PS, letër ambasadave: KQZ të mos i djegë fletët e votimit
Pak ditë para protestës popullore në mbrojtje të votës së lirë dhe kundër vullnetit të shumicës për të mos hapur kutitë e votimit, Partia Socialiste i dërgon një letër të hapur Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe për dijeni ambasadës së SHBA-së dhe prezencës së OSBE-së dhe KE-së në Tiranë. "Të nderuar anëtarë të KQZ-së. Siç mundet të jeni në dijeni, Partia Socialiste e Shqipërisë, përmes një komisioni të posaçëm hetimor parlamentar kërkon një hetim rreth disa aspekteve të procesit zgjedhor të datës 28 qershor 2009", thuhet në letër. Për kryerjen e këtij hetimi, Partia Socialiste konsideron se është e domosdoshme këqyrja e dokumentacionit përkatës që ndodhet në kutitë e votimit dhe kutitë e materialeve zgjedhore të përdorura në këto zgjedhje. "Për sa më sipër, si dhe në interes të publikut, në interes të një gjykimi dhe vlerësimi më të plotë mbi disa aspekte të procesit zgjedhor të datës 28 qershor 2009, në interes të përmbushjes së rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it pas zgjedhjeve të fundit për Kuvendin e Shqipërisë, PS-ja kërkon nga KQZ-ja që sa kohë nuk ka asnjë rrethanë apo shkak objektiv që do ta detyronte atë të procedonte sipas nenit 178 të Kodit Zgjedhor, të mos fillojë me procesin e hapjes së kutive të votimit dhe atyre të materialeve të votimit të përdorura në zgjedhjet e datës 28 qershor 2009", konstatohet në letër. Veçanërisht, përmes kësaj kërkese, partia kryesore e opozitës i kërkon Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të mos veprojë për asgjësimin e fletëve të votimit që ndodhen në kutitë e votimit të përdorura në këto zgjedhje, pasi çdo përpjekje e nxituar në këtë drejtim do të përbënte një veprim të motivuar politikisht dhe me pasoja serioze për vendin. "Me këtë rast i sjellim në vëmendje Komisionit Qendror të Zgjedhjeve se një praktikë e tillë dhe një kërkesë e tillë është marrë në konsideratë nga ky institucion edhe pas zgjedhjeve të vitit 2001 dhe atyre të vitit 2003. Gjithashtu i kërkojmë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që t‘i mundësojë akses përfaqësuesve të Partisë Socialiste për të vëzhguar nga afër dhe në mënyrë periodike ambientet ku ruhen kutitë e votimit, me qëllim rritjen e transparencës dhe sigurisë në lidhje me paprekshmërinë e tyre. Shpresojmë që kjo kërkesë të vlerësohet seriozisht dhe me përgjegjësi nga ana juaj", përfundon letra e nënshkruar nga sekretari për çështjet ligjore dhe koordinimin në PS, Fatmir Xhafaj.