Hollande President i ri, Sarkozy pranon humbjen

Ai mori rreth 52 për qind të votave të balotazhit të së dielës, sipas parashikimeve në bazë të rezultateve të pjesshme, kundrejt 48 për qind të kandidatit të qendrës së djathtë, presidentit në detyrë, Nicolas Sarkozy.
Hollande do të jetë presidenti i parë socialist që nga viti 1995, në Francë.
Analistët thonë se vota do të ketë implikime të gjerë për të gjithë eurozonën. Hollande ka premtuar të rishikojë marrëveshjen e borxhit të qeverisë me vendet anëtare.
Qendrat e votimit u mbyllën në orën 20:00, ndërsa rezultatet e para treguan se ku kishte shkuar vota e francezve.
Mbështetës të shumtë të Hollande dolën për të festuar në “Place de la Bastille” në Paris, një pikë tradicionale për të majtën franceze kjo.
Është vetëm hera e dytë që një president në detyrë nuk arrin të fitojë rizgjedhjen që nga fillimi i Republikës së pestë franceze në vitin 1958.
Hera e fundit ishte Valery Giscard d'Estaing, i cili u mund në vitin 1981 nga socialisti Francois Mitterrand, që mori dy mandate në detyrë, deri në vitin 1995.
Presidenti i ri pritet të emërohet gjatë këtij muaji, ndërsa zgjedhjet parlamentare do të mbahen në qershor.
Me një fjalim prekës para mbështetësve të tij, Nicolas Sarkozy deklaroi se Franca do të ketë nga sot një president të ri, François Hollande.
Në të parin fjalim të tij pas mbylljes së raundit të dytë të zgjedhjeve presidenciale në Francë, Nicolas Sarkozy mori mbi vete përgjegjësinë e humbjes në këto zgjedhje, që sjellin në krye të pallatit Elisee pas 17 vitesh, një lider socialist.
“Franca ka sot një President të ri të Republikës. Franca bëri zgjedhjen e saj republikane, Franca ka sot president të ri, François Hollande”, deklaroi presidenti ende në detyrë, Sarkozy.
Ai u kërkoi mbështetësve të tij të jenë të bashkuar, duke u bërë me dije se nuk do të jetë në krye të partisë në zgjedhjet parlamentare.
Në ligjëratën e tij, Sarkozy njoftoi se “Sapo fola në telefon me Hollande dhe i urova fat në sprovat e mëdha. I uroj me gjithë zemër që Franca të kalojë të gjitha provat e vështira, pasi ka diçka më të madhe se ne, që është atdheu ynë. Ne duhet të mendojmë sot për madhështinë e Francës dhe lumturinë e francezëve”, theksoi presidenti në detyrë.
Ai falënderoi francezët, që e zgjodhën president 5 vite më parë, duke nënvizuar se asnjëherë nuk do ta harrojë këtë nder të madh.