E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: Të hapur për ndryshimin e sistemit, por PD na pengon

Çështja e sistemit zgjedhor mund të kthehet në një çështje debati mes dy partive kryesore në komisionin e posaçëm të Reformës Zgjedhore. Ndryshe nga demokratët, socialistët duken më të prirë për të pranuar kërkesat e aleatëve të tyre për një modifikim të sistemit zgjedhor, për të bërë të mundur një shpërndarje më të drejtë të mandatave apo një përkthim më të mirë të votave në mandate. Është bashkëkryetari socialist i komisionit të Reformës Zgjedhore, Damian Gjiknuri, ai që ka bërë të ditur se do të tentohet një mirëkuptim edhe për këtë çështje, megjithëse pranon se tashmë PD ka ndryshuar mendim. “Qëndrimi i PS-së ka qenë i qartë, është bërë publik që ne jemi për gjetjen e një konsensusi se si mund ta rishikojmë sistemin zgjedhor. Partia Demokratike, qoftë edhe nga deklarimet e fundit të kryeministrit të Shqipërisë, megjithëse qe ai i pari që e nxiti idenë e rishikimit të sistemit zgjedhor, ka një ndryshim qëndrimi. Ne jemi të hapur që të dëgjojmë edhe partitë e tjera që së bashku të gjejmë një formulë që adreson edhe stabilitetin në qeverisje, por edhe përfaqësimin më të mirë në Kuvendin e Shqipërisë”, - tha Damian Gjiknuri. Pavarësisht këtij qëndrimi të shprehur publikisht, duket se PS nuk e ka seriozisht një gjë të tillë, pasi ka pranuar tashmë që reforma zgjedhore të përqendrohet në 52 rekomandimet e OSBE/ODIHR-it dhe në opinionin e dhënë para dy ditësh nga Komisioni i Venecias, ku nuk përmendet fare ndryshimi i sistemit zgjedhor. Çka tregon qartë se PS mban dy qëndrime të ndryshme në tryezat e punës me PD-në dhe një qëndrim tjetër publik, dhe kjo për shkak të presionit që bëjnë aleatët që kohët e fundit janë rebeluar për këtë gjë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›