Rama, apel policisë: Mos u bëni palë me pushtetin
Forcat e policisë, të qëndrojnë larg pushtetit. Ky ishte apeli i lëshuar nga kreu socialist Edi Rama gjatë një takimi elektoral në qytetin e Gjirokastrës. Një ditë pasi paralajmëroi që askush të mos guxojë të prekë votën e 28 qershorit, kryetari i selisë rozë është fokusuar te forcat e rendit, një element i rëndësishëm për sigurinë në ditën e zgjedhjeve. "Asnjë shqiptar i veshur me uniformën e policisë nuk duhet të ngatërrojë ngjyrën e uniformës të shtetit me ngjyrën e flamurit të pushtetit dhe duhet të qëndrojë larg votave të popullit shqiptar më 28 qershor. Sepse ndryshe do të ndëshkohet dhe nuk do të kemi paqe deri sa ta vëmë përpara ligjit", tha Rama. Në vëmendje të Ramës ishte edhe një mesazh për Kryeministrin Berisha, i cili mban përgjegjësi për mbarëvajtjen dhe standardet e këtyre zgjedhjeve. "Dua t‘i them Sali Berishës se nuk ka turp më të madh për një pushtet dhe për një Kryeministër në Europën e shekullit të 21, që nga një anë t‘u numërojë përditë arsimtarëve dhe arsimtareve rrogën që u rrit dhe nga ana tjetër t‘i kërcënojë përditë se po nuk i dhanë votën do t‘u heqë rrogën. Asnjë arsimtar dhe arsimtare nuk duhet të trembet përpara këtij presioni njerëzish të dëshpëruar, që bëjnë gjëra të dëshpëruara, sepse nuk shmangin dot humbjen e paralajmëruar", deklaroi Rama. Më tej, kryesocialisti u ndal tek angazhimet e PS-së për Gjirokastrën, duke u fokusuar te rikthimi i vlerave në qytetin historik dhe kulturor. "Do t‘i japim më në fund Gjirokastrës mundësinë që të rikthehet në shkëlqimin e saj të dikurshëm, që të ribëhet qyteti i ëndrrave, qyteti i shpresave, qyteti i të gjithë atyre që meritojnë më shumë, qyteti i të gjithë atyre që duan dritë, qyteti i të gjithë atyre që duan të dinë se nga vijnë, cila është historia jonë, cila është kultura jonë", theksoi ai. Veç të tjerash, kreu i selisë rozë e vuri theksin edhe tek investimi për fushën e arsimit si një qytet i rilindur universitar, si një pol i ri i Jugut, si një pol ku do të vijnë shumë më tepër turistë dhe turiste se sa sot dhe nga ku do të shporret varfëria.