E Diel, 1 Nëntor 2026

Shpërthen fuoristrada e kompanisë së gazit, mister motivet

DURRËS Një shpërthim i fuqishëm ka ndodhur pasditen e djeshme në një mjet fuoristradë, në kohën që ai ishte duke ecur në zonën e Plazhit në Durrës. Autovetura tip Range Rover, me targa TR 1588 N, ka pësuar një shpërthim në pjesën e përparme të saj, shpërthim i cili nuk dihet me saktësi se nga se është shkaktuar. Vendi ku ka ndodhur ngjarja është rreth 500 metër nga Ura e Dajlanit, ndërkohë që fuoristrada ishte duke udhëtuar në aksin Plepa-Ura e Dajlanit. Mjeti në fjalë është në pronësi të kompanisë “Inter Gaz sha”, e cila ka aktivitetin e saj tregtar në tregtimin e gazit të lëngshëm, me qendër në Porto Romano. Shpërthimi ka ndodhur në orën 16:35 dhe është dëgjuar nga një pjesë e madhe e banorëve të zonës së Plazhit. Në kohën që ka ndodhur shpërthimi, fuoristrada nuk është përplasur me ndonjë mjet tjetër, por pjesë të shumta kanë rënë në tokë. Llamarina të deformuara dhe pjesë të mjetit, që gjenden në afërsi të bllokut të motorit, kanë pësuar dëme të mëdha. Po kështu edhe kofano e fuoristradës është shtrembëruar së bashku me parafangot anësore dhe fundore të saj. Nisur nga dëmtimet e marra, efektivat policore kanë dyshuar se ajo që ka ndodhur mund të jetë pasojë e një shpërthimi nga lëndë plasëse. Mjeti në fjalë mësohet se drejtohej nga shoferi i firmës në fjalë, por në kohën që ka ndodhur shpërthimi, ai ka dalë nga fuoristrada dhe është larguar i frikësuar. Sipas burimeve nga vendngjarja, drejtuesi i këtij mjeti vuan nga zemra dhe kjo ka qenë arsyeja që për disa minuta, ai është larguar nga vendi i ngjarjes. Burime zyrtare të drejtorisë së Policisë së qarkut Durrës kanë bërë të ditur se për momentin nuk mund të thuhet asgjë për atë që ka ndodhur në këtë mjet, pasi janë në pritje efektiva të antiterrorist, për të bërë ekspertizën e fuoristradës. Për këtë arsye, fuoristrada nuk është lëvizur fare nga vendi ku qëndroi pas shpërthimit, duke bërë që aksi me drejtim Plepa-Ura e Dajlanit të jetë shumë i rënduar nga trafiku.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›