E Diel, 1 Nëntor 2026

Kandidati i PS-së, padi për kanosje

Ashpërsohet fushata elektorale. Kandidati për deputet i Partisë Socialiste për Qarkun e Korçës, Alfred Dalipi, ka pretenduar dje se është kërcënuar me jetë nga disa persona. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Voran, Komuna Mollaj, kur Dalipi ka qenë duke organizuar një takim me banorët e zonës. Kandidati i selisë rozë ka denoncuar pranë organit të akuzës së Korçës se është kërcënuar fizikisht në mënyrë të përsëritur nga persona të vendosur prej pushtetit vendor, me pretendimin se nuk kishte marrë leje më parë për të zhvilluar takimin, duke u konsideruar si jo të mirëpritur. Dalipi ka pohuar se është kërcënuar me vrasje dhe i është kërkuar të largohet nga komuna e më pas është ndjekur me makinë. Pas ngjarjes, Dalipi ka bërë kallëzim pranë prokurorisë së rrethit, ku ka deklaruar se është kërcënuar në mënyrë të përsëritur me jetë, se ka emra konkretë që i ka lënë në dispozicion të organit të akuzës. Ndërkohë, Dalipi ka denoncuar edhe mungesën totale të policisë, që, sipas tij, ka qëndruar indiferente dhe nuk ka ndërhyrë, pavarësisht se ka për detyrë të mbrojë dhe garantojë jetën e deputetit të Parlamentit shqiptar. Ndërkohë mësohet se policia ende nuk ka shoqëruar asnjë person dhe është në pritje të një urdhri të organit të akuzës.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›