E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama emërohet kurator për në Bienalen e Venezias

Arkitekti Përparim Rama është përzgjedhur kurator për përfaqësimin e Republikës së Kosovës në Bienalen e Arkitekturës në Venezia të Italisë. Bordi i emëruar në muajin shkurt nga Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi, ka përzgjedhur Ramën në mesin e tre emrave të propozuar.

Në bazë të vendimit të ministrit Krasniqi, Bordi për përzgjedhjen e kuratorit përbehet nga Eliza Hoxha, arkitekte dhe kryetare e Këshillit të Galerisë së Arteve të Kosovës, Valdet Osmani, kryetar i Asociacionit të Arkitektëve të Kosovës dhe Teuta Jashari- Kajtazi, profesoreshë në Fakultetin e Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës në Universitetin e Prishtinës. Më këtë vendim si këshilltar special i bordit është emëruar arkitekti i njohur Wilhelmus Maas, ndërkaq në rolin e komisionarit është emëruar arkitekti Bekim Ramku.

Në vendimin e vet, Bordi konstaton se pas sqarimeve shtesë dhe konsultave të gjata, koncept-ideja e Përparim Ramës është vlerësuar si më e mirë dhe e denjë për ta përfaqësuar në mënyrën sa më të mirë Republikën e Kosovës në Bienalen e Venezias, që është një nga ngjarjet më të mëdha kulturore në botë e ku Republika e Kosovës për herë të parë është pjesëmarrëse.

Bienalja e Venezias do të zgjasë gjithsejtë katër muaj dhe hapja do të bëhet në muajin gusht. Këtë vit temë e Bienales së Arkitekturës është “Toka e përbashkët”.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›