E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama rikthen protestat-shkretëtirë në bulevard, mbështetësit e vetëm ishin punonjësit e Bashkisë

Servet Pëllumbi sulmon Edi Ramën: Zëri i intelektualëve është më i fuqishëm se ti


As dita e sotme s’ka shkuar ashtu siç duhet për kryesocialistin në detyrë, Edvin Kristaq Rama, pasi një protestë e pretenduar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, është zhvilluar në vetmi, vetëm me punonjësit e administratës së baskisë së Tiranës. Pseudo protestat, të cilat së paku nuk janë një gjë e re, për Partinë Socialiste dhe kryetarin e saj, shënuan sot një moment kyç në kalvarin e dështimit politik të ylberistit. Marrja me dhunë e punonjësve të bashkisë dhe të disa njësive minibashkiake të drejtuara nga opozita, nuk arriti kurrsesi të kthejë entuziazmin dhe ngazëllimin në radhët e ylberistëve të stacionuar në çadrat e bulevardit. Pas fjalimeve një e nga një nga podiumi i ngritur pranë grevistëve, folën me radhë deputetët Vangjush Dako, Gazmir Bizhga, Vasilika Hysi, Eduart Shalsi për të vazhduar më pas me Spartak Ngjelën dhe fund me Edvin Ramën, grevistët u detyruan të ngujohen përsëri në burgun e çadrave, duke mos i dhënë askujt mundësi sabotimi të protestës dhe grevës, pas precedentëve të dy ditëve më parë me Arben Malajn dhe plot 40 grevistë të tjerë. Të çuditshme në fakt u dukën deklaratat e Spartak Ngjelës, i cili si përherë edhe këtë radhë u shpreh për një kryengritje imagjinare, duke folur jo më për 14 majin, të cilin pak ditë më parë e simbolizoi si ditën e “ndryshimit të madh”, por për ditë të tëra, të cilat në memorien e tij ishin të paqarta dhe pa asnjë verdikt final. Në këtë zallamahi mendimi të skarcuar, ylberistët mbyllën një tjetër palo-protestë, por këtë radhë dëshpërimi ka të tjerë kufij, teksa asnjë simpatizant, asnjë socialist nuk ndodhej i pranishëm në mbrojtje të kauzës lakuriqe të Edvinit dhe Gramozit.


Servet Pëllumbi sulmon Edi Ramën: Zëri i intelektualëve është më i fuqishëm se ti Një prej figurave të së majtës shqiptare, ish kryetari i Kuvendit, Servet Pëllumbi mbron intelektualët pas sulmeve të Edvinit Një prej eksponentëve të së majtës shqiptare ish kryetari i Kuvendit, Servet Pëllumbi, u shpreh dje se elita e intelektualëve shqiptarë, të cilët ditët e fundit kanë rënë pre e dhunës politike të ushtruar nga Edi Rama, është një zë i fuqishëm që duhet dëgjuar. Peticioni i firmosur gjatë ditëve me radhë, duke përfshirë në të njerëz të shquar të artit, skenës, akademikë, pedagogë të universiteteve më të mëdha të vendit, është një thirrje publike që i bëhet kreut të PS-së, i cili duhet të heqë dorë nga bllokimi i aspiratave të integrimit të Shqipërisë dhe shqiptarëve në familjen e madhe evropiane. Në këtë drejtim, Servet Pëllumbi konsideroi se çdo forcë politike duhet të respektojë elitën intelektuale, pasi zëri i saj është më i fuqishëm se ai i eksponentëve politikë. “Intelektualët, janë ata që mendojnë për të ardhmen, ata që nuk pyesnin për interesin e tyre personal, duhet të thonë fort ndjenjën e tyre. Ata po bëjnë një thirrje për zgjidhjen e ngërçit politik. Të mos harrojmë se zëri i elitës intelektuale, është zëri më i fuqishëm në vend. Unë mendoj se intelektualët duhet t’i bëjnë thirrje mbarë opinionit publik, që të ngrejnë zërin edhe ata për dhënien fund të kësaj politike”, u shpreh Pëllumbi. Gjithashtu, ish kryetari i Kuvendit komentoi dhe lëvizjet e Edi Ramës, të cilat çuan në ngujimin e deputetëve dhe disa simpatizantëve socialistë. Pëllumbi tha se PS ka humbur ndjeshëm terren në elektorat, pasi socialistët nuk po ndjehem më të përfaqësuar në programin e Partisë Socialiste. Më tej, Servet Pëllumbi theksoi se me reaksionimin e qëndrimit kundër institucioneve kushtetuese, PS-ja nuk bën gjë tjetër veçse tkurr ndjeshëm elektoratin e majtë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›