E Diel, 1 Nëntor 2026

Koplik, vritet kreu i PDK-së. Akuza Topallit

Kryetari i Partisë Demokristiane (PDK) për rrethin e Malësisë së Madhe ka mbetur i vdekur dje, kur makina e tij u hodh në erë nga një sasi eksplozivi, që sipas policisë është aktivizuar me telekomandë. Aleksandër Keka, 38 vjeç, baba i tre fëmijëve, sipërmarrës i njohur në biznesin e ndërtimit, vdiq i copëtuar nga eksplozivi i fuqishëm, që mendohet se ishte vendosur poshtë makinës së tij. Drejtuesit e Partisë Demokristiane, të cilët ndodheshin në Shkodër për një takim ku do të merrte pjesë edhe Keka, kanë mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes dhe e kanë konsideruar ngjarjen një "atentat me motive të pastra politike, të planifikuar nga eksponentë të Partisë Demokratike". Nga ana tjetër, Policia e Shtetit ka nxituar ta kanalizojë çështjen në hullinë e larjes së hesapeve mes kriminelësh, pasi e ka quajtur viktimën person me precedentë penalë, edhe pse ai figuron i padënuar më parë.

Ngjarja

Aleksandër Keka ishte nisur nga Bajza, ku banonte, për në Shkodër, ku do të zhvillonte një takim me kryetarin e Partisë Demokristiane Nard Ndoka dhe krerë të tjerë të kësaj partie. Keka po lëvizte i vetëm me automjetin tip "Mitsubishi Pajero" me targë SH2125E, kur në vendin e quajtur Ura e Rrjollit një shpërthim i fuqishëm ka ndodhur në makinë. Dëshmitarë okularë thanë se panë një shpërthim në makinë dhe shoferin të kërcente jashtë e të binte duke u përpëlitur në asfalt. Më pas, makina ka vijuar lëvizjen për rreth 30 metra dhe ka dalë jashtë rrugës, ku është djegur plotësisht. Dëshmitarët njoftuan menjëherë me telefon policinë, e cila e identifikoi shpejt viktimën dhe bllokoi qarkullimin në rrugën që lidh Koplikun me Shkodrën, pasi në një gjatësi të madhe të saj kishte gjurmë të shpërthimit që marrin vlerën e provës.

Hetimet

Në fillim informacionet e para të policisë ishin për një automjet që është djegur në lëvizje dhe drejtuesi i saj ka mbetur i vdekur. Në pak minuta është kuptuar se nuk bëhej fjalë për një djegie aksidentale, por për një shpërthim eksplozivi. Ekspertët e policisë konstatuan se tavani i makinës ishte shkulur në momentin e shpërthimit dhe bashkë me të kishte fluturuar jashtë edhe viktima. Trupi i 38-vjeçarit ishte copëtuar, gjë që nuk ndodh as nga zjarri, as nga shpërthimi i karburantit. Pasi ka marrë edhe informacionet nga dëshmitarë okularë për shpërthim në ecje të mjetit, policia e ka ndryshuar menjëherë pistën e hetimit, duke e klasifikuar atë si një atentat tepër të sofistikuar.

Pas Policisë së Shkodrës, në vendin e ngjarjes kanë mbërritur nëndrejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Agron Kuliçi, ekspertë të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, të Laboratorit Qendror Kriminalistik, të Njësisë Antieksploziv etj., të cilët kanë nisur hetimet nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër. Nuk është dashur shumë që policia të deklarojë një pistë hetimi, e cila është konsideruar krejt e pavend nga familjarët e viktimës dhe nga drejtuesit e partisë ku ai militonte. Zëdhënësi i Policisë së Shtetit, i cili doli në një konferencë për shtyp dje paradite, nuk e përmendi për asnjë moment faktin që viktima e atentatit ishte kryetar i degës së një partie politike, por tha se vlente të theksohej se ky person "është evidentuar nga strukturat e policisë lokale e qendrore si person me precedentë të theksuar kriminalë, me tendencë trafikun e lëndëve narkotike, trafikun e mjeteve motorike, si dhe trafikimin e lëndëve plasëse me telekomandë".

Ky qëndrim i Policisë së Shtetit dhe burime konfidenciale, pohuan për gazetën se pista kryesore ku janë përqendruar hetimet është ajo e konflikteve personale për larje hesapesh.

Reagimet

Flasin të afërmit: Nuk kishte asnjë problem personal, ndaj lëvizte pa frikë i vetëm

"Njerëzit e PD-së i kërkonin

të kalonte në anën e tyre"

Familjarët e Aleksandër Kekës nuk kanë dashur dje të vënë gishtin mbi askënd si autor të vrasjes së të dashurit të tyre, por kanë vënë gjithsesi theksin tek aktiviteti politik i 38-vjeçarit. Babai i viktimës, Prekë Keka, deklaroi dje se i biri ka pasur probleme me përfaqësues të Partisë Demokratike të Qarkut të Shkodrës. Sipas tij, kohët e fundit djali komunikonte shpesh me eksponentë të PD-së në zonë, të cilët po i kërkonin që ai t‘i ndihmonte, pasi kishte shumë influencë në zonë. Babai kujton një telefonatë të ditëve të fundit me Paulin Stërkajn, deputetin e zonës, i cili në këto zgjedhje kandidon nën siglën e PD-së. Sipas babait, Stërkaj i kishte kërkuar Aleksandrit të punonte për PD-në në zonë, por Aleksandri i ishte përgjigjur se nuk kishte dy fytyra. Xhaxhai i viktimës, Llesh Keka, thotë gjithashtu se Aleksandri nuk kishte probleme personale me askënd. Ai lëvizte lirshëm ditën e natën, sepse nuk kishte pse të ruhej. "Një natë përpara vrasjes ishte deri vonë me shokët, duke luajtur futboll. Vetëm ishte nisur edhe për në Shkodër, kur i bënë atentatin", thotë Lleshi, i cili është tepër i indinjuar nga qëndrimi i Policisë së Shtetit, që e konsideroi nipin person me precedentë kriminalë. "Është shumë fyese, turp i paparë, sepse policia duke i pasur njerëzit të gjallë në mes të Shkodrës dhe në mes të Tiranës i akuzon pas vdekjes", tha Lleshi, i cili sqaron se vetëm një ditë më parë Aleksandri kishte qenë në Drejtorinë e Policisë së Shkodrës, për t‘u pajisur me pasaportë të re. Xhaxhai tregon gjithashtu se nipi nuk ka pasur asnjëherë probleme me policinë. "Shteti ka ardhur vetëm njëherë për kontroll në shtëpi, sepse dyshonin se strehohej një person, por nuk gjetën asgjë", tha Llesh Keka. Ai nuk e përjashton mundësinë që në vrasje të jenë përfshirë strukturat shtetërore, por thotë se "nëse e ka bërë shteti, ne nuk do ta marrim vesh kurrë se kush është vrasësi. Nëse e ka bërë dikush tjetër, do ta marrim vesh".

Kush ishte Aleksandër Keka

Aleksandër Prekë Keka ka lindur dhe banonte në fshatin Pjetroshan të Malësisë së Madhe. Ai kishte shtetësi amerikane, pasi ka jetuar për disa vite në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku ndodhet aktualisht një pjesë e familjes së tij. 38-vjeçari, baba i tre fëmijëve, rezulton të jetë i padënuar më parë, e megjithatë, Policia e Shtetit e konsideroi dje person me "precedent të theksuar kriminal, me tendencë trafikun e lëndëve narkotike, trafikun e mjeteve motorike, si edhe trafikimin e lëndëve plasëse me telekomandë". Ai njihej në Shkodër dhe në Malësi të Madhe si biznesmen në fushën e ndërtimeve dhe që nga viti 2007 është kryetar i Këshillit të Komunës Bajzë dhe anëtar i Këshillit të Qarkut Shkodër. Aleksandër Keka ishte me arsim të lartë dhe prej 10 vitesh i ishte kushtuar biznesit të ndërtimeve të pallateve në Shkodër e Tiranë. Përpara gjashtë viteve, Aleksandër Keka u zgjodh nënkryetar i PDK-së në Malësinë e Madhe dhe prej dy vitesh ishte kryetar i kësaj strukture të PDK-së.

Hetimet

Dëshmitë në polici: Një javë më parë u kërcënua

Dyshimet për shpërthimin, u

përdor tritol ose nitroglicerinë

Makina e kryetarit të PDK-së në Malësi të Madhe ka shpërthyer nga një sasi eksplozivi që mund të jetë tritol ose nitroglicerinë. Ky është konkluzioni i parë i hetimeve në lidhje me shpërthimin e djeshëm që i solli vdekjen Aleksandër Kekës. Për hetimin e kësaj ngjarje, në vendin e krimit kanë shkuar specialistët më të mirë të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit për antieksplozivin, duke marrë në dorë hetimet. Ata kanë parë se eksplozivi i përdorur ka sjellë djegie të makinës, kështu që kanë lindur edhe pistat e para, pasi një shpërthim të tillë e bën tritoli ose nitroglicerina, e cila është në gjendje të lëngshme. Ndërsa për hetimet, policia shpjegoi se ka mbledhur një sërë dëshmish. Nga të dhënat e të njohurve të viktimës mësohet se ai ka pasur një kërcënim para pak ditësh, pikërisht para një jave, pavarësisht se në polici nuk është regjistruar asnjë kallëzim penal, pasi ai nuk kishte pranuar të denonconte. Ai, thjesht e kishte shprehur te miqtë e tij dhe kishte menduar se ishte një kapitull i mbyllur, pavarësisht se për policinë, tashmë është një ndër pistat kryesore të hetimit.

"Vrasja politike, Topalli përgjegjëse"

PDK e akuzon, por nënkryetarja e PD-së nuk përgjigjet: Lërini institucionet të hetojnë

Partia Demokristiane e konsideron si politike vrasjen e kreut të saj në Malësi të Madhe, Aleksandër Keka, dhe drejton gishtin drejt nënkryetares së Partisë Demokratike, Jozefina Topalli. Kryetari i PDK-së, Nard Ndoka, dhe zyrtarë të tjerë të lartë të kësaj partie, Jak Ndokaj, Frrok Gjini e Vladimir Beja, kanë deklaruar se për këtë vrasje është përgjegjëse Jozefina Topalli dhe këtë e lidhin me deklaratën e saj më të fundit, të bërë pak ditë më parë në Postribë të Shkodrës, ku ajo i akuzoi demokristianët si spiunë dhe mafiozë. Por vetë Topalli nuk ka preferuar t‘u përgjigjet akuzave të rënda dje, duke dhënë një deklaratë të thatë disa orë pas vrasjes.

Krerët e PDK-së

Kryetari i PDK-së, Nard Ndoka, tha se kryetari i degës së PDK-së në Malësinë e Madhe, Keka, është kërcënuar më parë dhe këtë ia kishte pohuar atij. Sipas Ndokës, kërcënimet ndaj Kekës ishin bërë të shpeshta pas deklaratave në Shkodër të Topallit. "Keka u kërcënua vazhdimisht nga eksponentë të PD-së. Për këtë le të përgjigjet policia, pasi ajo ka çdo informacion", është shprehur Ndoka. Sipas tij, kërcënimet për PDK-në nisën kur Topalli po bënte fushatë kundër partisë së tij në zonën e Shkodrës. "Dihet gjuha e Topallit, ajo është një monstër e politikës shqiptare", tha Ndoka. Atentat të pastër politik e ka cilësuar vdekjen e Aleks Kekës edhe deputeti i PDK-së Jak Ndokaj. "Ne, tha Ndokaj, kërkojmë nga organet e sigurisë zbardhjen e menjëhershme të kësaj ngjarjeje. Ky mbetet një akt i motivuar politikisht. Është bërë në mënyrë të studiuar. Atentati ndaj Kekës është në vazhdën e fushatës elektorale. Opinioni publik i ka dëgjuar tashmë thirrjet kundër PDK-së". Por më i ashpër në deklaratën e tij ka qenë deputeti tjetër i PDK-së, Frrok Gjini, i cili e ka drejtuar gishtin direkt te Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli. Sipas Gjinit, vrasja është bërë për motive të pastra politike dhe Topalli është fajtore. "E vërteta është e qartë dhe e padiskutueshme. Kjo është vrasje politike. Jozefina Topalli ka krijuar monopol dhe kërkon që të dalë patjetër fituese nga Qarku i Shkodrës, por tashmë PD-ja e PDK-ja do t‘i japin vendin e merituar", deklaroi Frrok Gjini. E ashpër ka qenë edhe deklarata e nënkryetarit të PDK-së, Vladimir Beja. Sipas tij, Keka është kërcënuar para ngjarjes me telefon, ndërsa akuzat direkte bien mbi nënkryetaren e PD-së, Jozefina Topalli, e cila nxiti terrorin politik dhe është përgjegjëse për shkatërrimin e fushatës. "Vrasja është politike, për shkak të funksionit të tij politik. Keka është kërcënuar me telefonata të ndryshme nga numra telefoni me prefikse të huaj, siç ka ndodhur edhe me kandidatë të tjerë. Ne denoncojmë Topallin për nxitjen e terrorit politik, për nxitje dhe akuza ndaj PDK-së. Zonja Topalli, apo hiena Topalli, është përgjegjëse për prishjen e procesit zgjedhor në Qarkun e Shkodrës", është shprehur Beja.

Reagimi i Topallit

Nënkryetarja e Partisë Demokratike, Jozefina Topalli, është prononcuar për ngjarjen rreth orës 19.00, ndërsa merrte pjesë në një takim elektoral në shkollën "Ndre Mjeda" në qytetin e Shkodrës. Duke i shpërfillur krejtësisht akuzat e ngritura nga demokristanët, nëpërmjet medias Topalli i shprehu ngushëllimet e saj familjes së viktimës dhe e vlerësoi këtë ngjarje si tepër të rëndë. "Ajo që ka ndodhur është një ngjarje tragjike. U shpreh ngushëllimet e mia familjarëve dhe njerëzve të dashur", tha Topalli, ndërsa shtoi se "u kërkoj të gjithëve të mbështesim fort prokurorinë dhe policinë, që të bëhet një hetim i plotë e i gjithanshëm".

Meksi

Kreu i "Polit të Lirisë", Aleksandër Meksi, e konsideroi vrasjen e ndodhur në Shkodër si mjaft të rëndë dhe shprehje të qartë të dhunës politike në vend. Meksi ka kërkuar zbardhjen e menjëhershme të saj. Gjithashtu, ai ka theksuar se ngjarja nuk është diçka pozitive për votuesit në prag të zgjedhjeve, por tha se është diçka e dëshiruar për ata të pushtetit

Qëndrimet

KSHH: Deklaratat e nxituara

e përkeqësojnë situatën

Komiteti Shqiptar i Helsinkit mendon se në kushtet kur çështja sapo ka filluar të hetohet, deklarata si ato që janë bërë nuk janë të lejueshme, sepse përmbajnë elemente të paragjykimit. Në deklaratën e saj, KSHH-ja thekson se ajo nuk i paragjykon rrethanat dhe shkaqet e kësaj ngjarjeje, por qoftë edhe për faktin se ajo ndodhi 10 ditë para ditës së zgjedhjeve dhe se viktima ishte kryetari i PDK-së së Malësisë së Madhe, një hetim i shpejtë, i plotë, objektiv dhe i gjithanshëm do të ishte i domosdoshëm. KSHH-ja u sugjeron organeve të Policisë së Shtetit, që veçanërisht në këto pak ditë që na ndajnë nga zgjedhjet e 28 qershorit 2009, të rrisin forcën e tyre zbuluese dhe parandaluese, të sigurojnë rendin dhe jetën e njerëzve. Për KSHH-në, paragjykimet dhe konkluzionet e nxituara dhe të parakohshme mund të shoqërohen me pasoja të dëmshme.

LSI: Politikanët të jenë

të kujdesshëm në deklarata

LSI-ja i ka shprehur ngushëllimet e saj familjes së Kryetarit të PDK-së në Malësi të Madhe, Aleksandër Keka. Nëpërmjet zëdhënësit të saj, LSI-ja ka shprehur bindjen e saj që kjo ngjarje e rëndë të mos ketë ndodhur për motive politike dhe u kërkoi organeve kompetente zbardhjen e menjëhershme të rrethanave. "Marrim shkas nga kjo ngjarje për t‘u bërë thirrje edhe njëherë të gjitha forcave politike të tregojnë kujdes dhe maturi në fjalorin që përdorin gjatë takimeve elektorale, të ruajnë etikën e komunikimit dhe të zhvillojnë një fushatë sa më të civilizuar", u shpreh zëdhënësi i LSI-së. LSI-ja shpreh bindjen e saj se subjektet politike dhe përfaqësuesit e tyre kanë një përgjegjësi të veçantë për të siguruar një klimë sa më të qetë elektorale dhe për të evituar çdo deklaratë apo akt të dhunshëm që çon në tensionimin e situatës parazgjedhore.

Socialistët

Policia mbajti

qëndrim politik

për ngjarjen

Anëtari i Kryesisë së Partisë Socialiste, Erjon Braçe, pas ngjarjes së ndodhur në Koplik vlerësoi se qëndrimi i Policisë së Shtetit ka natyrë politike. Braçe kujtoi se u bënë disa ngjarje tashmë ku Policia e Shtetit tregon se është e politizuar. "Është një ngjarje e rëndë, së pari nga pikëpamja njerëzore, sepse i është marrë jeta një djali 37-vjeçar. Është e tepërt t‘i marrësh jetën një njeriu, pavarësisht motivit. Sa i përket kontekstit politik, me aq sa dimë dhe sa kemi dëgjuar për ngjarjen, ajo merr konotacion politike. Por këtu është edhe Policia e Shtetit, e cila ka një reagim barbar. Kjo nuk është hera e parë", tha Braçe, duke përmendur faktin se vrasja e deputetit Fatmir Xhindi ende nuk është zbardhur dhe se për vrasjen e ndodhur para pak ditësh në Durrës, policia nxitoi ta quante vrasësin simpatizant të PS-së. "Edhe në këtë rast qëndrimi është barbar. Thonë që ka pasur precedent penal për trafik. Por, kur ka pasur lidhje dhe policia ishte në dijeni, atëherë përse rrinte jashtë? Ndaj them që veprimet e policisë janë veprime kriminale me tendencë politike". Qëndrimi i policisë u kritikua rëndë dje edhe nga zëdhënësja e PS-së, Mimi Kodheli, e cila doli në një konferencë shtypi pak orë pas ngjarjes.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›