E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rruga me Malin e Zi, 4 km të pakalueshme

08/05/2009  Aksi pritet të rikonstruktohet tërësisht, por deri atëherë tregtarët në vështirësi

SHKODER- Një prej segmenteve më të rëndësishme rrugore të veriut të vendit, njëkohësisht një prej nyjeve kryesore që lidh Shqipërinë me Malin e Zi, vazhdon të qëndrojë e shkatërruar, veçanërisht në pjesën hyrëse të saj. Ky segment është pjesë e rrugës nacionale Shkodër –Hani I Hotit, e cila pritet të rikonstruktohet plotësisht.

Rruga

Projekti i shumë përfolur i Qeverisë italiane për rikonstruksionin e plotë të kësaj rruge nacionale, duket se po lë në harresë rreth 4 kilometrat e dëmtuar plotësisht të pjesës hyrëse të kësaj rruge kryesore. Si pasojë e dëmtimeve të shumta kjo pjesë e rrugës nacionale, e ndodhur në dalje të qytetit të Shkodrës, në drejtim të Koplikut, krijon çdo ditë bllokime të shpeshta të qarkullimit. Përveç kësaj drejtuesit e automjeteve të huaja tregtare, që vijnë nga Mali i Zi nëpërmjet pikës së kalimit kufitar të Hanit të Hotit, prezantohen me qytetin e Shkodrës, me anë të një gjatësie të konsiderueshme rruge të dëmtuar, duke krijuar një përshtypje të hidhur për këtë qytet. Nisur nga ky fakt, drejtuesit e prefekturës së qarkut të Shkodrës, kanë kërkuar që ndërmarrja rruga, ura të ndërhyjë sa më parë për rregullimin e kësaj rruge, e të mos presin derisa të fillojnë punimet për rikonstruksionin e plotë të këtij aksi tepër të rëndësishëm nacional. Shumë prej tregtarëve që lëvizin drejt Malit të Zi shprehen se kanë kosto të lartë sidomos në mjetet e tyre, pasi amortizohen shumë shpejt për shkak të rrugës shumë të keqe. Ndërkohë dhe lëvizja është mjaft e ngadalësuar duke humbur kështu mjaft kohë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›