Topalli: Parlamenti është vendi i debatit dhe negociatave
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, priti dje ambasadorin e Suedisë, Lars Freden, vendi i cili drejton presidencën e radhës së BE-së. Siç njofton zyra e shtypit pranë Kuvendit, duke e falënderuar për takimin, ambasadori Freden i ka bërë Topallit urimet më të mira për rizgjedhjen e saj në krye të Kuvendit. Gjatë bisedës, kryeparlamentarja është ndalur në zhvillimet e fundit në Shqipëri dhe konkretisht te procesi i 28 qershorit ku Shqipëria, tha Topalli, realizoi zgjedhje të lira, me një infrastrukturë moderne të aplikuar për herë të parë, e që morën vlerësimet pozitive nga OSBE, KE e institucionet e rëndësishme ndërkombëtare. Kryetarja e Kuvendit vlerësoi faktin që sistemi zgjedhor, kodi i propozuar nga opozita dhe ndërtimi i Komisionit Qendror u votuan me konsensus në Parlament. Ajo theksoi se "komisionerët e majtë e të djathtë si asnjëherë më parë firmosën në procesverbalet e zgjedhjeve dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve votoi në unanimitet rezultatin përfundimtar". Duke theksuar rolin thelbësor të Parlamentit si pushteti i drejtpërdrejtë i sovranit, Kryetarja e Kuvendit, e cila në mënyrë të përsëritur ka ftuar deputetët e opozitës të zënë vendin e tyre, nënvizoi dhe njëherë se prania e opozitës në Parlament është shumë e rëndësishme për vetë opozitën, por edhe për vendin. Kryetarja e Kuvendit tha se "Parlamenti është vendi i debatit, vendi i negociatave dhe i konsensusit. Katër vitet e mandatit të kaluar janë dëshmi e konsensuseve të mëdha të arritura". Më tej, biseda u ndal edhe në liberalizimin e vizave dhe kërkesën e Shqipërisë për statusin e vendit kandidat në BE, ku Kryetarja e Kuvendit theksoi rëndësinë e mbështetjes së Suedisë në afrimin e vendit tonë me BE-në.