E Diel, 1 Nëntor 2026

“Rama dërgoi artikullin në gazetën kroate dhe i paraqet si alternativa për fushatë në Shkodër”

Kryeministri Berisha akuzon kryesocialistin për zhurmën e centralit të supozuar bërthamor dhe për lejet e ndërtimit

TIRANE - Çështjen e shumë diskutuar e ditëve të fundit nëpër qarqet mediatike se qeveria shqiptare ka nënshkruar një marrëveshje me atë kroate për ndërtimin e një centrali atomik në Shkodër, kryeministri Sakli Berisha e ka konsideruar si një spekulim personal të Edi Ramës, për të bërë fushatë në qytetin e Shkodrës.
“Para 10 ditësh porositi një gazetë kroate, për të ndërtuar një trillim fund e krye dhe tani ndërtoi fushatën mbi trillime të shkruara në një shkrim kroat, të cilin e përgënjeshtroi edhe qeveria kroate. Çfarë kryetari opozite është ai që krijon trillime dhe i paraqet si alternativa ato dhe shkon e bënë fushatë, duke thënë se nuk do të lejojë ndërtimin. Të kujt...? Të hiçit... Nuk mund të them gjë tjetër, veçse fale o Zot për këto që bën. Është e pakonceptueshme”, tha kryeministri Berisha.
Kreu i qeverisë theksoi se Rama ka dërguar artikullin në Kroaci, dhe shkon në Shkodër e thotë, se nuk do të lejojmë të ndërtohet central.
“Tani, ai do ta transferojë në Sarandë centralin, do të paguajë një gazetë në Korfuz dhe do të thotë se do të ndërtohet një central në Sarandë dhe do të fillojë demonstratat kundër centralit. Është një konfuzion total. Kësaj here nuk ka gjë më që i del përpara”, vijoi kryeministri.
Berisha u ndal edhe te lejet e ndërtimit të dhëna nga Edi Rama
Kryeministri u shpreh më tej dje, se vendimet e opozitës diktohen nga dyshja, Rama-Eftimi, në të cilën në aktin më të shëmtuar i kanë lejuar vetes të marrin 19 nga 28 lejet e ndërtimit.
“Unë ju garantoj se t’i biesh plantit kryq e tërthortë një gjë të tillë nuk e gjen veçse me kryetarin e bashkisë së Tiranës. Kjo përbën një akt poshtërues për qytetin, për qytetarët dhe për vendin. Imagjinoni, pyeteni veten, si do të dukej një njeri, po të ishte kryetar bashkie dhe të shkonte të merrte me akrabanë e tij 19 nga 28 lejet e ndërtimit. Çdo njeri, në normat më minimale, do të ndjehej i turpëruar, i skuqur nga një veprim i tillë. Kryetari i bashkisë së Tiranës është i zhveshur. Do të më falni këtu. Jo si herën e parë, se edhe lëkurën e ka hequr këtu. Herën e parë ia vendosët një gjethe fiku, mirë bëtë, ishte e gabuar ta nxirrnit ashtu. Kësaj here, me këtë që ka bërë, është në një konfuzion të thellë”, u shpreh kreu i qeverisë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›