E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD-LSI: Opozita të kthehet në Parlament

Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim vazhdojnë t‘i bëjnë thirrje opozitës të futet në Parlament. Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, deklaroi dje se është e pa justifikueshme mungesa e opozitës në sallën e Kuvendit. Ajo theksoi se vota e socialistëve ishte për t‘i parë deputetët e PS-së në Kuvend. Topalli tha se opozita duhet të kryejë detyrën e saj për të debatuar për ekonominë dhe projektet e së ardhmes së vendit. Topalli ftoi grupin parlamentar të PS-së të jetë në sallën e Parlamentit për të bërë një opozitë të fortë, një opozitë konstruktive, natyrisht, edhe për t‘u bashkëpunuar me mazhorancën për projektet e mëdha të integrimit të kësaj periudhe. Një ftesë për t‘i dhënë fund bojkotit të opozitës dhe për t‘u kthyer në sallën e Kuvendit, ku realisht bëhet debati politik, grupit parlamentar të PS-së i është bërë dje edhe nga kryetari i KDK-së së LSI-së Edmond Haxhinasto. Funksionari i LSI-së theksoi se PS-ja duhet t‘i japë fund bojkotit dhe të kthehet në Parlament për të dhënë kontributin e saj për reformat integruese, përfshirë edhe reformën zgjedhore. "Në mënyrë që në të ardhmen të mos ketë asnjë kontestim nga asnjë forcë politike, e madhe apo e vogël qoftë ajo", tha ai. Haxhinasto insistoi se, opozita duhet të kthehet në Parlament dhe të marrë përgjegjësitë e saj përpara institucioneve demokratike dhe në mënyrë të veçantë përpara zgjedhësve. "Zgjedhësit shqiptarë vërtet nuk ia besuan PS-së mazhorancën qeverisëse, por i kanë besuar rolin e opozitës, rol që ajo duhet ta realizojë me përgjegjshmëri të lartë politike", u shpreh Haxhinasto. Kjo thirrje e Topallit dhe Haxhinastos, që opozita të kthehet në Kuvend, u bë pas përshëndetjes që ata bënë në lidhje me raportin e Këshillit të Europës për zgjedhjet parlamentare në Shqipëri. Topalli nga foltorja e Kuvendit e vlerësoi raportin si objektiv, realist dhe shumë pozitiv. "Aty theksohet se zgjedhjet ishin një progres i qenësishëm, se procedurat e regjistrimit, të identifikimit të zgjedhësve, të adaptimit të një kuadri juridik të përmirësuar shënonin një progres të rëndësishëm", u shpreh Haxhinasto. Duke u ndalur në disa nga çështjet më të rëndësishme të raportit të Këshillit të Europës, Kryetarja e Kuvendit tha se rritja dhe përmirësimi i punës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ishte një tjetër pikë e rëndësishme e këtij raporti. Duke cituar vlerësimin e Këshillit të Europës, ndër të tjera Topalli u shpreh se raporti konstatonte që dita e votimit ishte e organizuar shumë mirë dhe se procedurat e votimit u vlerësuan mirë dhe shumë mirë në 93% të qendrave të votimit. "Në emrin tuaj, më lejoni të falënderoj të gjithë observuesit e huaj që kanë konkluduar në këto raporte, njëra pas tjetrës, të cilat flasin fjalët më të mira për 28 qershorin dhe për të gjithë periudhën para dhe pas 28 qershorit", tha Topalli. Po ashtu, raporti është përshëndetur dhe vlerësuar edhe nga Lëvizja Socialiste për Integrim. Haxhinasto ka deklaruar se "në emër të LSI-së mbështet vlerësimet e partnerëve ndërkombëtarë, së fundmi edhe të Asamblesë Parlamentare e Këshillit të Europës, institucioni që është gardian i standardeve demokratike dhe shtetit ligjor, mbi progresin e prekshëm të arritur në zgjedhjet e 28 qershorit dhe për rrugën e mbarë të reformave në të cilën po ecën qeveria e Integrimit Europian dhe Shqipëria në përgjithësi". Ky progres, tha ai, do të përkthehet së shpejti me një arritje konkrete për qytetarët shqiptarë, siç është lëvizja e lirë drejt BE-së, në mesin e vitit të ardhshëm.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›