E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama e Shala, në shënjestrën e Kuzhesë

Kosovarët duket se do të jenë edhe për disa kohë "thesari i çmuar" për Kombëtaren e shqiptare. Kjo konfirmohet nga deklaratat e trajnerit kroat të kuqezinjve, Josip Kuzhe, i cili, në një prononcim për të përditshmen e njohur kosovare, "Express", u shpreh se është thuajse i sigurt afrimi i mbrojtësit të Bokumit, Mërgim Mavraj, i cili ka marrë pëlqimin e teknikut të përfaqësues sonë. Tashmë Shqipërisë ka shumë gjasa që t‘i bashkohen në një të ardhme të afërt edhe dy futbollistë të tjerë me prejardhje nga Kosova, të cilët luajnë në kampionate të rëndësishme të Europës. Në listën e gjatë të talenteve, që po mbahen nën vëzhgim nga trajneri Kuzhe, janë dy sulmues: i pari është Valdet Rama, që luan në radhët e Hanoverit në Bundesligës gjermane, Hanover ‘96, ndërsa i dyti është Andis Shala, i cili militon në radhët e ekipit të Premier Leagues skoceze, Dundee United. Ai ka një lidhje të fortë me futbollin, pasi është i biri i trajnerit të Kombëtares së Kosovës, Kujtim Shala.
Tekniku kroat i Shqipërisë ka konfirmuar së është shumë i interesuar për dy sulmuesit kosovarë, për të cilët nuk ka kursyer edhe elozhet menjëherë pas vëzhgimit të parë. Kuzhe ka nënvizuar se Valdet Ramën e ka ndjekur nga afër në fundjavë, në takimin ndërmjet Hanoverit dhe Bokumit, ku kishte shkuar për të vëzhguar ekskluzivisht mbrojtësin e skuadrës mike, Mërgim Mavrajn. "Gjatë ndeshjes pata rastin ta shoh sulmuesin e Hanoverit, Valdet Rama, që luajti për 25 minuta. Natyrisht është e pamundur, që për një kohë kaq të shkurtër, të jap një vlerësim për të. Megjithatë, duhet ta respektojmë faktin që ai po luan në Bundesligë. Ne do të vazhdojmë ta vëzhgojmë nga afër, pasi mendoj se është një nga futbollistët i cili duhet mbajtur në konsideratë për të ardhmen e Kombëtares", theksoi Kuzhe në deklaratën e tij. Valdet Rama ka lindur më 20 nëntor 1987 (22 vjeç) në Mitrovicë dhe është një futbollist që zotëron edhe shtetësinë gjermane. Pas emigrimit nga Kosova në vitin 1996, ai gjeti vend në skuadrën e VfL Volfsburg unter Feliks Magath, por nuk mundi të aktivizohej në asnjë ndeshje zyrtare. Mesfushori polivalent (luan në të dyja krahët, në të majtë dhe në të djathtë) me tipare sulmuese u transferua në verën e 2008 te FC Ingolstadt në Bundesligën 2, ku në 17 ndeshje shënoi një gol. Në sezonin 2009/‘10 ai braktisi FC Ingolstadt për të kaluar te Hanover 96, ku mban mbi shpinë bluzën me numër 22.
Ish-trajneri i Dinamo Zagrebit bëri të ditur se përveç Ramës, është duke e përcjellë edhe sulmuesin 21-vjeçar, Andis Shala. "Më është sugjeruar edhe futbollisti i ri, Andis Shala, i cili luan në Dundee. Nuk ka pasur diçka konkrete, por është një futbollist që do ta vëzhgojmë në të ardhmen e afërt", pohoi Kuzhe. Shala (datëlindja 15 nëntor 1988), 21 vjeç, zotëron edhe shtetësinë gjermane. Karrierën e ka filluar me të rinjtë e Hanover ‘96, por në janar 2008 u transferua te VfR Manhajm. Vetëm 6 muaj më vonë, skocezët e Dundee United e morën në gjirin e tyre si një futbollist shumë premtues. Tashmë, sipas Kuzhesë, është në dorën e tyre e ardhmja në Kombëtare, e cila varet nga paraqitjet përkatëse në kampionatet ku luajnë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›