VITI I RI ME POLITIKë Të VJETëR
Më 1917, Hiram Johnson i tha Senatit Amerikan: "Viktima e parë e luftës është e vërteta".
Kur sheh se si ngulmon pushteti aktual për të përligjur shkeljen e hapur të ligjit zgjedhor të miratuar me konsensus të gjerë dhe, në vend të dialogut, anatemon opozitën vetëm sepse kërkon zbatimin e ligjit të shkelur nga pushteti, duket që politika aktuale është më tepër një luftë e paprinciptë për hir të pushtetit dhe jo një marrëveshje e përgjithshme për fuqizimin e shtetit, për përparimin e demokracisë dhe për integrimin e vendit në BE-së. Politika aktuale duket që ka harruar të pyesë për hallet e qytetarëve dhe flet për integrimin e vendit në BE-së vetëm për të fshehur sa të mundet atë luftë të shëmtuar që bën për të vonuar sa më shumë integrimin e vërtetë e dinjitoz të Shqipërisë në Europën e Bashkuar.
Ato fjalë, që Hiram Johnson i tha Senatit Amerikan, në vitet e Luftës së Parë Botërore, duket se i vërteton edhe sjellja e kastës sonë politike të tranzicionit. Një kastë që edhe zgjedhjet parlamentare i koncepton si një lloj lufte për eliminimin e kundërshtarit e jo për të zhvilluar me të një garë të ndershme me rregulla të miratuara nga të gjitha palët e të zbatueshme njëlloj për të gjitha palët. Një kastë politike për të cilën koha ka ndaluar në ditën, muajin e vitin që vjen ajo në pushtet. Një kastë politike që e koncepton politikën si kacafytje për pushtet e jo si shërbim qytetar. Një kastë politike që e ngatërron politikën me paturpësinë. Një kastë politike jashtë kohe, që nuk e koncepton dot as luftën vetë si vazhdim të politikës me mjetet e forcës, por e kupton politikën si vazhdim të luftës me mjetet e dobësisë.
Tok me thënien e vërtetuar të Hiram Johnson-it, të gjitha këto janë vërtetuar në të gjitha zgjedhjet e organizuara nga kasta jonë aktuale politike në këto dy dekada tranzicioni të stisur. Sepse kasta jonë politike këput mish për t‘u matur me Ismail Qemalin dhe dehet aq shumë nga pushteti sa kujton se "prapa u vjen historia" e nuk e shohin që prapa u vjen pasuria e vënë me faqen e zezë. Me faqen e zezë të një klase politike që, në vend që të qeverisë taksat e popullit, pasurohet me to.
Në vend që të qeverisë për të lehtësuar hallet e popullit të vet, bëhet barra më e rëndë për popullin e për vendin me atë luftë të paprinciptë që bën për pushtet. Në vend që të sigurojë paqe e mirëqenie për popullin që qeveris, kasta jonë politike e shpie vendin periodikisht në buzë të greminës me luftën për marrjen apo për mbajtjen me çdo kusht të pushtetit.
Sepse kasta jonë politike nuk ka bërë dot asnjë luftë të ndershme në historinë e saj prej dështakeje, qysh në lindjen e vështirë të shtetit shqiptar. Qysh atëherë kasta jonë politike vetëm se ka shfrytëzuar luftën e ndershme të popullit fukara e të idealistëve të tij të paktë, të dënuar për të mbetur "syrgjyn gjallë e syrgjyn vdekur"...
Edhe në prag të Luftës së Madhe, kasta jonë politike u fut në luftë jo për të shpëtuar Atdheun nga copëtimi, por për të shpëtuar ç‘të mundej nga pushteti i saj si kastë memurësh të sulltanit. Edhe në ditët e vështira të lindjes së shtetit shqiptar në prag të Luftës së Parë Botërore, kasta jonë politike shfrytëzoi luftën e popullit për pavarësi, vetëm për t‘u kthyer nga memurë të sulltanit në "patriotë" të prerë për pushtet. Edhe në ato ditë të rënda për vetë ekzistencën e Shqipërisë e të shtetit të brishtë shqiptar, kasta jonë politike nuk luftoi me popullin e për popullin, por për të mos e humbur pushtetin e saj prej memurësh të Turqisë. Edhe në ato ditë kur vihej në rrezik real ekzistenca e kombit shqiptar, kasta jonë e pushtetit luftoi vetëm për t‘u ngritur pusi atdhetarëve të vërtetë. Edhe atëherë atdhetarët tanë të vërtetë i hëngri pabesia e kastës sonë të pushtetit, kurse memurët e djeshëm të sulltanit u shtruan paq në sofrën e pushtetit. Edhe atëherë kasta jonë e pushtetit përdori të gjitha mjetet e dobësisë për të luftuar pas krahëve atdhetarët e vërtetë që themeluan shtetin shqiptar, duke nisur nga Ismail Qemali e Isa Boletini e te Çerçiz Topulli e Themistokli Gërmenji...
Edhe atëherë kasta jonë e pushtetit nuk luftoi për të shpëtuar Atdheun nga gjymtimi, por luftoi për pushtetin e vet. Edhe atëherë kasta jonë e pushtetit nuk la mjet të ulët pa përdorur që të mos hidhte rrënjë e shtatin e natyrshëm shteti i shqiptarëve, por pushteti i errët i zullumqarëve. Edhe në ato ditë të rënda për këtë truall e për këtë komb të sulmuar nga të gjitha anët, kasta jonë e pushtetit luftoi me mjetet më të ulëta kundër atdhetarëve që themeluan shtetin shqiptar dhe nuk la armik të Shqipërisë pa i shërbyer, vetëm për të ruajtur statusin e saj si kastë pushtetare.
- Po ç‘na hyjnë në punë sot shëtitjet e tua në histori? - mund të më gërmushet me të drejtë cilido që do të ketë durimin t‘i lexojë këto radhë.
Është e vërtetë që shumica (në mos të gjitha) shtetet kanë lindur në kohë lufte, por pastaj kanë siguruar paqen e qëndrueshme dhe kanë zhvilluar pa u lodhur politika në dobi të përparimit e të begatimit të vendit të vet dhe nuk e kanë përdorur luftën e shtirë si politikë për të marrë e për të ruajtur me çdo kusht pushtetin në dëm të shtetit e të qytetarëve të tyre.
Edhe nëse nuk kanë pasur për çdo Vit të Ri një politikë të re, bota doemos që kanë shtruar gjithnjë objektiva të reja për progres të mëtejshëm, pasi kanë bërë mirë analizat e arritjeve dhe të dështimeve të politikave të mëparshme dhe nuk kanë forcuar pushtetin e "komandantit" me nënshtrim skllavi e me hosanara bajate "nga kongresi në kongres", por kanë fuqizuar shtetin, duke përsosur demokracinë.
E kanë fuqizuar shtetin duke qartësuar më tej ndarjen e pushteteve e jo duke i bërë njësh e për njëshin të gjitha pushtetet. Kanë përsosur demokracinë, duke mbrojtur me ligj të drejtat e opozitës e jo duke e shpallur opozitën jashtë ligjit, sepse kërkon dhe me protesta demokratike zbatimin e ligjit njëlloj për të gjithë. Kanë rritur transparencën e veprimtarisë e të vendimeve të qeverisë, duke i shtruar paraprakisht për gjykimin e grupeve përkatëse të interesit e të mbarë publikut të gjitha projektligjet dhe aktet zyrtare dhe jo duke fshehur nga sytë e publikut edhe mënyrën e shpenzimit të taksave, apo të privatizimit të ekonomisë kombëtare e madje edhe marrëveshjet që cenojnë integritetin territorial të Atdheut. Se Atdheu është i të gjithë qytetarëve e nuk është plaçkë tregu e pushtetarëve.
Bota e kanë zhvilluar më mirë ekonominë e vendit, duke bërë transparent për publikun bilancin e arritjeve dhe të mosarritjeve e jo duke fshehur nga taksapaguesit edhe krizën ekonomike botërore, apo duke grirë byk propagande se qenkemi përsëri si dikur - "të parët në botë e të vetmit që nuk na qaset dot kriza ekonomike", se qenkemi vendi i vetëm në Europë me rritje ekonomike dhe pastaj të mos paguhen dot as ndihma frymëmbajtëse e invalidëve, e madje të shtyhen dhe rrogat e buxhetorëve për vitin tjetër - sikurse u shtynë për vitin tjetër edhe pagesat për firmat private që i kanë mbaruar me kohë punimet e kontraktuara me shtetin.
Ky është bilanci që bën transparent për publikun çdo qeveri normale të një vendi normal në prag të Vitit të Ri. Këtë bilanc e bën botërisht çdo vend vërtet demokratik, që zbaton politika zhvillimi dhe nuk bën luftë me opozitën e me popullin e vet, vetëm për të ruajtur pushtetin edhe duke shkelur ligjin. Vetëm aty ku pushteti shkel ligjin, duke mbajtur fjalime të zbrazëta në emër të ligjit, vetëm aty ku demokracia vetë është thjesht një armë propagandistike në një luftë të paprinciptë për pushtet, lihen dhe të burgosurit e diktaturës të vdesin në grevë urie, vetëm sepse kërkojnë të drejtën që u jep ligji, por nuk ua jep pushteti(!)
Vetëm aty ku dhe vetë demokracia përdoret si armë propagandistike në luftën e paprinciptë për pushtet, qytetarët e rregullt detyrohen të paguajnë energjinë edhe për qytetarët që nuk paguajnë se janë votues të njohur të pushtetit. Vetëm aty ku pushteti tallet dhe me demokracinë si me zbatimin e ligjit, pushtetarët mund t‘i mbushin mendjen vetes se do ta kthejnë vendin në një "superfuqi energjie të gjelbër", kur edhe barin e importojnë nga Maqedonia e vogël, që ende nuk ka zgjidhur as problemin e emrit të vet zyrtar, por që qytetarëve të saj arriti t‘u heqë vizat për në zonën "Shengen".
Në prag të këtij Viti të Ri, fqinjët tanë të vegjël si Mali i Zi dhe Maqedonia, edhe pse të dalë nga lufta e shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, i shpunë qytetarët e tyre një hap më pranë integrimit real në Bashkimin Europian, kurse kasta jonë politike e këtij tranzicioni nuk zhvillon dot politika të tilla integruese, sepse dhe politikën vetë e koncepton si një luftë të paprinciptë për pushtet. Në prag të këtij Viti të Ri, edhe qeveria e Serbisë të rrënuar nga lufta e pushtetit të Millosheviçit, ia doli t‘u hapë kufijtë e Shengenit qytetarëve të saj, kurse kasta jonë e pushtetit mbeti si gjithnjë e si për të gjitha te propaganda e vjetër e Partisë së Punës, plot me "armiq të jashtëm e të brendshëm që pengojnë integrimin e Shqipërisë"... Mbeti tek ajo propagandë kasta aktuale e pushtetit, sepse nuk mund të arrijë njëherësh edhe integrimin në BE edhe dizintegrimin e përçarjen e qytetarëve në "të mirë e të bindur" që e duan pushtetin dhe në të "këqij, e mafiozë të pabindur" që nuk e pëlqejnë pushtetin. Nuk mund të arrihet integrimi i vendit në BE, kur pushteti përpiqet vetëm për të përçarë, jo vetëm partitë e ndryshme, por dhe vetë shoqatat. Pa u krijuar mirë një parti në mbrojtje të interesave jetike të popullsisë çame, mbiu dhe e dyta, ashtu siç po bëhet me katër parti politike pakica kombëtare greke, apo ashtu siç janë ndarë e përçarë dhe ish të burgosurit e të përndjekurit politikë të diktaturës në 17 shoqata. Sepse kasta jonë e pushtetit e ka frikë integrimin e vendit në BE, pasi BE-ja është vendi i ligjit dhe jo i Maliqit, është vendi i demokracisë dhe jo sofra e pushtetit.
Sepse edhe kasta jonë politike e tranzicionit është trashëgimtare e po asaj kaste pushteti, që dhe luftën e popullit kundër pushtuesve e shfrytëzoi për fuqizimin e sundimit të vet e për vendosjen e diktaturës. Sepse dhe kjo kastë politike është vijim i "Kongresit të Vazhdimësisë"... Sepse dhe kjo kastë politike shfrytëzoi energjinë rinore të studentëve, vetëm për të trashëguar pushtetin e vjetër me parulla të reja demokratikase...
Ja pse politika jonë aktuale, sikundër e gjithë politika e tranzicionit tonë të pasosur, mbetet një luftë e verbër për pushtet. Mbetet gjithnjë një politikë e vjetër edhe në prag të Vitit të Ri. Mbetet përsëri ajo politika e vjetër e kastës sonë pushtetare, mbetet gjithnjë një luftë me mjetet e dobësisë për të marrë e për të ruajtur me çdo kusht e me çdo çmim pushtetin.