Rama dhe Ruçi po trajtojnë të ngujuarit në kampin e tyre si kavie eksperimentale
Reagon Partia Demokratike
Frika dhe tmerri i z.Rama për futjen e shërbimit publik shëndetësor në çadra dëshmon se ky njëri po shkelmon çdo normë, çdo standard çdo detyrim njerëzor e ligjor të sjelljes dhe qëndrimit ndaj të burgosurve, robërve të luftës, dhe grevistëve të urisë
Partia Demokratike denoncoi dje përmes zëdhënëses Erla Mëhilli keqtrajtimin e grevistëve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” nga ana e krerëve të Partisë Socialiste. Zëdhënësja e selisë blu u shpreh se Edvin Kristaq Rama, Gramoz Ruçi, Ilir Xhelil Gjoni, Dashnor Myslym Peza për 16 ditë me radhë nuk guxojnë të ngrenë fletët e çadrave të kampingut të ngritur në bulevardin qendror të kombit dhe të lejojnë shërbimin zyrtar shëndetësor ndaj deputetëve dhe militantëve që kanë ngujuar në këtë kamp.
“Për 16 ditë me radhë Edvin Rama dhe pinjollët e tjerë të bllokut po trajtojnë të ngujuarit në kampin e tyre njëlloj sikur t’i kishin kavje eksperimentale me të cilat mund të bëjnë si të duan ata.
Frika dhe tmerri i z.Rama për futjen e shërbimit publik shëndetësor në çadra dëshmon se ky njëri po shkelmon çdo normë, çdo standard çdo detyrim njerëzor e ligjor të sjelljes dhe qëndrimit ndaj të burgosurve, robërve të luftës, dhe grevistëve të urisë”- deklaroi zëdhënësja e selisë blu.
Ajo shtoi se Konventa e Gjenevës, Vendimet e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut si dhe Kushtetuta e Shqipërisë përcaktojnë qartë detyrimet që duhen përmbushur në çdo rast burgimi, robërie apo greve urie.
“Këto akte themelore që garantojnë dhe rregullojnë liritë dhe të drejtat e tyre po shkelmohen çdo ditë nga Rama dhe bllokmenët e rinj. Ata po dëshmojnë në këtë mënyrë një krim të shëmtuar kundër njerëzimit mbasi për arsye strikt politike privojnë të ngujuarit nga kontrolli i paanshëm shëndetësor. Shtojmë gjithashtu se fakte tronditëse na vijnë, sipas të cilave edhe shërbimi bluzë nxirë ofrohet kundrejt parave dhe korrupsionit dhe se nga çadra mund të dalësh vetëm po pagove shuma të majme”- theksoi ndër të tjera ajo.
Partia Demokratike duke denoncuar këtë qëndrim u bën me dije shqiptarëve se këta shokë këta zotërinj faktojnë se janë të aftë tu servirin shqiptarëve në çdo kohë e në çdo vend, si të sotme dhe të ardhme vetëm trashëgiminë barbare të etërve të tyre