E Diel, 1 Nëntor 2026

“Rama dhe Topi rrëmojnë në plehra për të gjetur vota”

01-11-2011 / Gazeta 55

Kryeministri Sali Berisha e quan politik qëndrimin ndaj ligjit “Për Mbetjet”

Kryeministri Sali Berisha u shpreh dje gjatë mbledhjes së përjavshme të grupit parlamentar demokrat se, “kthimi i ligjit të mbetjeve urbane nga kreu i shtetit, është bërë për qëllime politike”.
Berisha tha se Shqipëria është e detyruar sipas marrëveshjes me vendet e BE, që në përputhje me standardet evropiane dhe në interesin më të mirë të qytetarëve të saj, të ketë një qëndrim ligjor, të përcaktuar në trajtimin dhe politikën e këtyre mbetjeve urbane. “Dua të them se qëndrimi ndaj këtij ligji është, nga alfa tek omega, qëndrim politik dhe, ata të cilët përpiqen në Aleancën e Plehut, të mashtrojnë dhe të dezinformojnë shqiptarët, do ta gjejnë veten të dëshpëruar. Ndaj unë, edhe njëherë, dua të bëj për qytetarët e vendit sqarimet që vijojnë: Shqipëria, në vitin 2006 ka firmosur marrëveshjen e Stabilizim - Asociimit me Bashkimin Evropian, marrëveshje kjo e cila është votuar në të gjitha parlamentet e vendeve anëtare të BE-së. Kjo marrëveshje është kontrata ligjore e Shqipërisë me këto vende. Në këtë marrëveshje, e cila trajton tërësinë e problematikës së marrëdhënieve tona me BE-në, ekziston, në interesin më të mirë të qytetarëve shqiptarë, edhe trajtimi i mbetjeve urbane. Mbetjet urbane janë një realitet për të gjitha vendet, madje janë një realitet më i madh për vendet e zhvilluara, sepse kanë më shumë të tilla sesa vendet më pak të zhvilluara. Konform kësaj marrëveshjeje, Shqipëria është e detyruar që, në përputhje me standardet evropiane dhe në interesin më të mirë të qytetarëve të saj, të ketë një qëndrim ligjor, të përcaktuar në trajtimin dhe politikën e këtyre mbetjeve urbane. Për këtë qëllim, BE ka një listë se cilat janë mbetjet e parrezikshme, të cilat në tërësinë e tyre përdoren për riciklim, përdoren për industrinë. Mjafton të rikujtoj këtu se metalurgjia e Evropës bazohet, mbi të gjitha, mbi këto mbetje dhe jo mbi mineralin gur, shkritoret e mëdha të çelikut, pjesën dërmuese të tyre e prodhojnë duke shkrirë mbetjet metalike që janë dukuri konstante. Po kështu, industria e letrës për ambalazh përdor gjerësisht mbetjet e letrës. Po kështu, industria plastike përdor mbetjet plastike për t’i ricikluar ato, si dhe një seri industrish të tjera”, u shpreh Berisha.
Kryeministri sqaroi se importi i mbetjeve urbane është një proces konstant prej 8 vitesh. Sipas tij, nga 300 artikuj importi, Shqipëria do të pranojë vetëm 50 prej tyre.
“Mbi këtë bazë, qeveria shqiptare dhe ju,  zotërinj deputetë, miratuat ligjin “Për menaxhimin e mbetjeve urbane”, ligj i cili disiplinon një situatë jo të favorshme për qytetarët shqiptarë deri tani. Importi e mbetjeve urbane është një proces konstant i përditshëm, i përjavshëm, i përmuajshëm, gjatë gjithë këtyre viteve, përfshi këtu edhe 8 vite të qeverisjes socialiste. Kombinati Metalurgjik i Elbasanit funksionon me këto mbetje, si dhe dhjetëra fabrika të tjera. Por përse është ligji i Menaxhimit të mbetjeve?. Qeveria dhe ju zotërinj deputetë, në këtë listë keni përcaktuar qartë se, nga lista prej 300 e ca artikujsh, Shqipëria do të pranojë vetëm 50 prej tyre. Kjo është sot për sot, sepse se çfarë do të ndodhë kur ne të kemi statusin e vendit kandidat në BE dhe të jemi para aderimit, kjo është tjetër gjë, atëherë detyrimet janë reciproke. Askush nuk të imponon, por nëse nuk do, rri aty ku je. Sepse ata nuk mund të krijojnë një standard për Shqipërinë, një për Bullgarinë a Rumaninë, por kanë krijuar një standard për të gjitha vendet. Pra, aktualisht për Shqipërinë është përcaktuar që nga 300 e ca artikuj mbetjesh solide, jo të rrezikshme, në Shqipëri do të importohen vetëm 50 prej tyre”, tha ai.
Kreu i ekzekutivit vuri në dukje se kundërshtarët e këtij procesi, apo Aleanca e Plehut, siç i etiketon kryeministri, po keqpërdorin mbrojtjen e mjedisit, për qëllime të mbrapshtë politike.
“Por ajo që më lëndon shumë është keqpërdorimi i parimeve të mëdha të mbrojtjes së mjedisit për qëllime të mbrapshta politike. Le të rikthehemi pak, pas në kohë, kur në Vlorë, po këta shokë, por me një farë modifikimi, bënë një betejë disamujore për ngritjen e një Termocentrali, i cili e ka ndotjen 2 herë më të ulët, e certifikuar kjo po nga Shoqëria Civile, sesa e përcakton standardi evropian. Por ama, janë këta që i hodhën bojë në fytyrë inxhinierit, janë këta ekstremistë, antiglobalistë - që janë varianti i sotëm i marksizëm-leninizmit ç’është e vërteta - që organizuan një akt të tillë të shëmtuar në Universitetin e Vlorës ndaj një njeriu që përfaqësonte  një nga kompanitë me seriozet në Itali dhe në Evropë, që bënte detyrën e tij dhe që kishte shkuar për të zhvilluar atë që quhet dialog me komunitetin. Asnjëri prej këtyre zotërinjve që shohim tani nuk e dënoi këtë akt të shëmtuar, sepse këta rrëmojnë në plehra për të gjetur vota. Këtë e thanë bukur në debatin e fundit televiziv, pasi pasqyra është jashtëzakonisht e rëndësishëm dhe ata e nxorën ku e kishin hallin. Me një patos të pa përshkruar ata bënë thirrje për votat.  Unë ju  them këtyre, se nëse i shtroni çështjet në këtë mënyrë, pushteti juaj nuk kthehet më kurrë, ai i përket plehut të historisë dhe kush shqiptarëve, pushtet me mashtrime dhe trillime, nuk do të mund tu imponojë më. Në qoftë se ju keni probleme për mjedisin urdhëroni, thoni çdo gjë konkrete, nëse e keni hallin tek votat, aleanca e plehut është e shkuara”, tha më tej Berisha.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›