E Shtunë, 31 Tetor 2026

PDU-ja DHE NJE TELEFONATE RREQETHESE...

Numri i telefonit ishte i panjohur, por këmbëngulës. Dikur iu përgjigja. Ishte një miku im i hershëm nga Korça. Jemi në Tiranë, më tha, dhe dëshirojmë të pimë ndonjë birrë. Nuk e pata të vështirë të hetoja një nënshtresë gëzimi të përmbajtur në zërin e tij. Gëzim i përmbajtur dhe angazhues, shtova me mend më pas, kur sapo shkëmbyem përshëndetjet e rastit dhe u ula në tavolinën e tyre.

Ishin së bashku katër mesoburra. Seriozë. I njihja. Tre prej tyre kishin pasur poste drejtuese në zyrat e zonës juglindore. Njëri prej tyre kishte ndërtuar një frigorifer për produktet bujqësore. Ndërsa i katërti ende punonte në një zyrë të rëndësishme lokale. Që të katër i kisha pas njohur si njerëz ambiciozë, por edhe me një lloj vetëpërmbajtjeje, që u jepte autoritet dhe respekt në shoqëri.

Siç e prisja, biseda u soll shpejt e shpejt në politikë. Çuditërisht, pasi kaluan shkarazi pretendimin e Ramës për protesta, më pyetën gjerë e gjatë për partinë më të re të krijuar në Parlament nga bashkimi i dy deputetëve me origjinë çame, pra për Partinë për Drejtësi dhe Unitet. S‘po e kuptoja interesimin e tyre, pasi, edhe pse burra të mirë e patriotë, asnjëri nuk kishte ndonjë lidhje me Çamërinë.

- Bëmë shumë gabim që nuk bëmë edhe ne një parti të korçarëve, - më tha dikur ai që ishte bërë edhe shkaku i takimit, - tani do të kishim pasur edhe ne ndonjë ministër…

- Asnjëherë s‘është vonë, - tha një i dytë, pikërisht ai që kishte ndërtuar një frigorifer të madh të produkteve bujqësore.

Arsyetimi i tyre ishte pak a shumë si më poshtë: meqenëse Kodi Elektoral nuk e ndalonte, madje përkundrazi, i jepte dorë, ata do të krijonin një parti me bazë lokale, diçka si p.sh. "Korça për korçarët". U thashë se Kushtetuta nuk i lejonte këto parti. Pastaj shtova duke arsyetuar se Shqipëria është shumë e vogël për t‘u ndarë edhe më nën kthetrat e interesave të ngushta lokale. Ndryshe nga shumë krahina të tjera, thashë, Çamëria ka probleme të mbartura të të drejtave që burojnë nga historia dhe nga gjeografia politike… Mirëpo ata, edhe pse më dhanë të drejtë më shumë për edukatë, duket se e kishin ndërtuar ndërkaq planin e tyre. Mbase edhe unë i njihja më pak nga sa kujtoja dhe nuk i kisha menduar që të ishin kaq shumë njerëz të dhënë pas karrierës politike. Më argumentuan me një zjarrmi të paparashikuar se si do ta bënin një parti të korçarëve. Emrin do t‘ia vinin sigurisht jo "Korça për korçarët", por diçka si "Partia për Drejtësi dhe Barazi", për shembull, do të abuzonin me pretendime qesharake dhe spekulative, si p.sh., duke mbajtur një taksë lokale për çdo makinë dhe mall që vinte nga Greqia, do të kontrollonin ujërat e lumit Devoll ku do të ngriheshin kaskadat e disa hidrocentraleve… U thashë se kjo është e pamundur. Ata qeshën. E dinin që këto ishin të pamundura, por ama do të mblidhnin vota me këtë populizëm lokalist. Kishin bërë llogaritë se sa korçarë ishin shpërndarë anembanë Shqipërisë. I dëgjoja dhe m‘u duk sikur po përjetoja një realitet të ujshëm. Nga ekrani i TV-së, varur në mur, përcillej me entuziazëm vizita e Berishës në Kosovë, më tej protesta e ministrit të Jashtëm të Federatës Ruse…

Kur u ngrita për të ikur, vura re se po më merreshin mendtë.

***

Vërtet, mendoja më vonë, po sikur të ndodhë një gjë e tillë? Po sikur në dymbëdhjetë qarqet të krijohen dymbëdhjetë parti me bazë lokale të fshehura nën emra bashkëkohorë "demokratikë" apo të "shtetit të së drejtës"? Dibra, madje, mund ta shtrinte partinë e "dibranëve" edhe në të dyja anët e kufirit. Mbase edhe Pogradeci me Strugën. Apo Librazhdi. Tropoja dhe Kukësi po se po. Shkodra me Ulqinin… Mirditorëve do t‘u duhej të dilnin sipër qarqeve administrativë… Lebërve po ashtu…

Pak nga pak po më krijohej një ndjesi thuajse fantazmagorike: Shqipëria e shqyer dhe e copëtuar nën interesat banale dhe arriviste të të ashtuquajturave "grupe të interesit".

Me këtë rast solla nëpër mendje pretendimin se Kodi Zgjedhor e kishte marrë këtë model nga Spanja dhe se mbështetej te principet e autonomisë lokale. Kisha punuar në Spanjë. Më shumë se 45 milionë banorë. Shtatëmbëdhjetë rajone. Dhe disa qytete me status special, si Ceuta, p.sh. Të paktën dy rajone as që pranonin të identifikoheshin, qoftë edhe historikisht, me zemrën e Spanjës së vërtetë: Katalonja dhe Vendi Bask. Ato rajone kishin gjuhët e tyre, akademitë e veta të shkencave, universitetet dhe madje edhe parlamentet rajonale që administronin jetën vendore. Rajoni më i vogël ishte jo më pak se 2 milionë banorë… Kurse te ne dimensionet e të ashtuquajturve "qarqe" janë të përmasave qesharake. Sigurisht, aktiviteti i tyre ka zgjeruar aftësinë qeverisëse dhe ka përmirësuar e përshpejtuar projektet me karakter zonal, ka fuqizuar kapacitetet, por kurrsesi s‘mund të ketë të krahasuar me rajonet e Spanjës dhe as me laryshinë etnike dhe kombëtare të atij vendi të madh, ku edhe ndryshimet janë të paimagjinueshme. Po a mund të na dëshmojnë përpiluesit e Kodit tonë Zgjedhor, ku qëndron ndryshimi mes Qarkut të Kukësit dhe atij të Dibrës? Po ato mes Kolonjës dhe Përmetit? Mes Lezhës dhe Shkodrës? Mbi ç‘kritere nga njëri rajon (qark) dalin katër deputetë dhe nga një tjetër tridhjetë e tre?

Iu ktheva rekomandimeve të fundit të OSBE-së dhe ODIHR-it. Ashtu siç e prisja, raportuesit nuk kishin arritur të perceptonin dimensionet e rrezikut të fragmentarizimit të skajshëm të vendit. Dhe nuk kishin përse. Neve po.

***

Ata që merren me teoritë e funksionimit të shtetit nënvizojnë se në realitetet globale, ndjesitë dhe tendencat e veçanësive lokale fuqizohen. Pak a shumë është një refleks retrogradë që ka të bëjë me instinktin e rrezikut të humbjes së identitetit në hapësirat që sa vijnë e rriten. Në këtë kohë, vijojnë analizat e tyre, rizgjohen tendencat e mbylljes dhe të vetidentifikimit me anë të veçanësive që jo rrallë thërriten nga një e kaluar e largët. Testi nëse realiteti është apo jo demokratik, është apo jo funksional, është pikërisht aftësia për t‘i harmonizuar këto veçanësi, duke maksimizuar kësisoj produktivitetin.

Mirëpo përpiluesit e Kodit tonë Zgjedhor as që e kanë marrë mundimin të analizojnë në këtë këndvështrim pasojat e kësaj "ndarjeje" rajonale të vendit. Qartësisht prapa këtij projekti qëndronin vetëm interesat e ngushta të përpiluesve, të cilët kishin si pikësynim vetëm zgjedhjen e vetvetes në kushtet kur elektorati ishte lodhur me moseficensën e tyre politike dhe me mungesën e integritetit moral. Besoj se ka qenë një vetëpërmbajtje e lartë kombëtare e qytetarëve që më shumë se sa ndoca interesa të pjesshme, vlerësuan projektet e partive politike. Mirëpo krijimi në Parlament i grupimit të PDU-së, në mënyrë transversale, me dy deputetë që vijnë nga dy partitë më të mëdha kundërshtare, pavarësisht pikësynimeve patriotike që unë i respektoj, përbën një paralajmërim, i cili vlen të merret në konsideratë, madje mbase më shumë se sa rekomandimet e raportit përfundimtar të OSBE-ODIHR-it.

***

Dhe, nëse më bie sërish zilja e telefonit dhe më merr ndonjëri nga ata burrat për të cilët ju fola në krye të shkrimit, nuk do t‘u përgjigjem. E, megjithatë, nuk premtoj se nuk do të ngjethem…

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›