E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama dhe e ardhmja e Partisë Socialiste

Sa më shumë kalon koha, aq më tepër interesi, por dhe dyshimi në të ardhmen e Partisë Socialiste, vjen në rritje. Madje, dyshimi duket se po shoqërohet me mungesë besimi për të ardhmen, gjë që duhet ta shqetësojë vetë lidershipin e kësaj partie. Veprimet çoroditëse brenda kësaj partie, çarjet, por dhe lëvizjet e pakta politike, tregojnë aneminë që po shfaqet, tashmë e agravuar, në këtë parti. Por nëse do të jemi më të qetë e të mundohemi të bëjmë një analizë më të thellë, nuk mund të mos vinim re disa probleme, që kanë të bëjnë dukshëm, me të ardhmen e kësaj partie. Madje, këto probleme ngrihen sot si pyetje që elektorati i majtë, por jo vetëm, i bën gjithnjë e më shpesh.

Problemi i parë është: Çdo të bëhet me bojkotin? Në kushtet kur Berisha as që ka ndërmend të hapë kutitë dhe kur presioni i jashtëm vjen në rritje, sa do të rezistojë PS-ja jashtë Parlamentit? Shkurt, a ka PS-ja një plan të dytë për këtë rast? Apo do të vazhdojë të jetë spontane në qëndrimin e saj?

Përgjigjen e jep kryetari në detyrë, Rama, kur thotë se nëse nuk hapen kutitë, do të ketë protesta popullore. Shumë mirë! Them shumë mirë, sepse hapja e kutive është gjëja më normale që duhet bërë, dhe pa as më të voglin dyshim, është elementi i parë i një demokracie në veprim. Sa më shumë që Berisha ngulmon të mos hapë kutitë, aq më shumë i jep të drejtë Partisë Socialiste, për akuzat ndaj zgjedhjeve.

Por nëse kutitë nuk hapen, a do të kemi revolta popullore, përplasje sociale? Që të kemi një situatë të tillë, pavarësisht shkakut, lipset një përgatitje e madhe psikologjike e elektoratit. Problemi, pra shkaku, është natyrisht jetik: zgjedhje të lira! Por a mjafton? Sigurisht që jo. Të gjithë e dinë se me Berishën nuk ka zgjedhje të lira. Po ashtu, të gjithë e dinë se lidershipi i Partisë Socialiste, në fushatë, përsëriti më mijëra herë sloganin: votoni pa frikë, sepse askush nuk do të guxojë të prekë votën tuaj! Por realiteti tregoi të kundërtën. Atëherë, besimi ndaj PS-së zbehet. Që të kapërcehet ky element, është e domosdoshme që Partia Socialiste të hyjë në një aktivizim kapilar, që do të thotë, derë më derë, pra organizatë më organizatë, për të rikthyer besimin, por edhe për të përgatitur njerëzit për revolta. Po kush mund ta bëjë këtë? Sigurisht jo Rama. Ai është vetëm një dhe kjo fazë kërkon rigjallërimin e organizatave bazë. Pikërisht, këtu çalon dhe problemi. Partia Socialiste po tregon çdo ditë e më shumë se lidhja mes bazës dhe lidershipit ka probleme të mëdha. Dikush do të thotë se Ramën e do masa e partisë dhe këtë do ta dëshmojë më 26 shtator. Nuk e vë fare në dyshim. E kam thënë dhe herë të tjera se, Rama është, tani për tani, i vetmi që mund të mbajë të bashkuar Partinë Socialiste. Por Rama është vetëm një. Ai ka nevojë për një grup të gjerë individësh, afër tij, që të shërbejnë si arterie me bazën, e cila e pret, e respekton dhe e dëgjon.

Baza e partisë duket e trullosur, mes asaj që dëgjon çdo ditë kundër liderit të saj dhe asaj që dëshiron për të ardhmen e partisë. Mundohet ta mbrojë, por nuk di se si. Ky grup individësh duhet ta bëjë këtë. Por a ekzistojnë këta individë dhe çfarë bëjnë aktualisht? Ky grup, mendoj nuk ekziston, sepse:

E para: Rama ka marrë përsipër të shkojë vetë në bazë. Kjo nuk mund, në asnjë mënyrë të zëvendësojë, lidhjet e përditshme me bazën.

E dyta: Rama ka mbledhur rreth vetes, të rinj, që nuk e kanë idenë se si funksionon baza e partisë. Nuk kam asgjë kundër të rinjve, përkundrazi, por ata nuk kanë "stofin" e duhur, por edhe përvojën, për të punuar me bazën e partisë. Ndodh që sjellja e disave prej tyre, qëndrimi fodull, e dëshira për ta imituar Ramën në çdo veprim e fjalë, e shton mosbesimin e bazës ndaj lidershipit të partisë. Prandaj, them se mes Ramës dhe bazës së partisë ka një mungesë të theksuar lidhjeje. Atëherë, si mund të mendoj se Partia Socialiste, do të mund të ngrejë në revoltë masat për votën e lirë? Por dikush mund të përmendë rastin e Gërdecit, kur opozita u ngrit e gjitha në një revoltë të madhe. Po pastaj? A janë të gatshme këto masa për ta shkallëzuar protestën? Dhe nëse do ta vazhdonim arsyetimin edhe më tej, do të thoshim se atëherë, kushtet ku ndodhej PS ishin ndryshe: uniteti i brendshëm, besimi në fitoren e ardhshme dhe fajësia ligjore e qeverisë "Berisha" (të paktën besohej në këtë zgjidhje). Sot asnjë nga këta faktorë nuk qëndron në këmbë.

Problemi i dytë është: A do ta çojë Partia Socialiste vendin në zgjedhje të parakohshme? Nëse do të riparojë problemet e saj kjo mund të ndodhë. Por mendoj se këtë gjë mund ta kërkojë edhe Berisha. Madje, me shumë "kënaqësi". Ai vetë mund të jetë i interesuar për këtë. Përballë një opozite të copëtuar, përballë mungesës së një strategjie konkrete për veprim dhe përballë një populli, që tashmë është mësuar se Berisha "vjedh" votat (por jo vetëm ato), Berisha do të mund të siguronte një mandat tjetër, më solid e të "legjitimuar" përballë ndërkombëtarëve, ndërsa Partia Socialiste do të mbetej sërish në opozitë, kësaj radhe, me kohë të gjatë.

Ngado që ta "vërtisësh" problemin, vjen në një konkluzion: Partia Socialiste ka nevojë urgjente për të riorganizuar veten, ka nevojë për të tërhequr në aktivitet të gjithë ata që dinë si funksionon, si aktivizohet dhe siç beson baza e partisë. Mungesa e atij "brigadierit" të bazës (sikundër e përcaktoi një ditë një miku im), dhe zëvendësimi i tij me "të rinj" të shkolluar jashtë vendit, është gabimi serioz që duhet riparuar. Partia Socialiste nuk ka pse humb kohën më me lidershipin e saj, me "pro" dhe "kundër" Ramës. Besoj se pas zgjedhjeve, kjo gjë do të marrë fund, dhe të gjithë, pro e kundër, do të duhet të punojnë së bashku për të ardhmen e PS-së, sepse dhe ata vetë e dinë se nuk kanë të ardhme tjetër politike jashtë saj.

Partia Socialiste ka nevojë për strategji të saktë politike, që do të thotë, se Rama dhe lidershipi i Partisë Socialiste duhet të punojnë si politikanë. Politika nuk thotë asnjëherë "kurrë"! Politikë do të thotë gjithnjë një plan të dytë, në rast dështimi të të parit, do të thotë aleanca dhe me atë që nuk të "pëlqen". Rama duhet ta ketë mësuar tashmë leksionin e politikës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›