthimin e burgjeve në seksione të fushatës elektorale të PD, dhe lirimin e një sërë njerëzish të rrezikshmërisë së lartë në këtë kohë. "Këtë presim nga Presidenti dhe shpresojmë në një përgjigje", u shpreh kryetari i PS-së, Edi Rama. Duke komentuar deklaratën e kreut të KQZ-së, Arben Ristani, se ky institucion do të djegë fletët e votimit të zgjedhjeve të 28 qershorit për të boshatisur kutitë, lideri i opozitës gjeti rastin t‘i bëjë një tjetër apel Kryeministrit që të mos e bëjë këtë provokim. "Së pari, ky është një provokim i hapur dhe rëndim i bazës që rëndon më tej dhe më shumë Sali Berishën. Së dyti, çështja e kutive është e domosdoshme se Sali Berisha duhet të kuptojë se do të jetë e keqja e tij nëse do të preken kutitë, pasi ato janë objekti i prekshëm i transparencës tonë. Unë nuk e uroj këtë për askënd dhe për vetë Sali Berishën", nënvizoi Rama. Më tej, kreu socialist tregoi arsyet pse ai dhe Partia Socialiste nuk i njohin zgjedhjet e 28 qershorit. Sipas Ramës, çështja e lirimit të të burgosurve është një prej arsyeve ndaj i ka dërguar edhe letrën Presidentit të Republikës. Kreu i selisë rozë theksoi se mosnjohja e zgjedhjeve ka një bazë të fuqishme që i detyron socialistët të qëndrojnë jashtë Parlamentit. "Ne nuk kërkojmë ndryshimin e pushtetit në tavolinë. Por, kemi detyrim historik t‘i japim fund historisë së zgjedhjeve të papranueshme që zgjedhjet e ardhshme të mos jenë njësoj si këto", theksoi Rama. Kryetari i PS-së dje la të kuptohet edhe se opozita mund të mos marrë pjesë në zgjedhjet e pjesshme lokale të 15 nëntorit. "Ende nuk kemi marrë vendim për këtë, por besoj se logjika e gjërave na çon se nuk na ha mendja se do të jemi, pjesë e këtyre zgjedhjeve", tha kryetari i PS-së, Edi Rama. Ai nënvizoi se Kryeministri Sali Berisha po e kthen Shqipërinë në një çiflig të familjes së tij dhe oborrit të shërbyesve që e rrethojnë. Rama mohoi të gjitha deklarata kritikuese që Sali Berisha dhe mazhoranca e tij kanë bërë në adresë të opozitës se po pengon realizimin e reformave të mëdha duke mbajtur peng integrimin e vendit drejt BE-së. Këto, tha Rama janë totalisht të pavërteta, sepse sipas tij, opozita ka dhënë kontributin e saj për realizimin e reformave të mëdha dhe ka dhënë mbështetjen pikërisht atëherë kur duhej, duke hapur një proces dhe duke dhënë konsensus për reformat e mëdha dhe duke mundësuar kështu disa hapa që u duartrokitën nga komuniteti ndërkombëtar. Ne, shtoi Rama më tej po japim kontributin tonë duke i thënë ndal Sali Berishës, ndal këtij pushteti, këtij Parlamenti, këtyre forcave të verbra që duan ta kthejnë Shqipërinë në një sulltanat. Por Rama i kujtoi Kryeministrit Sali Berisha se "Shqipëria nuk mund të bëhet as sulltanat dhe as një ish-republikë sovjetike ku një klan, një familje, një njeri sundojnë mbi të tjerët duke manipuluar dhe dëmtuar vullnetin e të gjithë të tjerëve".