E Diel, 1 Nëntor 2026

PS-LSI nisin negociatat për arritjen e një marrëveshjeje për reformën elektorale

Takohen kryetarët e dy grupeve parlamentare, Leskaj dhe Xhufi. Nuk përjashtohet mundësia e marrëveshjes së palëve për reformën zgjedhore

Shaban Sulçe

Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim rinisin negociatat e bashkëpunimit për hartimin e Kodit të ri Zgjedhor. Krerët e grupeve parlamentare, respektivisht Valentina Leskaj dhe Pëllumb Xhufi, kanë zhvilluar dje një takim për të diskutuar rreth gjetjes së konsensusit për pikat më të rëndësishme të Kodit të ri Zgjedhor. Në takimin, i cili ka qenë sërish formal dhe jashtë vëmendjes së medias, ka marrë pjesë gjithashtu edhe bashkëkryetari socialist në Komisionin Parlamentar për Reformën Zgjedhore, Fatmir Xhafaj. Një ndër rezultatet më konkrete të takimit të zhvilluar dje, duket se ka qenë rënia dakord e të dyja palëve për të vijuar negociatat edhe në ditët në vazhdim. Rënia dakord në këtë pikë e përfaqësuesve të PS-së dhe të LSI-së nuk i përjashton shpresat dhe mundësitë për arritjen e një marrëveshjeje mes dy partive kryesore të së majtës për çështjet që kanë të bëjnë me reformën zgjedhore dhe hartimin e Kodit të ri Zgjedhor. Mbi të gjitha palët duhet të zgjidhin disa çështje thelbësore, për të cilat ato ndajnë qëndrime të ndryshme për përbërjen e Kodit të RI Zgjedhor.
Deklaratat
Pas takimi, kryetarja e grupit parlamentar të Partisë Socialiste shprehu qëndrimin pozitiv të PS-së për të dialoguar me LSI-në dhe forcat politike të tjera të së majtës. Duke folur për takimin e zhvilluar me homologun e saj, Xhufi, Leskaj shprehu qëndrimin e PS-së rreth çështjeve që kishin të bënin me këtë takim. “Ajo që kemi diskutuar ka të bëjë me qëndrimin e PS-së, se ne jemi për një kod elektoral që ruan atë kornizë të ndryshimit të Kushtetutës lidhur me zgjedhjet. Jemi për ato ndryshime në Kod që demokratizojnë sistemin. Gjithashtu hodhëm edhe opsionin për koalicionin e përbërë dhe çështjen e përgatitjes për administrimin e zgjedhjeve, që nuk duhet t’ia lëmë qeverisë që është e paaftë për të menaxhuar”, - tha kryetarja e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste. Ndërkohë kreu i Grupit Parlamentar të LSI-së, Pëllumb Xhufi, tha se tema kryesore e takimit të zhvilluar ishte reforma zgjedhore dhe përmirësimi i Kodit të ri Zgjedhor, ku synohet korrigjimi i ndryshimeve kushtetuese. “Biseduam për disa çështje konkrete që kanë të bëjnë me Kodin e ri Zgjedhor. Ne gjykojmë që ky Kod duhet të rregullojë diçka që u prish me ndryshimin e Kushtetutës. Folëm gjithashtu për gjendjen alarmuese ku ndodhet procesi zgjedhor për paaftësinë e qeverisë në hartimin e regjistrit elektronik dhe kartat e identitetit. Por debatet janë përqendruar kryesisht te reforma”, - tha Xhufi.
Ndryshimet
Dy janë elementet më thelbësore që bëjnë diferencën midis qëndrimeve të Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim përsa i përket përbërjes së Kodit të ri Zgjedhor.
Elementi i parë ka të bëjë me mënyrën e përllogaritjes së votave dhe sistemit të korrektimit që duhet të amplifikohet nga sistemi proporcional rajonal. Ndërsa LSI-ja kërkon me insistim përfshirjen në Kodin e ri Zgjedhor të sistemit të korrektimit kombëtar, me qëllim ruajtjen e vlerës së çdo vote për të majtën, Partia Socialiste duket në pozita aspak favorizuese ndaj sistemit të korrektimit kombëtar. Për selinë rozë është më favorizuese aplikimi i thjeshtë dhe i vetëm i sistemit proporcional rajonal, pavarësisht kostove apo efekteve që ai mund të ketë në shpërndarjen e mandateve në parlament. Një tjetër ndryshim është edhe mënyra e llogaritjes dhe e numërimit të votave. LSI-ja është për metodën “Hare”, që është shprehje e korrektimit kombëtar, ndërkohë që PS-ja përkrah metodën “D’hont” të numërimit të votave. Element i dytë, por shumë i rëndësishëm, është përbërja e komisioneve të numërimit të votave. LSI-ja kërkon me insistim përfaqësimin në komisione të çdo subjekti konkurrues në zgjedhje, ndërkohë që nga ana tjetër në media është folur se propozimi i PS-së për komisionet e numërimit të votave synon përfaqësimin vetëm të dy partive të mëdha dhe me ekspertë dhe punonjës të administratës. Këto dy elemente, përveçse përbëjnë diferencat midis PS-së dhe LSI-së për Kodin e ri Zgjedhor, po aq janë të rëndësishme edhe në arritjen e marrëveshjeve midis tyre.

Pikat e LSI-së për Kodin e ri Zgjedhor
1. Pjesëmarrja në procesin e numërimit të votave të çdo subjekti konkurrues.
2. KQZ-ja të përbëhet nga përfaqësues të çdo subjekti konkurrues.
3. Numërimi i votave të bëhet me metodën “HARE”.
4. Aplikimi i sistemit kombëtar të korrektuar do të eliminonte pjesërisht efektin “Dushk”.
5. Partitë që kalojnë pragun elektoral kombëtar të kenë mundësinë që të përfaqësohen në parlament.
6. Procesi i numërimit të votave të zëvendësohet numërimi manual me numërimin elektronik.
7. Hartimi i listave të zgjedhësve dhe dokumente identifikimi të njësuara në të gjithë territorin dhe pa gabime.

Pikat e PS-së për Kodin e ri Zgjedhor

1. Reduktim i përbërjes së komisioneve të numërimit të votave.
2. Reduktim i përbërjes së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
3. Numërimi i votave të bëhet me metodën “D’Hont”.
4. Aplikimi i thjeshtë i sistemit proporcional Rajonal.
5. Procesi i numërimit të votave të zëvendësohet numërimi manual me numërimin elektronik.
6. Hartimi i listave të zgjedhësve dhe dokumente identifikimi të njësuara në të gjithë territorin dhe pa gabime.

22 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›