Rama dhe Veliaj: Qeverisja jonë do të garantojë të drejtën e votës së emigrantëve
Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama dhe kryetari i Partisë G99 kanë zyrtarizuar konsensusin për projektin e G99-s për mundësimin dhe garantimin e votës së emigrantëve. Në një aktivitet të përbashkët të organizuar gjatë ditës së djeshme, Rama dhe Veliaj prezantuan publikisht angazhimin e koalicionit që drejtojnë për të mundësuar të drejtën kushtetuese të emigrantëve për të votuar në vendet ku ata punojnë dhe jetojnë. Gjatë fjalës së tij në këtë takim, Rama ka prezantuar programin qeverisës së Partisë Socialiste për emigrantët. “Politika jonë e re e ndryshimit do të synojë dhe do të realizojë transformimin e shërbimeve në ambasada dhe konsullata për shqiptarët e shqiptaret, në shërbimet e standardeve europiane të njëjta me ato shërbime që motrat dhe vëllezërit tanë marrin në sportelet e atyre vendeve ku jetojnë, si qytetarë dinjitozë të atyre vendeve. Ne do të bëjmë të mundur që në një sërë sportelesh kryesore në Europë, Amerikë, Kanada, emigrantet e emigrantët shqiptarë të mund të aplikojnë dhe të marrin pasaportën biometrike. Është, nga ana tjetër, e domosdoshme që i gjithë mundi i tyre, për efekt pensioni, të njihet përmes marrëveshjes dypalëshe mes vendit tonë dhe Greqisë, mes vendit tonë dhe Italisë. Ne do të bëjmë një politikë të re ndryshimi edhe në këtë aspekt dhe do të bëjmë marrëveshje dypalëshe për sigurimet shoqërore të të gjithë emigrantëve shqiptarë, të cilët nuk do të humbin asnjë ditë pune lidhur me sigurimet shoqërore dhe pensionin. Unë dua të garantoj se qysh në ditët e para të qeverisë tonë, ne do të fillojmë punën për ta kthyer alternativën e grupimit 99 për votën e emigrantëve, në një projekt të qartë dhe të përcaktuar, të cilin të gjithë aleatët e koalicionit tonë të bashkimit të ri për ndryshim, do ta njohin si projektin e tyre të përbashkët. Do ta mbështetin si projektin e tyre të përbashkët dhe do ta inkurajojnë përmes një organizimi tërësor në të gjiths territoret ku ka shqiptarë e shqiptare, për t’i nxitur të gjitha forcat e tjera politike që të bëhen pjesë e këtij projekti dhe së bashku t’u japim mundësi të gjithëve, qofshin të majtë, qofshin të djathtë, apo çfarëdo qofshin, që me votën e tyre të thonë fjalën e tyre për një Shqipëri që është e tyre sa është edhe e jona”, - tha Rama.
Sh. S.
8 Maj 2009