Rama e Lakrori, dy kandidatët për kreun
Edi Rama dhe Maqo Lakrori janë dy kandidatët zyrtarë të Partisë Socialiste për garën e sotme zgjedhore. Më 29 gusht, kongresi i jashtëzakonshëm socialist shpalli datën 26 shtator për zhvillimin e zgjedhjeve për kryetarin e ri të partisë pas humbjes së zgjedhjeve të 28 qershorit. Në këtë mënyrë, zgjedhësit socialistë do të votojnë për të përcaktuar emrin e kryetarit të ri. Ndërkohë, Rama dhe Lakrori janë përballur me njëri-tjetrin përpara bazës dhe anëtarësisë socialiste në 12 qarqe të vendit ku secili ka shprehur pikëpamjet për mënyrën se si duhet drejtuar selia rozë në të ardhmen. Të dy kandidatët bien dakord se PS është forca më e madhe në vend, por ndajnë mendime të ndryshme për të ardhmen e saj. Maqo Lakrori mendon se duhen bërë ndryshime rrënjësore në statusin e PS ku të përcaktohet qartë drejtimi kolegjial i partisë dhe jo i bazuar te vendimmarrja e një njeriu të vetëm. Ndërsa kryetari në detyrë, Edi Rama, në 12 takimet ka folur mbi qëndrimet aktuale të partisë për bojkotin e Parlamentit dhe arsyet që e çuan në këtë vendimmarrje. Rama i është përmbajtur idesë se zgjedhjet e 28 qershorit nuk patën transparencën e duhur dhe e vërteta e tyre fshihet në kutitë e pahapura të disa qarqeve.